Politike

Balla: Të disponueshëm për një president jo nga PS, por ka afate

Pas takimit me Fatmir Mediun dhe Shpëtim Idrizin, kryetari i grupit parlamentar i PS-së, Taulant Balla tha se mazhoranca është e disponueshme për t’i dhënë Shqipërisë një president jo nga PS-ja porse kjo gatishmeri ka afate.

Ai i kujtoi Mediut (i cili ka kërkuar të flasë me emra konkret) dhe Idrizit që të sjellin emra kandidatësh pasi afati maksimal për ta bërë këtë gjë është raundi i dytë që përkon me datën 23 maj.

Që do të thotë se raundi i parë sipas të gjitha gjasave do të kalojë pa emër kandidati siç e lë hapësirë edhe vetë Kushtetuta.

“Bashkë me kolegët Gjiknuri e Spiropali zhvilluam sot një raund të dytë takimesh me dy prej tre grupeve parlamentare të opozitës.

Besoj ju kanë komunikuar edhe kolegët e opozitës që PS e ka dëshmuar dhe sot disponibilitetin për të kaluar në diskutime konkrete me emrat e kandidatëve.

Me dy grupet parlamentare qe kemi takuar ka pasur gatishmëri për të hedhur në tavolinën e bisedimeve emra konkretë.

Mediu na ka informuar dhe për një qasje për të ardhur me një emër apo disa emra konkretë nga opozita, për një përpjekje që Mediu po bën.

Vijoj të shpresoj që nga ana e grupit të PD të ketë vendimmarrje për të ardhur edhe ata në tryezën e diskutimeve

Disponueshmëria jonë për ti dhënë Shqipërisë një president jo të PS do vijojë të jetë dhe në ditët ne vijim por kjo ka disa afate.

Në rast se deri tani kishim mundësi ti shtynim afatet tani s’kemi më asnjë mundësi. Në 16 maj është raundi i parë.

Afati i fundit i raundit të dytë është 23 maj”, tha Balla në fund të takimeve ndërsa mbetet pezull një tjetër takim ai me Enkelejd Alibeajn.

Ky i fundit do të jenë në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve, duke i lënë mundësite për një takim me vonë edhe pse deri tani nuk ka dhënë një përgjigje konkrete.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë