Ne rrjet

Arrestohet Prokurorja Speciale në Shkup, pritet ndalimi i dy politikanëve

Pak kohë pas publikimit të audio-përgjimeve nga gazeta italiane “La Verita”, policia në Maqedoninë e Veriut ka arrestuar Prokuroren Speciale Katica Janeva në shtëpinë e saj në Shkup. “Alsat M” shkruan se përveç Janevës pritet të arrestohen edhe tre persona të tjerë, mes tyre mund të ketë edhe dy politikanë. Hetimet do të tregojnë edhe veprimtarinë e djalit të Katica Janevës.

Pas arrestimit të saj, Prokuroria për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit doli në një deklaratë për mediat duke theksuar se prokurorja kishte tejkaluar kompetencat duke përfituar të mira materiale për vete dhe për persona të tjerë”.

Arrestimi i saj vjen pasi gazeta italiane “La Verita” ka publikuar disa përgjime që hedhur dritë mbi bazat e korruptuara mbi të cilat është ngritur Prokuroria Speciale në Shkup, një institucion i ngjashëm me SPAK në Shqipëri, i cili besohej se do t’u kthente qytetarëve të Maqedonisë së Veriut besimin e humbur tek drejtësia.

Dy video të publikuara nga një gazetë italiane, të cilat tregonin disa të dyshuar që largohen nga shtëpia e një biznesmeni me çantat plot me para ka përforcuar dyshimet e publikut për funksionimin e Drejtësisë ndërkohë që qeveria dhe opozita po fajësojnë njëra-tjetrën për skandalin që mori përmasa ndërkombëtare.

Të dyshuarit marrin para nga biznesmeni Orce Kamçev, njeri i afër i ish-kryeministrit Nikolla Gryevski për të ndërhyrë në hetimin e cështjes së shumë përfolur, “Perandoria”.

Në videon e dytë të publikuar nga gazeta italiane, biznesmeni Kamçev, dëgjohet duke folur me një prej të dyshuarve që i ka dhënë çantat me para për ta mbyllur hetimin e nisur kundër tij, Bojan Jovanovski, i njohur Boki 13.

Ky i fundit i kërkon shpjegim pse paratë janë me kartëmonedha 50 eurosh dhe jo më shumë, duke shprehur dyshimin se mos bëhet fjalë për ndonjë mashtrim, por Kamçev përgjigjet se në bankë nuk ka mundur të gjejë bankënota më të mëdha.

Katica Janeva, Gazeta Si, 21 gusht 2019

Gjatë bisedës Boki-Kamçev dëgjohet edhe një zë gruaje, e cila i thotë biznesmenit: “mos u shqetëso, çdo gjë do të jetë në rregull!”. Ky zë duket të jetë i gruas që u vendos nga Bashkimi Europian për të vënë prapa hekurave të gjithë elitën e korruptuar të Maqedonisë së Veriut, Prokurores speciale Katica Janeva.

Nëpërmjet një reagimi me shkrim, ajo e ka pranuar se zëri në bisedën e përgjuar është i saji, por thotë se nuk ka lidhje me hetimet e hapura ndaj biznesmenit të njohur. Janeva mes tjerash shprehet se detyra e një prokurori është të flasë me të gjithë të dyshuarit

Por asnjë prej argumenteve të saj nuk e kanë bindur opinionin publik ose opozitën. Partia kryesore e opozitës ka akuzuar qeverinë e udhëhequr nga Social Demokratët për korrupsion dhe bëri thirrje për zgjedhje të parakohshme.



Fakti që djali i Janevës ishte një nga manaxherët e shoqatës bamirëse në emrin e Boki 13 nuk bëri gjë tjetër veçse e përkeqësoi situatën e prokurores, e cila, pa pranuar ndonjë përgjegjësi, dha gojarisht dorëheqjen, por duke qëndruar në detyrë deri në emërimin e zëvendësuesit që do të vendoset nga kryeministri.



Por skandalit të madh që ka mbërthyer sistemin e drejtësisë në Maqedoninë e Veriut nuk i ka shpëtuar as vetë kryeministri Zoran Zaev, e cili është akuzuar tanimë se ka bashkëpunuar me Janevën për të shpëtuar nga burgu një biznesmen të njohur.
Në video-përgjimin e tretë të publikuar nga e përditshmja italiane “La Verita”, Boki 13 mburret për miqësinë e tij me kryeministrin Zaev dhe i tregon fotot me të në televizionin e tij.

Boki i siguron biznesmenit mbështetjen e kryeministrit maqedonas, duke thënë se ai nuk do të kundërshtojë në asnjë mënyrë vendimin e marrë nga Prokuroria. Ai thotë ndër të tjera se po ashtu e ka takuar Zaevin personalisht ato ditë që është bërë dhe regjistrimi i videos.

Në audiopërgjim tregohet sesi Bojan Jovanovski, Jordan Kamcev dhe Katica Janeva, të cilët si duket tashmë janë në komunikim të vazhdueshëm, janë në dijeni si do të shkojë e gjithë procedura për çështjen “Perandoria” në të cilën biznesmeni Kamçev është një nga të dyshuarit e parë.

 

Më Shumë