Rend dhe Ligj

Arrestohet në Londër Harry Simpson, i dyshuar si ‘vëzhgues’ në vrasjen e Ardian Nikulajt në Lezhë

Gazeta Si - Harry Simpson, një nga anglezët e përfshirë në vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj më 19 prill në Shëngjin të Lezhës, është arrestuar nga policia në Britani të Madhe. Nga burime policore bëhet me dije se Simpson është arrestuar në Londër.

Dyshohet se Simpson ka qenë në rolin e vëzhguesit të Nikulajt, duke informuar personat e tjerë të përfshirë në ngjarje.

Ai ishte personi i fundit që qëndronte në arrati si një nga të dyshuarit e përfshirë në vrasjen e biznesmenit lezhjan.

LEXO EDHE:
- Arrestohen në Britani 4 nga 6 vrasësit e Ardian Nikulajt, mes tyre dhe porositësi i dyshuar Edmond Haxhia
- Shqiptaro-britaniku, anglezi dhe portugezi: Itinerari dhe roli i grupit të vrasësve të Ardian Nikulajt në Shëngjin

Më herët në Angli janë arrestuar edhe Harriet Bridgeman, Steven Hunt dhe Thomas Mithan, të gjithë të përfshirë në këtë ngjarje kriminale në rolin e bashkëpunëtorit.

Ndërsa Edmond Haxhia, që akuzohet si personi që ka porositur vrasjen, është arrestuar gjithashtu në Britani.

Kurse ekzekutori i Nikulajt, vraësi portugez Ruben Saraiva, u arrestua në Marok 20 ditë pas krimit. Autoritetet shqiptare janë në procedura për ekstradimin e tij drejt vendit tonë.

Të gjitha filmimet e administruara në dosje, përfshirë dhe momentin e vrasjes së Nikulaj, i janë dërguar në Angli Gjykatës së Ekstrdimeve.

Njëherësh dëshmia e të fejuarës së Edmond Haxhisë, përfshirë këtu kontratën noteriale të blerjes së motorit në 28 mars 2023 bashkangjitur dhe një foto të motorit të gjetur në lumin Drin, janë dorëzuar te autoritetet gjyqësore britanike.

Mes provave të tjera shumë të rëndësishme që u dërguan në Angli, janë dhe profilet e ADN-së të shtetasve anglezë dhe Edmond Haxhisë.

Këto fakte sipas hetuesve janë çuar për të mos lindur asnjë dyshim, tek trupi gjykues nëse vërtet 4 të arrestuarit janë të njëjtët me ata që kërkon prokuroria shqiptare.

Dhe prova e pestë, janë ekstraktet e hyrjes në Shqipëri të katër personave dhe më pas daljes së tyre nga Shqipëria, në mbrëmjen e datës 19 Prill dhe mëngjesin e 20 prillit.

Kështu, me arrestimin e Simpson kompletohet kapja e grupit të dyshuar si vënës në jetë të planit për ekzekutimin e biznesmenit të njohur nga Shëngjini.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë