Rend dhe Ligj

Arrestohet inspektori i policisë në Korçë, i dehur në timon shkaktoi aksident

Gazeta Si - Arrestohet një punonjës i policisë në Korçë, i akuzuar se shkaktoi një aksident rrugor në gjendje të dehur.

AMP thotë se bëhet fjalë për inspektorin me iniciale R.XH., 58 vjeç, me detyrë Trup Shërbimi në Stacionin e Policisë Kufitare Pustec, në Drejtorinë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë.

Një ditë më parë, rreth orës 17:25, duke drejtuar mjetin në rrugën nacionale Korçë-Bilisht, ai është përfshirë në aksident rrugor me dëme materiale, me një mjet tip furgon.

Nga testet e kryera në vendngjarje, ka rezultuar se punonjësi i policisë kishte konsumuar alkool tej normave të lejuara. AMP njofton se inspektori ishte duke shkuar për të marrë detyrën. Ai akuzohet për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.

Materialet procedurale do t’i përcillen Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë