Analize

Askush nuk e di çfarë po diskutojnë Kosova dhe Serbia në Bruksel

Një vit më parë, e gjithë skena politike në Kosovë ishte e shqetësuar për atë po diskutohej në  dialogun e udhëhequr nga SHBA-ja, mes shqetësimeve se presidentë Hashim Thaçi dhe Aleksandër  Vuçiç kishin hedhur në tryezë idenë e shkëmbimit të territoreve. Por edhe pse ky dialog i udhëhequr nga i dërguari Special Richard Grenell ka rezultuar me një marrëveshje, praktika e mos transparencës lidhur me negociatat ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, vazhdon, por kësaj radhe ne Bruksel.

Ndërkohë që kryeministri Hoti u takua me Vuçiç në Bruksel të dielën, mediat dhe ekspertët në Prishtinë ngritën alarmin për perden e misterit që rrethonte negociatat, pasi anjëra palë nuk pranonte të deklaronte se ku po përqendroheshin bisedimet. Zyrtarët e BE-së tashmë kanë theksuar se Kosova dhe Serbia kanë harmonizuar qëndrimet për disa tema.

Dialogu në mes palëve në Bruksel ka rinisur më 16 korrik dhe ai po ndërmjetësohet nga Bashkimi Europian. Kryeministri Hoti dhe presidenti i Serbisë janë takuar për herë të dytë më 7 shtator.

Ajo që dihet me siguri është se në takimet e mbajtura në Bruksel janë hapur temat për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, një lajm që nuk është pritur mirë në Prishtinë,

Analistja Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë në proces negociator do të ekzistojë gjithmonë baraspesha ndërmjet konfidencialitetit dhe transparencës. Sipas saj, kjo është e dukshme edhe në dialogun që po ndodh në Bruksel. Por, siç thotë ajo, në këtë proces nuk po shihet ajo për të cilën ka folur ndërmjetësuesi i tij, Mirosllav Lajçak, i cili ka kërkuar nga të dyja palët që të përgatisin shoqëritë e tyre rreth marrëveshjes.

“Kjo mbështetje e qytetarëve rreth procesit është vështirë të arrihet kur nuk kemi informacione rreth procesit në përgjithësi. Tani ne jemi duke marrë informacione të pakta dhe i marrim në momentin kur ato nuk janë të vazhdueshme. Mungon transparenca, mungon një informim më i rregullt dhe përmbajtësor ndaj qytetarëve. Kjo duhet të ndryshohet, pasi nuk duhet të rrezikohet që të shkohet drejt arritjes së një marrëveshjeje, e cila arrihet dhe më pas do të jetë vështirë të kalohet në kuvend, por do të jetë e vështirë që të mbështetet nga qytetarët”, tha Krasniqi.

Analisti i çështjeve politike, Blerim Vela thotë nga ana tjetër se procesi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, që nga viti 2015, është shoqëruar nga mungesa e transparencë. Kjo praktikë e mostransparencës totale, por edhe e mospërfshirjes së kuvendit në procesin e dialogut, përveç në fazën finale, sipas tij, po vazhdon ende nga Qeveria aktuale e Kosovës.

Por, siç thotë Vela, Bashkimi Europian ka nxjerrë një mësim nga e kaluara e tillë në Kosovë, kur ka pasur mjaft vështirësi për ratifikimin e Marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi. Kjo nënkupton që kuvendi dhe opinioni publik duhet të informohet që në fazat e hershme të negociatave, në mënyrë që të mos prodhohen konflikte të mëdha brenda skenës politike.

“Tani mbetet të shihet se a është vetëm një informim që është bërë në fillim rreth strukturës së procesit apo ka pasur edhe diskutime përmbajtësore. Por, gjithsesi është obligimi i qeverisë që ta njoftojë kuvendin dhe opinionin publik me atë se çfarë po ndodh në Bruksel apo në Uashington. Kjo është shqetësuese, sepse në qoftë se kërkohet ratifikimi i një marrëveshjeje përfundimtare në kuvend, gjasat janë që kjo qeveri nuk e ka shumicën e mjaftueshme që ta bëjë atë. Pastaj, do të ketë pasoja për Kosovën, qoftë siç ndodhi në vitin 2015 dhe mund të kemi përsëritje të skenave që patën ndodhur brenda Kuvendit të Kosovës”, theksoi Vela.

Bajram Qerkini, drejtuesi i shoqatës “Zëri i prindërve”, qendër kjo e familjarëve të personave të pagjetur në Kosovë, thotë se me gjithë interesimin e familjarëve që i përfaqëson, që të kuptojnë detajet për të cilat janë pajtuar palët në Bruksel, veçanërisht lidhur me temën e të pagjeturve, nuk ka marrë asnjë informacion nga Qeveria e Kosovës.

“Jo fare. Asnjë gjë nuk e dimë. Përveç atyre që i kemi dëgjuar në media. Asnjë gjë nuk dimë e as që të themi se ka qenë dikush apo që ka tentuar të vijë dikush. Ne kemi bërë pyetje dhe kemi kërkuar që të kemi takime. Na kanë thënë që nuk mund të mbajmë takime dhe askush nuk na ka informuar se çfarë ka bërë Hoti me Vuçiqin. Nuk dimë asgjë”, theksoi Qerkini.

Deri më tani, përveç paralajmërimit të temave për të cilat bisedohet, opinioni në Kosovë nuk është i informuar për detajet e Brukselit.

Koordinatori shtetëror i Kosovës për dialog me Serbinë, Skender Hyseni, thotë se dy palët po bisedojnë edhe për pretendimet e përbashkëta financiare dhe pronësore”, por askush nuk e si se për cfarë bëhët fjalë. “Do t’i merrni të gjitha informatat. Ne ende nuk kemi filluar bisedimet për këtë temë”, tha ai.

Edhe zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano deklaroi për mediat se Brukseli nuk ofron detaje për përmbajtjen e diskutimeve, ndërkohë që procesi është në vazhdim e sipër”.

Analistja Krasniqi thotë se procesi i dialogut Kosovë Serbi ende nuk ka arritur te pika e marrëveshjes përfundimtare. Prandaj, sipas saj, duke marrë parasysh përvojën e kaluar kur marrëveshjet e arritura me proces jo transparet kanë hasur problem për ratifikim në kuvend, si dhe që ta marrin mbështetjen e gjerë të publikut, atëherë Qeveria e Kosovës, duhet ta ndryshojë qasjen.

“Ky proces duhet të ndërtohet në një format tjetër sepse është një proces, i cili – e kemi parë edhe në të kaluarën – nuk mund të shkojë në formatet ku të gjitha diskutimet bëhen brenda një rrethi të ngushtë dhe ndërtohen vetëm nga një rreth i ngushtë. Duhet të ketë më shumë gjithëpërfshirje, në mënyrë që (marrëveshjet) të jetë afatgjata dhe në mënyrë që të jenë të zbatueshme. Për ne nuk është e rëndësishme marrëveshja, por që nëpërmes marrëveshjes të arrijmë qëllimet tona”, theksoi Krasniqi.

Analisti Vela, shpreh mendimin që Qeveria e Kosovës, bazuar nga praktika e deritashme, po tenton t’i mbajë në heshtje përballë opinionit të gjitha detajet e negociatave në Bruksel, deri në arritjen e marrëveshjes përfundimtare, pavarësisht nëse spektri politik dhe opinioni publik pajtohen ose jo me të.

“Unë mendoj që Qeveria e Kosovës, me këtë qasje, rrezikon që ta vendosë veten, por edhe Kosovën, para faktit të kryer”, u shpreh Vela.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë