Analize

“Tërmeti” në drejtësinë e Shkupit, a do të dështojë BE dhe në Tiranë?

Pavarësisht problemeve të brendshme dhe përplasjeve të vendeve anëtare, Bashkimi Europian ka qenë në gjendje të përcjellë këto muaj një mesazh të qartë për Ballkanin Perëndimor: rruga e integrimit kalon nga burgu.

Ky mesazh duket të jetë një “vath nën vesh” sidomos për Shqipërinë, ku Reforma në Drejtësi duket të jetë drejt fundit. Si SHBA-ja ashtu edhe Bashkimi Europian kanë paralajmëruar prej kohësh se me përfundimin e kësaj reforme, duhet të fillojë edhe hetimi ndaj “peshqve të mëdhenj”, për t’i hapur rrugën më pas integrimit europian. Por publikimi i disa videove tronditëse nga Shkupi, ku biznesmeni ble me çanta me para drejtësinë e mbështetur nga Brukseli, ka ngritur shqetësime për standardin e këtyre reformave të ndërmarrë nga BE-ja.

Pavarësia e sistemit gjyqësor është jashtëzakonisht e rëndësishme në procesin e integrimit europian dhe për hapjen e negociatave të pranimit dhe ka qënë një nga prioritetet kryesore, jo vetëm të Maqedonisë se Veriut, por edhe Shqipërisë. Por sa funksional ka rezultuar ky model në vendet e tjera të rajonit dhe çfarë përfaqëson për Ballkanin blerja e një prokuroreje të zgjedhur me bekimin e BE-së?

Bazuar në përvojat e shumicës së vendeve anëtare të BE-së, por mbi të gjitha, përvojat në Rumani, Hungari dhe Poloni, BE-ja duket te këtë jo pak dobësi në monitorim dhe zbatimin e reformave për pavarësisë e gjyqësorit në vendet kandidate. Ekspërtët kanë ngritur shpesh shqetësimin se Komisioni Europian ka injoruar mosrespektimin e standardeve të këtyre reformave dhe lidhjet e politkës me Drejtësinë në vendet kandidate.

BE-ja mbeshteti në Shqipëri reformën më radikale, duke kërkuar Vetting të të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve, një nismë që është mirëpritur nga të gjitha vendet anëtare të unionin, pavarësisht se vendi ynë nuk ka marrë ende hapjen e negociatave. Por a duhet ta shohë me frikë Tirana atë që po ndodh në Shkup, dhe a do t’ia dalë BE-ja të riktheje shpresën e humbur tek drejtësia?

Nuk e dimë se ka vend për frikë, por duket se mes reformave në Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri ka vend për paralele. Në Shkup, ekspertët dolën në përfundimin se shkaku i të gjithë mosfunksionimit të drejtësisë ishte përqëndrimi i pushtetit të përgjimeve tek shërbimi sekret, UBK. Kjo e fundit gëzonte me ligj monopolin e përgjimeve të personave në të gjithë nivelet, duke patur akses tek dosjet hetimore të prokurorëve dhe institucionet e tjera, e për rrjedhojë duke ndërhyrë në mbrojtje të qeverisë në pushtet.

Në Shqipëri opozita akuzon se përmes farsës së vettingut dhe emërimeve të reja në institucionet ekzekutive të sistemit të drejtësisë, si KLP e KLGJ, e ka kapur atë dhe po bllokon hetimin e denoncimeve të saj. Qeveria nuk e sheh të kapur, por “rilindje të drejtësisë që do t’i japë fund pandëshkueshmërisë dhe do të luftojë krimin dhe korrupsionin”.

Reforma në Maqedoni

Duke folur vetëm disa ditë përpara shtyrjes së negociatave në qershor të këtij viti, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev tha se përveç ndryshimit të emrit të vendit të tij, qeveria e tij kishte miratojë reforma të rëndësishme në fushën e sundimit të ligjit dhe fillimin e reformave gjyqësore. Por pas video përgjimeve të publikuara nga gazeta italiane “La Verita”, duket se reforma e ndërmarrë nga Bashkimi Europian në Shkup, nuk ka qene asgje tjetër veçse një fluksë sapuni.

Skandali në të cilin u përfshi Prokurorja Speciale, Katica Janeva prek në mënyrë të drejtëpërdrejtë edhe Zaevin, pasi ai ishte deri në fund të vitit 2018 presidenti i Këshillit të Reformës Gjyqësore duke monitoruar zbatimin e strategjisë së BE-së.
Në vitet 2015-2016, të gjitha të metat dhe dështimet e sistemit politik në Maqedoninë e Veriut dolën për herë të parë në dritë si rezultat i krizës politike dhe institucionale.
Ndër këto të meta, ishin edhe çështjet e shtruara në gjyqësor, të cilat konfirmuan situatën shkatërruese në sistemin e Drejtësisë. Bisedat telefonike të përgjuara zbuluan përdorimin e gjyqësorit nga politika dhe kalbëzimin e tij nga korrupsioni dhe klientelizmi.

Pas marrjes së pushtetit nga kryeministri Zaev, BE-ja këmbënguli për reforma të vogla në sistemin maqedonas të drejtësisë që mund të rezultonin në marrjen e rekomandimit nga Komisioni Europian për fillimin e negociatave. Edhe pse nuk ishte një reformë gjithëpërfshirëse dhe nuk përfshinte një Vetting të të gjithë gjyqatarëve dhe prokurorëve, një nga pikat kyçe të saj ishte ngritja e Prokurorisë Speciale, për hetimin e “peshqve të mëdhenj”.

Por sa e kishte parashikuar Bashkimi Europian të gjitha vështirësitë gjyqësorë dhe sa profesionale ishte kjo strategji?

Zoran Zaev dhe Angela Merkel, Gazeta Si, 10 gusht 2019

Ish anëtarja e Gjykatës së Strasburgut, Mirjana Lazarova-Trajkovska thotë se pavarësisht numrit të madh të ndryshimeve ligjore që janë miratuar në Shkup, përfundimi i reformave në gjyqësor duket shumë larg.

"Ende kemi probleme me lidhjet e drejtësisë me politikën, nuk kemi paanshmëri në gjykime dhe në shumë raste, zyra e Prokurores Speciale është favorizuar", deklaroi ish gjykatësja maqedonase për “IBNA”, në maj të këtij viti."Gjyqtarët po përballen me sfida serioze, por ata duhet të dëshmojnë se janë të pavarur dhe të paanshëm" thekoi ajo.

Xhemal Ahmeti, një ekspert për çështjet politike në Ballkan, thotë se në Maqedoninë e Veriut dhe në mbarë rajonin, sistemi i drejtësisë, duke përfshirë prokurorët dhe gjykatat, është i kapur nga elita politike. “Politikanët përdorin pushtetin e pakufizuar të shtetit për të shantazhuar votuesit, ndërkohë që bizneset e mëdha private janë, deri në një farë mase, një zgjerim i sistemit politik”thotë ai.

Ngritja e Prokurorisë Speciale ishte një nga sukseset më të mëdha të Bashkimit Europian në Maqedoninë e Veriut, pasi duhej edhe të shërbente për vendosjen e shtetit ligjor dhe një demokracie funksionale që do të gëzonte besimin e qytetarëve atje. Si rezultat i kompromisit mes palëve, në krye të prokurorisë u emërua një gjyqtare deri atëherë e panjohur, Katica Janeva. Zoran Zaev i dorëzoi menjëherë gjithë dokumentacionin që kishte në zotërim. Në pak muaj, Janeva nisi proceset që çuan në burgosjen e shumë eksponentëve politikë, përfshirë edhe ish-kreun e shërbimit sekret, Saso Malkov, të gjithë të lidhur me qeverinë e mëparshme. Ajo çoi përpara gjykatës edhe ish-kryeministrin Nikolla Gruevski, i cili ka kërkuar tanimë azil në Hungari për të shmangur dënimin me burg.

Por nëse analizojmë Strategjinë e BE-së për funksionimin e sistemit të drejtësisë në Maqedoninë e Veriut, të krijohet përshtypja se pjesa më e madhe e saj i kushtohet përbërjes së Këshillit të Lartë të Gjyqësorit, një institucion i krijuar edhe në vendin tonë, si pjesë e Reformës në Drejtësi. BE-ja vendosi kritere të rrepta për zgjedhjen e anëtarëve të këtij Këshilli, por deri më tani performanca e këtij institucioni nuk i ka arritur pritshëmritë e zyrtarëve europianë.
Në një studim të gjatë, Fondacioni “Konrad-Adenauer”, thotë se zgjedhja pa Vetting e anëtarëve të këtij Këshilli mund të rrezikojë pavarësinë e gjyqësorit.

“Përfundime të tilla janë edhe më alarmante nëse marrim parasysh faktin se asnjë anëtar i vetëm i Këshillit të Lartë Gjyqësor nuk ka ka marrë pjesë në hartimin e Strategjisë të BE-së. Ka indikacione dhe dyshime rreth funksionimit të pavarur të këtij institucioni dhe në këto kushte hapi i parë logjik nga ana e BE-së do të ishte rivlerësimi i këtij institucioni, për të kuptuar nëse ai është themeluar në mënyrë të duhur. Këshilli i Lartë Gjyqësor duhet të përfaqësojë dhe mbrojë pavarësinë e gjyqësorit, por ai dhe nuk ka arritur ta luajë rolin për të cilin është krijuar. Anëtarët e tij nuk duhet të varen politikisht nga institucioneve politike që i kanë emëruar ata, mbi të gjitha nga parlamenti maqedonas, por kjo nuk ka ndodhur. Strategjia e BE-së duket se nuk merr parasysh faktin se anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor, të paktën ata që janë emëruar nga Parlamenti, do ta kenë të vështirë mos të varen nga ky institucion”, shkruan “Konrad-Adenauer”.

Sipas këtij Fondacioni, suksesi i reformave në drejtësi do të varet më shumë nga kultura politike e vendit ku ndërmerret, më shumë sesa nga strategjia e BE-së, prandaj është i nevojshëm monitorimi i vazhdueshëm në vendet kandidate.

Së pari, Strategjisë e BE-së për Maqedoninë e Veriut tregoi mungesën e një vizioni të qartë se çfarë duhet të reformohet dhe se në çfarë mënyre do të arrihen rezultate thelbësore. Së dyti, përmbledhjet për pavarësinë e gjyqësorit të paraqitura nga Komisioni Europian janë shumë larg nga realiteti në Shkup.

Në këtë kontekst, BE-ja duhet të bëjë përpjekje të mëtutjeshme për thellimin e reformave gjyqësore në Maqedoninë e Veriut. Së treti, BE-ja duhet të përqedrohet tek pavarësia individuale e gjyqtarëve dhe prokurorëve, pasi vetëm kjo do të forconte pavarësinë e gjyqësorit në Maqedoninë e Veriut”, shkruan “Konrad-Adenauer”.

Pjesë e kësaj strategjie ishte edhe ngritja e Prokuroria Speciale, SJO, e cila u pa si fener shprese për rikthimin e sundimit të ligjit në Maqedoninë e Veriut dhe si një sukses i padiskutueshëm i Bashkimit Europian.

Që nga krijimi i saj, Prokuroria Speciale ka gëzuar shumë më tepër besim në publik se çdo institucion tjetër shtetëror, dhe u pa si udhëheqësja e luftës kundër krimeve të së kaluarës, të lidhura me regjimin e autoritar të ish-kryeministrit Nikolla Gruevski.
Megjithatë, videot e gazetës Italiane “La Verita” ka zbuluar se institucion që duhet të ishte “rojtari” i drejtësisë është përfshirë në një skandal zhvatjeje, që duket se ka marrë përpara të gjithë sistemin e drejtësisë.

Reforma në Shqipëri, Gazeta Si, 10 gusht 2019

Reforma në Shqipëri

Tre vite më parë Parlamenti do të miratonte me 140 vota pro ndryshimet kushtetuese, pas një presioni të fortë ndërkombëtar, ku më 21 korrik ai votim historik që bashkoi votat e PS, PD dhe LSI, do të sillte nisjen e procesit të reformës në drejtësi.
Dy ambasadorët e asaj kohe Donald Lu i SHBA-së dhe Romana Vlahutin e BE-së këmbëngulën në kalimin e paketës kushtetuese me një konsensus të plotë dhe kjo u arrit më 21 korrik. Lu e Vlahutin ishin në lozhën e Kuvendit në ditën e votimit dhe e duartrokitën fort këtë arritje. Ndërsa me mbarimin e mandatit, ambasadori Lu përpara largimit do të ikte me porosinë e kapjes së peshqve të mëdhenj.
Tashmë kanë kaluar tre vite dhe se procesi me të gjitha pengesat e hasura që nga ankimimet, ka arritur të ngrejë më në fund Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe Këshillin e Lartë Gjyqësor, dy organet e reja të sistemit të drejtësisë, që cilësohen edhe si “qeveria” e re e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Janë 800 gjyqtarë dhe prokurorë të përfshirë në sistemin e vettingut i nisur në 2018-ën. Një pjesë janë shkarkuar, të tjera janë në rradhë e në vjeshtë tashmë pritet që të kemi rezultatet e para të ngritjes së Prokurorisë së Posaçme, SPAK dhe më pas të zgjedhjes së kryeprokurorit të ri. Të gjitha këto pritet sipas parashikimeve të marrin udhë në shtator të këtij viti.
Por opozita është tanimë më skeptike se kurrë duke akuzuar mazhorancën për kapjen e sistemit të ri drejtësisë. Presidenti Ilir Meta ka ngritur shpesh shqetësimin se edhe pas tre vitesh reforma nuk do ka prodhuar ende institucionet e reja të sistemit të drejtësisë, ndërsa sistemi i vjetër po bie me shpejtësi.
Sot pas tre vitesh institucionet e drejtësisë po mbeten në mungesë funksionimi, Gjykata e Lartë dhe Gjykata Kushtetuese janë shkrirë nga procesi i vettingut. Në Kushtetuese ka mbetur vetëm Vitore Tushaj, së cilës i ka mbaruar mandate, por qëndron në detyrë. Ndërsa te Gjykata e Lartë ka mbetur vetëm Ardian Dvorani.
Prioritet iu është dhënë Gjykatës Kushtetuese, së Lartë, Prokurorisë dhe atyre gjyqtarëve që kanë shprehur interesin për të qenë pjesë e institucioneve të reja të drejtësisë, si SPAK apo Gjykatës së Posaçme Antikorrupsion.
Komitetit Shqiptar i Helsinkit në një raport mbi monitorimin e procesit të vettingut thekson se vonesat e sipërpërmendura kanë ndikuar në mosplotësimin e vakancave në Gjykatën e Lartë, në Gjykatën Kushtetuese, në gjykatat/prokuroritë e juridiksionit të zakonshëm për shkak të dorëheqjeve të dhëna në kuadër të vettingut si dhe në emërimin e Prokurorit të Përgjithshëm me mandat të plotë. Tashmë deri në mbylljen e këtij procesi ku shqiptarët janë me sy për krijimin e SPAK dhe Gjykatës së Posaçme Antikorrupsion, në sistemin e drejtësisë pritet të ketë sërish vendime për emërime të përkohshme deri në bërjen funksionale të Gjykatës së Lartë. Ajo që është e pamohueshme është se Shqipëria po përjeton një epokë të re në sistemin e drejtësisë, e cila mund t’u kthejë më në fund shqiptarëve besimin e humbur.

Edi Rama, Zoran Zaev dhe Angela Merkel, Gazeta Si, 10 2019

Drejtësia në Rumani.
Zgjerimi I BE-së në Evropën Juglindore ka sjellë edhe reformimin e sistemit të drejtësisë në këto vende. Që nga fillimi i Traktatit të Aderimit 2005 midis Rumanisë dhe BE-së, reforma në drejtësi ka qenë një nga përpjekjet kryesore të ndërmarra nga qeveria e Bukureshtit. Edhe pse BE-ja ka kërkuar respektimin e politikave standarte të sistemeve europiane të Drejtësisë, Rumania ende nuk ka zbatuar të gjitha reformat e nevojshme politike të cilat do të ndihmojnë procesin e bashkëpunimit gjyqësor midis Rumanisë dhe vendeve anëtare të BE-së, dhe gjithashtu do ta ndihmojë Bukureshtin në luftën kundër korrupsionit.
Ministria rumune e Drejtësisë në bashkëpunim me Këshillin e Lartë të Magjistraturës krijoi një plan veprimesh për të zbatuar reformat institucionale. Së bashku me ndihmën e Terry R. Lord, një specialist gjyqësor dhe Jesper Wittrup, specialist i administratës gjyqësore, BE-ja hartoi një studim për të filluar reformat.
Informacioni i mbledhur zbuloi se numri i gjyqtarëve dhe nëpunësve në Rumani ishte më i larti në BE. Edhe pse numri i madh i gjyqtarëve dhe nëpunësve të paraqitur në raport tregon një argument të favorshëm për sistemin aktual gjyqësor në këtë vend, kjo ende nuk e ka zhdukur akumulimin e çështjeve që presin të hetohen.
Në vitin 2005 me ndihmën e BE-së, Ministria Rumune e Drejtësisë ndërmori një strategji gjithpërfshirëse për modernizimin e sistemit gjyqësor, për të rritur pavarësinë e gjykatave, menaxhimin e burimeve njerëzore dhe ndihmën në luftën kundër korrupsionit. Kjo refomë përfundoi në vitin 2009, me ringritjen e Prokurorisë Specile, një nga sukseset më të mëdha të kësaj reforme, por lidhjet drejtësi-politikë jo vetëm që nuk u eleminuan, por vazhduan të dobësonin gjyqësorin edhe për vitet në vazhdim, duke cuar në përplasje të ashpra me BE-në

Në 2016, Rumania ndërmorri një sërë hapash që do të dobësonin ndjeshëm sistemin e Drejtësisë, në mënyrë që politika të rriste kontrollin mbi gjykatat.
Komisioni i Venecias kritikoi ashpër Rumaninë për ndryshimet e ligjet e drejtësisë, duke thënë se po dobësonin seriozisht efektivitetin e sistemit të drejtësisë penale për të luftuar korrupsionit, dhe krimin e organizuar.
Sipas Komisionit, ndryshimet në Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale, të miratuar nga parlamenti i vendit këtë verë po dobësojnë pavarësinë e gjyqësorit dhe po japin pasoja negative për luftën kundër korrupsionit. “Tri ligjet tashmë janë shpallur dhe kanë hyrë në fuqi" tha Komisioni i Venecias.
Në muajin shkurt, mijëra qytetarë protestuan në Rumani, pasi qeveria kishte miratuar masat emergjente pa bërë fillimisht një debat publik për to, masa të cilat, sipas kritikëve, kufizojnë pavarësinë e prokurorëve.
Këto masa ishin në vazhdën e disa ndryshimeve legjislative që ka bërë Qeveria e udhëhequr nga Paria Socialdemokrate, e cila erdhi në pushtet dy vjet më parë. Ndryshimet e bëra nga kjo qeveri, nxitën shqetësim në Bashkimin Europian dhe në Shtetet e Bashkuara, mbi sundimin e ligjit në Rumani.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë