Futboll

Artan Mërgjyshi kthehet në stol, emërohet trajner i Laçit

Nga Fatjon Rupi - Vetëm pak ditë qëndroi bosh stoli i Laçit, pas largimit të Besnik Prengës, i cili e drejtoi skuadrën kurbinase vetëm në katër ndeshjet e Europa League. Artan Mërgjyshi është pasuesi i tij, pasi presidenti i Laçit, Pashk Laska, e ka bërë zgjedhjen e tij. Mërgjyshi kthehet kështu të drejtojë një skuadër pas përvojave që ka pasur me Dinamon, Besën, Apoloninë dhe Korabin. Ai vlerësohet si një nga trajnerët që punojnë mirë me lojtarët me moshë të re, që Laçi i ka të shumtë dhe strategjia e tij është për t’u mbështetur tek ata.

Sezonin e kaluar Laçi u drejtua nga trajneri vlonjat, Gentian Mezani, i cili pati sukses, pasi skuadra siguroi një vend në Kupat e Europës nga kampionati dhe shkoi deri në finale të Kupës së Shqipërisë, ku u mund nga Skënderbeu. Por më pas Mezani u largua, siç deklaroi vetë, për arsye personale, ndërsa drejtimin e Laçit e mori Besnik Prenga, ish-futbollisti i Partizanit, që si trajner ka punuar në Kroaci. Marrëveshja e tij me drejtuesit e klubit kurbinas ishte vetëm për ndeshjet europiane, ku Laçi arriti të kalonte turin e parë në Europa League, duke eliminuar qipriotët e Anorthosisit, ndërsa në turin tjetër u eliminua nga Molde.

Trajneri Artan Mërgjyshi

Plotësohet kështu edhe stoli i vetëm i mbetur bosh në 10 skuadrat e Superligës. Kampionati nis më 19 gusht, por trajneri i ri i Laçit, Artan Mërgjyshi, do të debutojë më 12 gusht, kur do të zhvillohet finalja e Superkupës së Shqipërisë. Kurbinasit do të diskutojnë trofeun e parë sezonal në këtë ndeshje, ku përballë do të kenë Skënderbeun, që nuk është më ai i pari dhe shanset për fitore janë të mëdha. Një sfidë e re nis për trajnerin Mërgjyshi, i cili tani ka mundësinë të drejtojë një nga skuadrat më të mira të elitës së futbollit shqiptar.

Ndër 10 trajnerët e skuadrave të Superligës, dy prej tyre janë të huaj: slloveni i Luftëtarit, Milosh Kostiç, si dhe braziliani i Tiranës, Ze Maria. Interesant është fakti se vetëm ky i fundit është në stolin e një skuadre që nga sezoni i kaluar, pasi 9 të tjerët janë debutues në kampionatin e Superiores. Bledi Shkëmbi, Orges Shehi dhe Bledar Devolli drejtojnë për herë të parë një ekip në Superiore, përkatësisht Teutën, Skënderbeun dhe Kamzën. Gjithmonë duke iu referuar kampionatit, Ilir Daja debuton në stolin e Flamurtarit, Skënder Gega në stolin e Partizanit, Armando Cungu në stolin e Kukësit (ka qenë edhe disa sezone më parë te ky ekip), Elvis Plori në stolin e Kastriotit, Milosh Kostiç në stolin e Luftëtarit dhe Artan Mërgjyshi në stolin e Laçit.

Bledi Shkëmbi dhe Orges Shehi, dy nga trajnerët debutues në Superiore

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë