Shkencë

Lufta bërthamore dhe keqpërdorimi i AI, kërcënime për ekzistencën e njerëzimit deri në vitin 2100

Lufta bërthamore dhe përdorimi keqdashës i inteligjencës artificiale (AI) mund të rrezikojnë ekzistencën e njerëzimit gjatë 75 viteve të ardhshme. Paralajmërimi vjen nga një studim i ri i publikuar në revistën prestigjioze The Lancet, i cili identifikon 17 kërcënime globale për shëndetin e njerëzimit.

Në listën e rreziqeve përfshihen gjithashtu ndryshimet klimatike, pandemitë, rezistenca ndaj antimikrobikëve, pabarazia ekonomike, obeziteti, duhani dhe problemet e shëndetit mendor.

Sipas studiuesve, pasojat e një konflikti bërthamor nuk kufizohen vetëm te shpërthimet dhe shkatërrimet, por përfshijnë edhe urinë masive. Ndërsa keqpërdorimi i AI-së mund të përfshijë zhvillimin dhe përdorimin e armëve biologjike.

Studimi u realizua nga një komision prej 37 ekspertësh të shëndetësisë, ekonomisë, sigurisë dhe teknologjisë, të cilët analizuan të dhëna nga 204 vende dhe territore për periudhën 2025–2100.

Vlerësimi tregon se kërcënimet janë të ndërlidhura dhe mund të shkaktojnë humbje të mëdha të viteve të jetës së shëndetshme. Obeziteti, sipas analizës, përbën barrën më të madhe kumulative të parashikuar dhe të parandalueshme.

Ekspertët u bëjnë thirrje qeverive të investojnë në sisteme shëndetësore më të përgatitura, teknologji të reja dhe monitorim të vazhdueshëm të rreziqeve globale. Ata theksojnë gjithashtu nevojën për bashkëpunim ndërkombëtar, në vend që shtetet t’i trajtojnë këto sfida të izoluara nga njëra-tjetra.

Komisioni synon ta përditësojë vlerësimin çdo vit, duke përfshirë të dhëna të reja dhe kërcënime që mund të shfaqen. Mesazhi kryesor i studiuesve është se veprimi i hershëm dhe bashkëpunimi global janë thelbësorë për të parandaluar skenarët më të rëndë për të ardhmen e njerëzimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë