Rend dhe Ligj

Arrestohet në Fushë-Krujë Elmir Tufa, i akuzuar për vrasjen e Shkëlzen Kastratit

Gazeta Si – Arrestohet Elmir Tufa, i akuzuar për për vrasjen e Shkëlzen Kastratit. Ndalimi i tij është bërë sot nga forcat e Policisë Operacionale në Fushë-Krujë.

Shkëlzen Kastrati u ekzekutua paraditen e 1 shkurtit në hyrje të qytetit e Fierit. Ai u qëllua nga një makinë ‘Range Rover’, e gjetur e djegur më pas në vendin e quajtur Mbikalimi i Baltzës.

Kastrati humbi kontrollin e makinës së tij dhe u përplas me një tjetër automjet. Ai humbi jetën menjëherë në atë atentat. Autorët u larguan dhe disa minuta më pas në mbikalimin e fshatit Baltëz policia gjeti ‘Range Rover’-ine tyre të djegur. Grupi hetimor gjeti në mjetin e djegut armën e tipit automatik, me të cilën dyshohet se u vra Kastrati.

Tufa dyshohet se në atë atentat bashkëpunoi me tre persona të tjerë. Albert Zaja u arrestua në mars të 2021-shit në fshatin Larushk të Krujës. Në kërkim janë Elson Xhecuka, 29 vjeç, banues në Kamëz dhe Silvio alias Roland Cara, 41 vjeç, banues në Tiranë.

Njoftimi i Policisë së shtetit
Falë inteligjencës policore, Komisariati i Policisë Krujë në bashkëpunim me shërbimet e Sektorit të Forcës së Posaçme të Operacioneve Speciale dhe Kërkimin në DVP Tiranë, lokalizojnë, kapin dhe vënë në pranga një shtetas të shumëkërkuar, me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

I shpallur në kërkim për vrasje, kapet dhe vihet në pranga 31-vjeçari. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë në bashkëpunim me ato të Sektorit të Forcës së Posaçme të Operacioneve Speciale dhe Kërkimin, në vijim të punës për lokalizimin, kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të shtetasve të shpallur në kërkim, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, për vendndodhjen e një shtetasi të shumëkërkuar nga Policia, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar "Lokalizimi".

Si rezultat i këtij operacioni, në aksin rrugor Fushë Krujë-Vorë, sot është lokalizuar, kapur dhe vënë në pranga shtetasi E. T., 31 vjeç, banues në Tiranë. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, i ka caktuar masën e sigurisë "Arrest në burg", për veprën penale "Vrasje me paramendim", pasi ka vrarë me armë zjarri shtetasin Sh. K. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë