Në luginën kufitare të Preshevës, as shqiptarët dhe as serbët nuk po u kushtojnë shumë vëmendje raporteve për ndryshimin e kufijve midis Serbisë dhe Kosovës. Ata janë shumë të zënë në përpjekjet e përditshme për të mbijetuar.
Si një nga rajonet më të varfra të Serbisë, Presheva u përfshi në një konflikt të përgjakshëm në vitin 2001 kur një pjesë e shqiptarëve rrëmbyen armët duke kërkuar të bashkoheshin me Kosovën fqinjë, por u përballën me një përgjigje të dhunshme nga ana e autoriteteve serbe.
Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në 2008, por nuk është njohur ende zyrtarisht nga Beogradi. Por këtë verë, presidentët Hashim Thaçi t dhe Aleksandar Vuçiç hodhën në tavolinë tezën e shkëmbimeve territoriale për të zgjidhur mosmarrëveshjet mes dy vendeve. Ata kanë sugjeruar shkëmbimin e Veriut të Mitrovicës, të banuar kryesisht nga serbët me Luginën e Preshevës, një zonë me shumicë shqiptare në Jug të Serbisë.
Nga 75,000 banorët e Luginës, rreth 60,000 prej tyre besohet të jenë shqiptarë, pavarësisht bojkotimit të regjistrimeve të organizuara nga Beogradi. E vendosur mes Serbisë, Maqedonisë dhe Kosovës, Lugina vazhdon të jetë e gjunjëzuar nga papunësia e lartë dhe e përndjekur nga shërbimet serbe të sigurisë. Megjithëse nuk ka shifra zyrtare, në Luginë janë vendosur qindra ushtarë dhe policë.
Të gjitha kompanitë e mëdha të epokës jugosllave, si fabrika "Grafofleks", firma tregtare "Buducnost" dhe një fabrikë për prodhimin e duhanit, janë zhdukur. Papunësia ka arritur tanimë në 70 për qind, ndërkohë që paga mesatare mezi arrin në 100 euro. Fasadat e shkatërruara të Preshevës janë të parat që dëshmojnë mjerimin mes të cilit jetojnë banorët.
Në qytetin e Bujanocit, ku fabrika e ujit mineral Heba është e vetmja që ofron vende pune, paga mesatare arrin në 200 euro, sa gjysma e pagës mesatare në pjesën tjetër të Serbisë.
"Pa perspektivën e punës, të gjithë do të përfundojmë duke u larguar", thotë Jonuz Kamberi, një 24 vjeçar shqiptar. Ai u tregua fjalëpak kur u pyet për shkëmbimet e territoreve. "Gjithsesi, ata nuk do të më pyesin për mendimin tim", tha ai.
Një shkëmbim territoresh do të ishte "budallallëk", argumenton Bratislav Trajkoviq, një 64 vjeçar serb nga fshati i Reljanit. "Ajo që na duhet është puna, dhe të gjithë, si serbët dhe ashtu shqiptarët, mendojnë të njëjtën gjë", shtoi ai.
Ndërkohë, Kosova dhe Serbia janë nën presion nga Brukseli për të arritur një marrëveshje përfundimtare.
Serbia po negocion për t'u bashkuar me BE-në, ndërkohë që Kosova dëshiron të nisë bisedimet e anëtarësimit në bllokun europian dhe të jetë pjesë e Kombeve të Bashkuara.
Në Slavujevc shumica e banorvrë janë serbë. Pesëdhjetë e pesë vjeçari Stojan Nedeljkoviç tha se besonte se ndryshimi i kufijve "nuk do të zgjidhë ndonjë problem, as për serbët as për shqiptarët".
“Shqetësimi jonë kryesor është se njerëzit nuk kanë më çfarë të jetojnë”, shtoi Nedelkoviç, baba i papunë i pesë vajzave.
"Një fabrikë do të ndryshonte gjithçka”, thotë shoku i tij. Por nëse asgjë nuk ndryshon të gjithë të rinjtë do të largohen", shtoi ai, duke rrëfyer se punon në një fabrikë të drejtuar nga një shqiptar.
Nga 130 shtëpi në Slavujevac, rreth 40 prej tyre janë bosh ndërsa në të tjerat banohen nga të moshuar.
Armend Aliu, zëvendës-kryetari i komunës së Preshevës, tha se shteti serb " po injoron kërkesat e thjeshta të banorëve", duke filluar nga ndërtimi i disa objekteve industriale për të tërhequr investitorët, ndërtimin e një kalimi të ri kufitar me Maqedoninë dhe libra shkollorë në gjuhën shqipe. “Mosveprimi i Beogradit mund të nxisë aspiratat nacionaliste”, tha ai.
Por, patriotizmi duket se ka lënë në vështirësi Fadilin, një shqiptar që u zhvendos në Bujanoc në vitet '60.
"Pensioni im në Serbi është 300 euro, por më kanë thënë se në Kosovë do të jetë rreth 50 euro", tha ai.
Rreth njëqind kilometra në veriperëndim të Kosovës, Nazmi Aliu, një zjarrfikës që ka dalë në pension, kishte frikë se ndryshimi i kufijve do ta vinte nën sundimin e Beogradit.
Aliu jeton në Suhodoll, një fshat shqiptar në rajonin e Mitrovicës se Veriut. Rajoni i banuar kryesisht nga serbët ka një gjë të përbashkët me Preshevën: varfërinë.
Investimet e mëdha të sektorit privat mungojnë në rajon dhe të vetmet ndihma vijnë kryesisht nga donatorët ndërkombëtarë dhe agjencitë qeveritare.
Adnan Jusufi, një i ri i papunë, tha se një shkëmbimet territoriale do ta bënin situatën edhe më keq. Ai dyshon se Serbisë do t’i interesojnë shqiptarët që banojnë në Mitrovicë.
“Shqiptarët këtu nuk kanë punë, nuk kanë shkolla dhe varen nga kujdesi qeveritar", tha ai./AFP/
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.