Politike

Balla: Nuk ka patur kërkesë për të rritur sigurinë nga kryeprokurori Dumani. Mohon edhe zërat për rrjedhjen e të dhënave nga TIMS

Nga Gazeta ‘Si’- Ministri i Brendshëm Taulant Balla pas mbledhjes së qeverisë hodhi poshtë zërat se janë shtuar masat për të garantuar sigurinë e kreut të SPAK, Altin Dumanit.

“Dua të garantoj jo vetëm prokurorët e SPAK, gjyqtarët por çdo qytetar të këtij vendi që policia e shtetit është në detyrë për të garantuar që çdokush të jetë i sigurt. I kam kërkuar Rrumbullakut që të marrë kontakt me Dumanin për të garantuar që policia e shtetit të bëjë detyrën. Deri në momentin që flasim nuk jam informuar se ka një kërkesë apo problematikë për Altin Dumanin. Lajmi është i pavërtetë”, tha Balla.

Ai mohoi gjithashtu edhe deklaratat për rrjedhjen e të dhënave nga sistemi TIMS.

“E vërteta është krejtësisht ndryshe. Shqipëria është sulmuar nga një sulm kibernetik në 2022-shin dhe nga ai moment të gjitha institucionet po marrin masa për të rritur digat mbrojtëse nga sulmet kibernetike. Pra e vërteta është që nuk ekziston asnjë prej shqetësimeve që gjoja ka pasur rrjedhje të dhënave nga sistemi TIMS, e vërteta është që ndërsa një ekip i ri brenda Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë ka marrë përsipër një ndryshim tërësor të mënyrës së administrimit në aspektin teknik dhe aspektin e sigurisë, ndodh që ata që janë larguar mund të kenë kritika dhe ankesa. Dua ta garantoj çdo qytetar se asnjë e dhënë nga TIMS nuk ka rrjedhur. Lidhur me ata që ju thoni se ka një kallëzim, nuk ka kallëzim, por unë kam kërkuar që të dhënat që ka pasur AMP të vlerësohen nga ana e Prokurorisë”, deklaroi ai.

Ai njoftoi se shteti do të mbulojë qiranë për punonjësit e Gardës të cilët detyrohen të ndërrojnë qytet për shkak të punës.

Po ashtu Balla tha se efektivë të policisë të cilët plotësojnë kriteret do të ketë mundësi që të marrin kredi me 0 interes. Balla tha me tej se deri në 2025 do të zgjidhet problemi i strehimit të 900 punonjësve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë