Shendet

Asistentët zanorë pengojnë zhvillimin social dhe njohës të fëmijëve

Nga kujtimi i të vegjëlve që të shkojnë në tualet deri tek tregimi i historive para gjumit dhe përdorimi si "partner bisede", pajisjet inteligjente të aktivizuara me zë po përdoren për të ndihmuar fëmijët pothuajse që nga dita e lindjes së tyre.

Por rritja e shpejtë e asistentëve zanorë, përfshirë Google Home, Amazon Alexa dhe Siri të Apple, mund të ketë një ndikim afatgjatë në zhvillimin social dhe konjitiv të fëmijëve, veçanërisht në aftësitë e tyre të ndjeshmërisë, dhembshurisë dhe të menduarit kritik.

“Ndikimet e shumta te fëmijët përfshijnë përgjigjet e papërshtatshme, pengimin e zhvillimit social dhe pengimin e mundësive të të mësuarit”, tha Anmol Arora, bashkëautor i hulumtimit të botuar në revistën Archives of Disease in Childhood.

Një shqetësim kryesor është se fëmijët i atribuojnë karakteristikat dhe sjelljen njerëzore pajisjeve që janë "në thelb një listë fjalësh dhe tingujsh të trajnuar të përziera së bashku për të krijuar një fjali".

Fëmijët kopjojnë dhe më pas imitojnë pajisjet, duke kopjuar edhe dështimin e tyre për të ndryshuar tonin, theksimin ose intonacionin e tyre. Një problem tjetër është mungesa e pritjes automatike të asistentëve që fëmijët të thonë “të lutem” ose “faleminderit”.

Pajisjet janë gjithashtu të kufizuara në llojet e pyetjeve të cilave mund t'u përgjigjen.

"Si rezultat fëmijët do të mësojnë forma shumë të shkurta të pyetjeve dhe gjithmonë në formën e një kërkese".

Probleme ka edhe me njohjen e thekseve të ndryshme.

"Nëse një fëmijë është veçanërisht i vogël, ai mund të mos jetë në gjendje të shqiptojë fjalë të veçanta siç duhet dhe atëherë ekziston rreziku që fjalët e tyre të keqinterpretohen dhe të ekspozohen ndaj diçkaje të papërshtatshme", tha Arora, duke përmendur një shembull ku një 10-vjeçare u ekspozua ndaj një sfide në internet ku iu tha të prekte një prizë me një monedhë.

“Këto pajisje nuk e kuptojnë atë që po thonë”, tha ai.

"Gjithçka që ato po bëjnë është të rikthejnë disa informacione në përgjigje të një pyetjeje të shkurtër, të cilën mund ta ketë keqkuptuar gjithsesi”.

Doktor Adam Miklosi, i cili kohët e fundit botoi një studim që tregon se përdorimi i telefonave inteligjentë po prek trurin e fëmijëve me efekte afatgjata, e quajti kërkimin "të rëndësishëm" dhe tha se duhet bërë më shumë për t'i bërë kompanitë ta marrin seriozisht këtë çështje.

"Për momentin, këto pajisje janë shumë primitive sepse njerëzit që i zhvillojnë ato nuk kujdesen për ndërveprimin njerëzor ose ndikimin e tyre në zhvillimin e fëmijëve", tha ai.

“Ata e dinë se si të rriturit i përdorin këto pajisje, por mënyra se si fëmijët i përdorin ato dhe ndikimi që kanë tek fëmijët është shumë i ndryshëm”, shtoi ai.

"Ne kemi nevojë për shumë më tepër kërkime, si dhe udhëzime etike për përdorimin e tyre nga fëmijët".

Por Doktoreshë Caroline Fitzpatrick, Kryetarja e qendrës Kërkimore e Kanadasë në përdorimin e mediave dixhitale nga fëmijët tha se ka pak vend për t’u shqetësuar.

“Është e vërtetë që fëmijët kanë nevojë për një kontekst të pasur dhe sugjerime për të mësuar dhe zhvilluar fjalorin, të cilin për momentin, ata nuk mund ta arrijnë përmes ndërveprimeve me teknologjinë, sepse ajo ofron vetëm informacion, mjete dhe kontekst shumë minimal”, tha ajo.

ajo thotë se për sa kohë që prindërit mbajnë kufijtë e rekomanduar për fëmijët dhe ata po marrin një sasi të shëndetshme ndërveprimi nga prindërit dhe bashkëmoshatarët e tyre, “atëherë nuk mendoj se duhet të ketë arsye për alarm”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë