Ekonomi

Banka Qendrore në krizë vendimmarrjeje

Sabina Veizaj- Banka e Shqipërisë në krizë vendimmarrjeje për shkak të mungesës së anëtarëve të Këshillit Mbikqyrës që u ka mbaruar mandati.

Edhe pse Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj më herët këtë javë gjatë diskutimit për projektbuxhetin 2019 në kuvend ka deklaruar se plotësimi i vendeve vakante të anëtarëve të Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë do të bëhet brenda dy javëve, mbledhja e radhës, ajo e datës 21 nëntor ka përfunduar pa vendimmarrje.

Përmes një njoftimi për shtyp, vetë Banka e Shqipërisë ka bërë të ditur se: “Në datë 21 nëntor 2018, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, në cilësinë e Kryetarit të Këshillit Mbikëqyrës, si dhe anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës, Zëvendësguvernatorja e Dytë, zj. Natasha Ahmetaj dhe z. Tonin Kola, zhvilluan një takim informues, ku u njohën me aktivitetin e përditshëm funksional dhe operacional të Bankës së Shqipërisë.”

Në takim janë diskutuar zhvillimet e fundit ekonomike dhe monetare, si dhe u mor informacion mbi: administrimin dhe veprimtarinë e Bankës së Shqipërisë; zbatimin e politikës monetare; mbarëvajtjen e sistemit bankar dhe financiar; dhe gjendjen e tregjeve të parasë dhe valutore.

“Gjatë takimit nuk u morën vendime, dhe çështjet e planifikuara për vendimmarrje në mbledhjet e muajit nëntor do të trajtohen në mbledhjet e ardhshme, atëherë kur Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë të ketë numrin e nevojshëm të anëtarëve për zhvillimin e mbledhjeve dhe marrjen e vendimeve përkatëse”, citohet në njoftimin e Bankës Qendrore.
Ndërsa për mbledhjen paraardhëse të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, e planifikuar për datën 7 nëntor 2018 nuk u zhvillua në pritje të zgjedhjes së anëtarëve të rinj të këtij Këshilli, sqaron vetë Banka Qenbdrore gazetën “Si”.

Arsyeja e shtyrjes argumentohet nga Banka si në përputhje me dispozitat e Ligjit për Bankën e Shqipërisë dhe nuk cënon aspak funksionimin normal të Bankës së Shqipërisë.
Këshilli Mbikëqyrës është organi më i lartë vendimmarrës dhe mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë. Ai është përgjegjës për hartimin e politikës monetare dhe për miratimin e udhëzimeve për zbatimin e saj. Gjithashtu, Këshilli Mbikëqyrës vendos mbi politikat e administrimit në përgjithësi, si dhe përcakton mënyrat ose procedurat për realizimin e veprimtarisë operative të Bankës së Shqipërisë, duke siguruar kështu administrimin e drejtë të institucionit dhe përgjegjshmërinë kundrejt publikut për veprimet, angazhimin dhe rezultatet e saj.

Këshilli Mbikëqyrës kryesohet nga Guvernatori dhe përbëhet nga nëntë anëtarë; Zëvendësguvernatori i Parë – Zëvendëskryetar, Zëvendësguvernatori i Dytë; dhe Gjashtë anëtarë të tjerë.

Të gjithë anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës zgjidhen dhe emërohen nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë me një mandat 7-vjeçar, me të drejtë rizgjedhjeje, mbështetur në propozimet e bëra: Pesë anëtarë propozohen nga Kuvendi; Tre anëtarë propozohen nga Këshilli i Ministrave; Një anëtar propozohet nga Këshilli Mbikëqyrës.

Në Kuvendin e Shqipërisë, i cili ka detyrë ligjore të bëjë tre propozime janë paraqitur 15 kandidatura: Vjollca Braho; Bardhyl Çeku; Leontijev Çuçi; Sulo Hadëri; Artan Hoxha; Altin Hoti; Oljan Kanushi; Genc Koxhaj; Arben Malaj; Visar Malaj; Luljeta Minxhozi; Ergys Misha; Nikollaq Pano; Drini Salko; Arben Xibri.

Ndërsa Këshilli i Ministrave nuk ka publikuar ende propozimet e tij.

Ndërsa Euro është në pikiatë dhe institucionet ndërkombëtare po shinjestrojnë zhbalancimin e kursin të këmbimit si një risk serioz për shëndetin e ekonomisë, qeveria nuk ka gjetur ende një rrugëzgjidhje për ngërçin e krijuar nga moszgjedhja e 6 anëtarëve të Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë