Rend dhe Ligj

Arrestohet për vjedhje në Itali polici shqiptar, përjashtohet nga detyra. Iku për ‘arsye shëndetësore’

Gazeta Si - Klisman Nikolli, 27-vjeç, me detyrë efektiv policie në Shëngjin, është arrestuar nga policia italiane për vjedhje, së bashku me dy shqiptarë të tjerë, Viktor Bilani, 30-vjeç dhe Flor Koca, 35-vjeç.

Ndërkohë pas arrestimit të 27-vjeçarit në Itali, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, e ka përjashtuar nga radhët e policisë së Shtetit.

Nikolli dhe bashkëpunëtorët e tij, akuzohen për një serë grabitjesh të kryera për nga data 30 tetor deri më 15 nëntor në dy rajone të Italisë, Veneto dhe Friuli. Nikolli u arrestua nga policia teksa po bëheshin gati të ktheheshin në Shqipëri, ndërsa mësohet se u tregoi autoriteteve se ai ishte efektiv policie në Shqipëri.

Në dhomën e "Bed & Breakfast" në San Stino di Livenza, ku ai qëndronte së bashku me 2 shqiptarët e tjerë, Viktor Bilani, 30 vjeç dhe Flor Koca, 35 vjeç, valixhet tashmë ishin të mbushura me sendet e vjedhura. Të tre ata po prisnin një grua e cila do t'i merrte dhe do t'i shoqëronte deri në aeroport, por në atë moment ata janë kapur nga autoritetet italiane.

Të tre dyshohen për 18 vjedhje dhe tentativa vjedhjesh në Portogruaro, Concordia Sagittaria, Musile di Piave dhe San Michele al Tagliamento. Gjatë bastisjeve ka pasur dy bastisje në Azzano (dy tentativa) dhe po aq në dy shtëpi në Chions, ku janë vjedhur 2000 euro dhe në një shtëpi tjetër 9000 euro dhe disa orë.

Banda, sipas policisë italiane, vepronte mes orës 17.30 dhe 19:00. Pas një vjedhjeje të kryer në San Michele, policia regjistroi një BMW si të dyshimtë.

Pasi u identifikua targa, policia zbuloi se ajo shkonte në nje nga dhomat e “Bed & Breakfast”, ku Nikolli, Bilani dhe Koca ishin regjistruar.

Nga San Stino BMW lëvizte çdo ditë dhe ndalonte pikërisht aty ku më pas raportoheshin vjedhjet.

Menjëherë pas njoftimit të marrë nga homologët italianë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka firmosur përjashtimin nga Policia e Shtetit, të punonjësit të Policisë Klisman Nikolli.

Sipas policisë ai kishte marrë leje pa të drejtë page, nga data 1 nëntor deri më 31 dhjetor.

Kjo leje, sipas policisë i është miratuar nga eprori i tij, për dalje jashtë shtetit, pas kërkesës së bërë nga vetë punonjësi, për arsye shëndetësore. Ndërkohë sqaron policia, pranimi i tij në Akademinë e Sigurisë, është bërë konform procedurave ligjore, megjithëse ishte djali i një dëshmori të policisë Mark Nikollit.

“Gjithashtu, sqarojmë opinionin publik se në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe në drejtoritë vendore të Policisë, janë ngritur dhe funksionojnë këshillat e emërtesës, për emërimin e drejtuesve të strukturave të Policisë, bazuar në rezultatet e punës, profesionalizmin, integritetin dhe pastërtinë e figurës”.

“Shprehim keqardhje për deklaratat dashakeqe që synojnë të përbaltin punën, mundin dhe sakrificën e mijëra djemve dhe vajzave, burrave dhe grave, të Policisë së Shtetit, që punojnë 24/7 për të garantuar rendin e sigurinë, dhe që përballen e luftojnë çdo ditë, me krimin në përgjithësi dhe me krimin e organizuar në veçanti”, thotë policia në reagimin për mediat.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë