Rend dhe Ligj

Arrestohet një operator shitjesh në Tiranë, përvetësoi shuma të mëdha parash nga klientët

Gazeta Si – Policia e Tiranës ka arrestuar sot një 29-vjeçar, i cili akuzohet për mashtrim dhe përvetësim parash. Sipas policisë, shtetasi me detyrën operator shitjesh në një subjekt privat, dyshohet se ka përvetësuar shuma të mëdha parash. Ai ka kërkuar që klientët t’i bënin pagesat e blerjeve në emër të tij dhe jo të subjektit.

“Specialistët e Sektorit të Forcës së Posaçme për Operacionet Speciale dhe Kërkimin, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në vijim të punës për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën ekonomiko-financiare dhe vënien e autorëve përpara përgjegjësisë penale, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Operatori’.

Si rezultat i këtij operacioni, u bë arrestimi i shtetasit E.S., 29 vjeç, banues në Tiranë. Ky shtetas dyshohet se ka përvetësuar një shumë parash, duke shpërdoruar detyrën si operator shitjesh në një subjekt privat, pasi ka orientuar klientët që të kryenin pagesat për blerjet, në emër të tij dhe jo në emër të subjektit”, - shkruhet në njoftimin e Policisë së Tiranës.

Materialet i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për veprime të mëtejshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë