Treg

Rreth 65 % e ujit të përdorur nuk arkëtohet, gjysma e popullsisë pa kanalizime

Në raportin e Enti Rregullator të Ujit, ERRU, që ka mbërritur në Kuvend, thuhet se për vitin 2021, vetëm 10 shoqëri ujësjellësash ofrojnë furnizim me ujë pa ndërprerje dhe me cilësi të lartë dhe këtu nuk përfshihet kryeqyteti.
“Pjesa dominuese e shoqërive, 34 prej tyre ofrojnë furnizimin me ujë në nivele relativisht të mira 10-22 orë në ditë”.
ERRU vë në dukje se mbulimi i banorëve me ujë të pijshëm është në masën 77%, por ka shumë shoqëri aksionere që kanë raportuar shifra më të ulëta se vitin paraardhës që në total kjo ulje shkon rreth 29,753 banorë.
Ndërkohë, kohëzgjatja e furnizimit me ujë është një tregues, në 2021 mbetet në të njëjtin nivel 13.79 orë/ditë me vitin 2020.
Një tjetër performancë e dobët e shoqërive të ujësjellës-kanalizimeve në vend është treguesi i humbjeve në rrjet.
“Niveli i ujit pa të ardhura gjatë vitit 2021 ka pësuar një ulje të lehtë, por sërish vazhdon të jetë në nivele shumë të larta, duke shkaktuar kështu edhe vështirësi në mbulimin e kostove të operimit dhe mirëmbajtjes për shoqëritë e ujësjellës kanalizimeve”, thuhet në raportin vjetor të ERRU.
Sipas të dhënave në këtë raport, uji që nuk arkëtohet përllogaritet në nivelin 64.7%, për të cilin Ujësjellës Kanalizimet dhe ky tregues është pakësuar me vetëm 1% krahasuar me një vit më parë.
Nga ana tjetër kostot për të paktën 12 ujësjellësa janë rritur edhe pse numri i punonjësve aty u rrit me vetëm 11 vetë në 2021 krahasuar me 2020. Sipas ERRU, rritja e kostove të punës ka ardhur kryesisht për shkak të rritjes së nivelit të pagës minimale nga qeveria qendrore, që ka hyrë në fuqi në janar të vitit 2021.
Një shqetësim tjetër për ERRU mbetet mbulimi me kanalizimet, ku për vitin 2021 ka pasur një përmirësim të papërfillshëm, ndërsa niveli total është në masën 51.9%, pra pak më shumë se gjysma e popullsisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë