Futboll

Bajerni ndryshon strategji, 19 milionë euro për një minoren

Te Bajerni i Mynihut duket se po nis një epokë e re. Gjiganti gjerman, që njihet si një ndër klubet më të mëdha që nuk bën shpenzime të çmendura, por vetëm afrime të studiuara mirë, tani ka vendosur të ndjekë modelin e anglezëve dhe spanjollëve. Kampionatin gjerman mund ta fitojë shumë rehat me strategjinë e deritanishme, por për të shkuar më tej, për të sfiduar Realin e Madridit, Barcelonën, dy Mançesterët dhe klube të tjerë, duhet bërë diçka më shumë dhe drejtuesit bavarezë tashmë e kanë të qartë. Nuk mund të mjaftohen thjesht duke mbledhur elementët më të mirë të Bundesligës për të pasur ekipin që duan.

Drejtori sportiv i Bajernit, Hasan Salihamixhiç, prezanton sulmuesin e ri

Drejtuesit e Bajernit të Mynihut kanë zyrtarizuar blerjen e 17-vjeçarit kanadez Alfonso Davis dhe për shërbimet e tij do t’i paguajnë skuadrës së Vankuverit 14 milionë euro, plus 5 milionë bonuse. Kurrë më parë klubi bavarez nuk e kishte paguar një shumë kaq të lartë për një minoren, 19 milionë euro. Për një shifër të përafërt (24 milionë bashkë me bonuset), në vitin 2010 Bajerni nuk pranoi të blinte Nejmarin, në atë kohë 17 vjeç dhe tani lojtari më i shtrenjtë në botë.

Në fakt, ka një arsye pse Bajerni ka investuar kaq shumë te djaloshi Davis, i cili ka debutuar me kombëtaren e Kanadasë në moshën 16-vjeçare. Ai është një sulmues anësor, që luan si në të majtë, ashtu edhe në të djathtë. I ngjan më shumë Robenit, duke qenë se është mëngjarash dhe ashtu si holandezi, edhe ai mund të spostohet në qendër për të goditur. Do të bashkohet me Bajernin në janar, kur të ketë mbushur 18 vjeç, kështu që do ta mbyllë sezonin me Vankuverin. Bastian Shvajnstaiger, një legjendë e Bajernit që është ndeshur me Devisin në kampionatin amerikan, është entuziast për këtë goditje. “Ka potencial të madh, është shumë i shpejtë, i fortë fizikisht dhe teknik. Duhet të punojë vetëm për lojën mbrojtëse”, - ka thënë ish-mesfushori i Gjermanisë. Devis do të jetë zvendësuesi i Robenit ose Riberisë te Bajerni, pasi dy veteranët kanë edhe një vit kontratë. Edhe drejtori sportiv i Bajernit, Hasan Salihamixhiç, ka pohuar se është blerë një lojtar me kualitet të lartë, që kërkohej nga klubet më të mëdha në Europë.

Korentin Toliso, blerja më e shtrenjtë e Bajernit

Bajerni historikisht ka qenë shumë i kujdesshëm në blerjet që bën dhe sa shpenzon. Blerja më e shtrenjtë e historisë është francezi Toliso, i afruar në ekip një vit më parë, kur bavarezët paguan 41.5 milionë euro. Në vitin 2010 nuk u ble Nejmar pikërisht sepse u konsiderua e ekzagjeruar kërkesa prej 24 milionësh nga Santosi. Në janar të 2010-ës, agjenti kroat Pedrag Racki, me ndihmën e Trapatonit, që i krijoi kontaktin me Bajernin, ua ofroi brazilianin gjermanëve, por lëvizja nuk u krye. “Marrëveshja nuk u arrit për shkak të kostos së operacionit, - ka treguar më vonë Racki. – Bajerni duhet të paguante në total 24 milionë. Nerlinger, drejtor sportiv i bavarezëve në atë kohë, më tha se do të vazhdonte ta monitoronte Nejamrnin, por nuk ishte dakord të shpenzonte atë shifër për një minoren”. Tani Bajerni ka blerë Alfonso Devis për një shifër të përafërt, që do të thotë se klubi ka ndryshuar strategji.

Alfonso Devis, blera e re e Bajernit, me fanellën e Kanadasë

Prindërit e sulmuesit të ri të Bajernit janë afrikanë. Ata kanë ikur nga Liberia në Ganë për t’i shpëtuar luftës dhe aty, në një kamp refugjatësh, në vitin 2000 lindi Alfonso. Më pas familja e tij shkoi në Kanada dhe te Vankuver Uajtkeps lindi një yll, që tani ka kaluar zyrtarisht në Europë dhe është një nga premtimet më të mëdha të futbollit botëror.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë