Biznes

Balluku: Porti i Durrësit i mbetet shtetit. Projekti shtrihet në 200 Ha, hapësirë edhe për plazh

Nga Gazeta ‘SI’ - Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku sqaroi dhe njëherë se asnjë pjesë prone apo deti në projektin e portit të Durrësit, nuk do të tjetërsohet dhe nuk do t’i kalohet apo shitet askujt.

Në komisionionin për Tregtinë, ku ajo po prezanton projektligjin për miratimin e investimit strategjik “Marina & Jahtet e Durrësit”, ministrja tha se e gjitha është një bllof politik.

“Është blof politik akuza se qeveria po grabit prona publike. Nuk parashikohet asnjë kalim dhe nuk shitet asnjë pronë. Shteti ka tagrin e përcaktimit të përdorimit të tokës dhe parcelat që tjetërsohen i kalojnë zhvilluesit (Autoriteti Portual) dhe jo kompanisë ndërtuese. Infrastruktura detare mbetet pronë e shtetit dhe qytetit më pas i kthehen dhe 20% të hapësirës. Trualli apo çdo aset tjetër nuk do të vendoset kurrë si kolateral për financim nga të tretë”, -sqaroi zv.kryeministrja Belinda Balluku.

Ajo dha më shumë detaje rreth projektit duke treguar se projekti do të shtrihet në një sipërfaqe nga 130 në 200 HA. Në hotelet me 4 dhe 5 yje, do të jenë 850 dhoma dhe 1.200 shtretër. 80 mijë metra2 do të jenë hapësirë e gjelbër dhe 280 vende ankorimi për jahtet, superjahtet e megajahtet. Balluku tha se do të ketë dhe 700 metra vijë lineare bregdetare për plazh.

“Si mund të ketë plazh aty? Sepse ai nuk është det për plazh. Por kjo do të ndodhë sepse në Fazën e parë të projektit do të ketë purifikim të detit dhe pastrim të thellë nga mbetjet industriale disa vjeçare, duke e bërë të aksesueshëm detin në atë zonë. Nuk është projekt që i përket vetëm atyre që do të blenë metrat katrorë” -sqaroi ministrja.

Balluku ritheksoi se shteti shqiptar, që është edhe aksioner në masë 33%, ka të drejtën e vetos për çdo proces dhe zhvillim në aktivitetin financiar apo operacional të portit. 2% e të ardhurave vjetore të marinës do t’i shkojnë shtetit çdo vit dhe më pas përfitimi nga taksat.

I ndarë në dy faza, në total projekti do të kushtojë 2.81 mld euro dhe do të zgjasë deri në 20 vite kohë.

“Ndikimi ekonomik është direkt dhe indirekt, nga taksat. Impakti social është fitorja këtij projekti. Përmirësimin e infrastrukturës, kthimin e Durrësit në një port rajonal. Në kualifikimin e fuqisë punëtore që nga ndërtimi e deri tek shërbimet, përfshirë marinën dhe jahtet. Do të rrisë imazhin shqiptar në rang botëror”,-tha ministrja.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë