Mendim

Autobotet, krimi me ujin e pijshëm dhe Bashkia e Tiranës

Nga Enkeleid Llanaj- Nëse do të thosha tani se meqë  Tirana është mbërthyer nga i nxehti, oraret e ujit të kufizuara, dhe çmimet e larta sa më s’ka në treg, bashkia le t’i lejojë përkohësisht autobotet që të furnizojnë me ujë të pijshëm qytetarët, posaçërisht “lali Eri” që ia njohim gjuhën e komunikimit do të thoshte: “Hyp se të vrava, zbrit se të vrava”.

Dhe ka të drejtë!

Unë personalisht kam qenë producent, pjesë e një grupi në RTSH, që përmes emisionit investigativ “31 minuta” të bashkë financuar më shumë nga ambasada amerikane, e më pas ajo zvicerane dhe holandeze, e kemi denoncuar si akt gati kriminal shpërndarjen e ujit me autobote.

Kemi pasur disa arsye: cilësia e dyshuar e ujit dhe problematika për shëndetin e qytetarëve, biznese informale që s’paguajnë asnjë detyrim, dhe rryshfetin.

Sipas përllogaritjeve tona, ky biznes informal qarkullonte miliona euro në vit. Ne dyshonim se nuk është thjesht një nismë e çdo shoferi që ka një autobot, por aktiviteti i një grupimi që e lejonte dhe kontrollonte gjithë këtë treg që qarkullon miliona euro.

Kërkuam me insistim nga institucionet; Policia Bashkiake, Bashkia e Tiranës, institucionet e tjera të  vendit që menaxhojnë ujin dhe asnjë nuk merrte përsipër as të shpjegonte pse ndodhte ky fenomen dhe as ta ndalonte. Të gjithë justifikoheshin me kompetencat e kufizuara që nuk i parashikonte apo nuk ua lejonte ligji.

Por dje ne publikuam një lajm ku një task forcë me përbërje të ujësjellësit dhe Policisë Bashkiake bllokonin autobotet e ujit. Megjithëse nuk e kuptoj shumë mirë se çfarë lidhje ka uji që mbushet në burimet e Dajtit që derdhet në gjendje të lirë me aksionin kundër lidhjeve të paligjshme, sërish e pranoj se jam ndier mirë që pas kaq vitesh institucionet e shurdhra u kujtuan për fenomenin e shpërndarjes së ujit me pagesë nëpër familje nga bizneset private të autoboteve. Megjithëse e marr me mend, nuk e vërtetoj dot me fakt se pse Bashkia e Tiranës u kujtua pas kaq vitesh të ndërhynte.

Unë sërish dyshoj se furnizimi me ujë posaçërisht në Tiranë, ka mbetur peng jo vetëm i paaftësisë për të menaxhuar dhe zgjidhur problemin nga bashkitë, ku kjo e udhëhequr nga Erion Veliaj ka një barrë të madhe të fajit për shkak të kohës së gjatë në post, por edhe për interesa thellësisht financiare private. Jo më kot autobotet e ujit bridhnin lirisht dhe arkëtonin miliona euro. Ndërkohë të tjera miliona euro nuk janë mbledhur nga shpërdorimi, vjedhja dhe mosarkëtimi i konsumit të ujit. Të tjera para janë shpenzuar nga qytetarët për blerje depozitash dhe pompash dhe mirëmbajtjen e tyre. Të gjithë këto para nëse sistemi publik i ujit të pijshëm do të ishte miradministruar, do të siguronin financime të konsiderueshme për të zgjidhur njëherë e mirë furnizimin 24 orë në ditë, shumë kohë më parë.

Unë ende nuk kam besim të plotë se do të mund t’ia dalin me këtë sjellje. Aksionet periodike, si task forca e këtyre ditëve mund të japin efektet minimale dhe nuk janë zgjidhja në rrënjë e problemit.

Para disa javësh Gazeta “Si” si pjesë e projektit të UNESCO “Unë bëjë Fact–Checking” publikoi një material që vë në pikëpyetje afatet e vëna për zgjidhjen e problemit të ujit të pijshëm, duke dëshmuar për premtime të pambajtura në kohë.

Ndërkohë që UKT që ka pasur të punësuar si specialistë edhe kolegë të mi gazetarë reklamon në media për ujë 24 orë në Tiranë, dhjetëra familje të tjera, veçanërisht me të ardhura të ulëta, do të detyrohen ta blejnë ujin e pijshëm dhe më shtrenjtë se më parë. Autobotet mund të ikin, po paratë janë po aty, thjesht kanë ndërruar xhep.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë