Njerez

“Asnjë emigrant s’ka 40 vjet këtu”. Shqiptarët mes ankthit të pensioneve e protestave në Greqi

“Jetoj në Selanik prej më shumë se 12 vitesh. Për pak dal në pension, por nuk di ç’do të ndodhë me mua.”

Lirie Shuli është vetëm një nga mijëra emigrantët shqiptarë në Greqi që, nën skemën e re të propozuar nga qeveria, nuk do të mund të marrë pension, pasi nuk kanë qenë rezident për 40 vite në vendin fqinj.

Bashkëshorti i saj dhe më pas djemtë, shkuan në Greqi që pas hapjes së kufijve, ku punuan disa punë njëkohësisht për disa vite në tregun e zi për të mbledhur të ardhura për jetën e re që i priste. Pasi Liria iu bashkua bashkëshortit dhe djemve në Greqi, ata morën një shtëpi me qera në Selanik, ku edhe ajo punoi për disa kohë pa sigurime, duke e vështirësuar edhe më shumë situatën e saj.

Liria vazhdon të jetojë në të njëjtën shtëpi, buzë detit dhe është integruar plotësisht në shoqërinë greke. Por ndryshe nga miqtë e saj grekë, për të cilët na rrëfen se pinë kafenë bashkë çdo pasdite, as ajo dhe as bashkëshorti i saj nuk mund të marrin pension.

Lirie Shuli, me një nga mbesat, pranë shtëpisë në Selanik

“Asnjë shqiptar që njoh nuk ka jetuar në Greqi për 40 vjet”, i thotë ajo Gazetës "Si". “I gjithë brezi im erdhi pas rënies së sistemit. Me aq sa kemi parë në televizor, i bie që të gjithë ne të mos marrim pension”, vazhdon Liria.

Reforma e prezantuar nga qeveria e kryeministrit Qiriako Mistotaqis penalizon - përveç të tjerëve - në mënyrë të drejtpërdrejtë të gjithë brezin e parë të shqiptarëve që emigruan në Greqi, të cilët e patën edhe më të vështirë të ndërtonin një jetë të re në vendin fqinj, pasi vinin nga vendi më i izoluar në Europë. Me këtë vendim duket edhe më e largët dita që Greqia të njohë vitet e punës për emigrantët shqiptarë që kanë punuar në vendin fqinj.

“Them të paktën të marrin çunat, kur të vijë ajo kohë, se ata do i plotësojnë 40 vite punë këtu”, thotë Liria për Gazetën, duke shtuar se që kur u zhvendosën në Selanik, djemtë e saj nuk kanë punuar as edhe një ditë pa sigurime. “Nuk e kanë pasur të nevojshme, por edhe sikur ta kishin, nuk do t’i lejoja. Ne i kemi paguar të gjitha taksat dhe detyrimet një më një, më shumë se grekët”, thotë 54-vjeçarja.

Reforma e re e qeverisë greke për pensionet ka alarmuar jo vetëm mijëra shqiptarët që jetojnë dhe punojnë në Greqi, por edhe minoritarët grekë, pasi edhe ata nuk kanë qene rezidentë për 40 vite.

Protesta kundër skemës së re të penioneve, Gazeta "Si", 2020

Sipas kësaj reforme, të cilën qeveria e Qiriakos Mitsotaqis e prezantoi të hënën në parlament, minoritarët grekë por edhe emigrantët që nuk janë rezidentë prej 40 vitesh, përjashtohen nga pensioni. Kjo skemë, për të cilën partia e majtë Syriza është zotuar se nuk do të kalojë në parlament, është pritur me protesta të shumta nga sindikatat e punëtorëve, emigrantët, minoritarët, por edhe qytetarë të zakonshëm.

Në shenjë proteste, Athina ka pezulluar këtë të martë të gjithë transportin publilk. Autobusët si dhe shërbimet e metrosë dhe tramvajit janë hedhur në një grevë 24-orëshe kundër projektligjit të qeverisë. Sindikatat po zhvillojnë gjithashtu një protestë në Sheshin Klafthmonos në qendrën e qytetit, ndërkohë që të tjera organizata po organizojnë mitingje të ndara në disa zona të Athinës. Po ashtu spitalet publike do të operojnë me staf të reduktuar, pasi shumica e infermierëve janë hedhur gjithashtu në grevë.

Ministria e Punës paraqiti të hënën projektligjin, të cilit i kishte bërë disa ndryshime të parëndësishme, por që në thelb skualifikonte të gjithë ata që nuk kanë qenë rezidentë në Greqi për 40 vite nga marrja e pensionit.

Protesta kundër skemës së re të penioneve, Gazeta "Si", 2020

“Ka pasur shumë protesta, sidomos nga minoritarët”, i thotë Liria Gazetës "Si". “Jo vetëm ne, por edhe grekët janë kundër”.

Përveç shqiptarëve, projektligji do të prekte minoritarët grekë nga Shqipëria që paguajnë kontribute të sigurimeve shoqërore në Greqi. Ata mbajtën një protestë në qendrën e Athinës të enjten për të kërkuar të drejta të barabarta pensioni me grekët e tjerë.

Lajmi mbi ndryshimin e skemës së pensioneve erdhi pasi këngëtari grek Christos Mastoras, i cili ka lindur në një fshat të vogël në Jug të Shqipërisë, shprehu shqetësimin e tij për propozimin e qeverisë në një postim në Facebook.

Kryeministri Kyriakos Mitsotakis e thirri Mastoras të enjten për ta informuar atë për ndryshimet e projektligjit, por kjo nuk i ka ndalur protestat.

“Të gjithë jemi të shqetësuar shumë”, thotë Liria.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë