Shendet

Ballkani nën ethet e murtajës afrikane, 3 rrugët si përhapet

Epidemia e sëmundjes së derrave të egër e quajtur ndryshe, ethet afrikane të derrave apo murtaja afrikane ka pushtuar edhe pjesën më të madhe të Ballkanit. Epidemia me origjinë nga Afrika Lindore ka arritur të hyjë në Ballkan e për momentin, Serbia dhe Bullgaria janë dy vendet më të prekura. Epidemia ASF (ethet afrikane të derrave) deri në vitin 2018 nuk ishte e njohur për Europën. Më së shumti ajo ishte e përhapur në disa rajone të Afrikës te një numër i madh derrash të egër dhe më pas në Azinë qendrore, në disa vende të Kaukazit.

Çfarë është virusi i etheve afrikane të derrave

Eliminimi i nje derri te eger me virusin ASF ne Hungari - Gazeta Si, 20 gusht 2019

Agjenti shkaktar i virusit të etheve afrikane të derrave është një arbovirus unik i cili është i vetmi anëtar i familjes Asfarviridae. Megjithëse në përgjithësi konsiderohej se ekziston vetëm një serotip i virusit, studimet e fundit kanë raportuar klasifikimin e 32 izolatëve. Megjithatë, karakterizimi gjenetik i virusit të etheve të derrave deri më tani ka demonstruar praninë e 23 gjenotipeve të lidhur gjeografikisht me nëngrupe të shumta, duke dëshmuar mbi kompleksitetin e epidemiologjisë e cila përhapet me ritme të shpejta e ndikuar nga disa faktorë natyrorë, si era dhe temperaturat e larta.

Murtaja Afrikane e derrave është ndryshe nga sëmundjet e tjera ndërkufitare, pasi nuk ka vaksina për parandalim apo medikamente për mjekim. Ndaj, është e një rëndësie të veçantë që zonat ku mbarështohen derrat të mbahen të pastra. Parandalimi i hyrjes së virusit tek derrat e butë dhe ata të egër është shumë e vështirë, por pastërtia është armiku kryesor i këtij virusi.

Foto ilustruese - Gazeta Si, 20 gusht 2019

Por edhe zbulimi i hershëm, vendosja e shpejtë e diagnozës dhe përgjigja e shpejtë janë thelbësore për minimizimin e përhapjes së sëmundjes pas shpërthimit. Që të kuptohet se cilat masa do të jenë më të efektshme, është e rëndësishme të mbahet parasysh se si transmetohet ASF; d.m.th; përmes lëvizjes së derrave të infektuar dhe produkteve të tyre ndjekur nga marrja në rrugë orale; përmes kontaktit direkt me kafshët e gjalla, përfshirë këtu dhe derrat e egër; dhe përmes pickimit të mushkonjave Ornitodoros.

Vendet e prekura deri me tani nga virusi i etheve afrikane të derrave - Gazeta Si, 20 gusht 2019

Si ka mbërritur deri në Europë

I njohur shumë në Afrikë, aty ku edhe ka lindur, por edhe në Amerikën Latine dhe Azinë Qendrore, virusi i etheve afrikane të derrave e ka gjetur të përgatitur Europën. Territori i parë europian që është prekur nga kjo epidemi ishte ishulli italian i Sardenjës, kjo ndodhi prej 7 vitesh. Por nga Sardenja nuk pati një përhapje shumë të gjerë, për shkak të masave të marra dhe u arrit që të izolohet.

Dezinfektimi i nje derri me ASF ne Sllovaki - Gazeta Si, 20 gusht 2019

Këtë verë është ngritur alarmi i vërtetë në të gjithë Europën, pasi në Sllovaki u dha sinjali i parë për praninë e kësaj epidemie shumë të rrezikshme. Pas Sllovakisë, virusi në javët e fundit u aktivizua edhe në disa vende të tjera të Europës Lindore. Javën e kaluar, raportet ishin për 130,000 derra të ngordhur nga kjo epidemi në Bullgari. Përveç kësaj, kohët e fundit, virusi u konfirmua edhe në Serbi. 66 derra të ngordhur u gjetën në provincën Mlladenovac pranë Beogradit. Në përgjithësi deri më tani 16 vende europiane që iu është dashur të përballen me virusin në derrin e egër. Serbia ka ngritur nivelin e alarmit nga kjo epidemi dhe të gjitha vendet fqinje, Kosova dhe Bosnja ka ndalur importin e mishit të derrit nga Serbia.

Foto ilustruese - Gazeta Si, 20 gusht 2019

Të njëjtin hap ndërmori edhe Maqedonia pak ditë më parë. Në Ballkan shtetet e prekura deri më tani janë Bullgaria, Rumania, Serbia, Kroacia. Çdo vend që mbarështon derrin është në risk dhe historia ka treguar se sëmundja mund të kapërcejë me mijëra kilometra në vende të cilat më parë kanë qenë të pastra, kryesisht nëpërmjet mishit që mbërrin mes rrugëve ajrore ose detare dhe më pas asgjësohet në mënyrë të pasaktë, ose mishit të transportuar nga udhëtarët në mënyrë individuale.

Rrezik potencial për tu prekur nga ky virus ka edhe për vendin tonë. Gjatë vitit të shkuar, Shqipëria ka importuar 8760 ton derra të gjallë me vlerë 1.5 miliardë lekë dhe 10.366 ton mish derri, në vlerë monetare prej rreth 2 miliardë lekë. Ministria e Bujqësisë ka nxjerrë një urdhër për ndalimin përkohësisht të importit të mishit dhe derrave të gjallë nga vendet e prekura dhe Autoriteti Kombëtar i Ushqimit është në vëzhgim të situatës. Deri më tani në Shqipëri nuk ka pasur asnjë rast të konstatuar ose të dyshuar për prani të virusit të etheve afrikane të derrave.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë