Rend dhe Ligj

Arrestohen dy persona në Lezhë, kërkoheshin në Itali për trafik kokaine

Gazeta Si – Një operacion policor ndërkombëtar, i koduar “RUGANTINO”, ka sjellë arrestimin në Lezhë të dy personave të akuzuar për trafik kokaine. Personat e ndaluar janë janë Tonin Kameri alias Aleks Ionescu, 44 vjeç, dhe P.B., alias Pavlin Tuku alias Pavlin Bregaj, 32 vjeç. Të dy janë banues në Lezhë dhe do të ekstradohen drejt Italisë.

Bëhet fjalë për një operacion të përbashkët mes Policisë shqiptare dhe asaj italiane.

“RUGANTINO” ka goditur një organizatë kriminale për trafik ndërkombëtar kokaine me veprimtari në Itali. Në vendin tonë ky operacion u krye nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve në DPPSH dhe nga Policia e Lezhës, në bashkëpunim me Interpol Tiranën dhe Interpol Romën.

Në polici është shoqëruar edhe një i afërm i njërit prej personave të arrestuar, sepse me vetëdije kishte lejuar kushëririn të përdorte identitetin për të shmangur autoritetet policore italiane.

“U kapën në Lezhë dhe u arrestuan me qëllim ekstradimin drejt Italisë shtetasit e shpallur në kërkim ndërkombëtar, Tonin Kameri alias Aleks Ionescu, 44 vjeç dhe P. B., alias Pavlin Tuku alias Pavlin Bregaj, 32 vjeç, të dy banues në Lezhë.

Ndaj këtyre 2 shtetasve, Gjykata e Brescia-s, Itali, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Organizata kriminale me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”, parashikuar nga Kodi Penal i Italisë.
Gjithashtu, në kuadër të këtij operacioni, Policia e Lezhës ka ndaluar shtetasin Dritan Marku (alias Dritan Kameri), 48 vjeç, banues në Lezhë, pasi dyshohet se me vullnetin e tij të lirë, ka lejuar kushëririn e tij, shtetasin Tonin Kameri alias Aleks Ionescu, që t’i përdorë identitetin për t’iu shmangur Policisë italiane.

Nga veprimet hetimore të kryera në Itali, dyshohet se shtetasit Tonin Kameri alias Aleks Ionescu dhe Pavlin Bregaj, alias Pavlin Tuku, së bashku me 7 shtetas të tjerë të arrestuar tashmë nga policia e Italisë, janë pjesëtarë të një organizate kriminale për trafikimin e kokainës, organizatë me veprimtari në Itali.

Gjatë zhvillimit të këtij operacioni, Policia e Italisë ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale rreth 7 kg lëndë narkotike kokainë. Interpol Tirana dhe Interpol Roma vijojnë bashkëpunimin, me qëllim ekstradimin e këtyre shtetasve drejt Italisë”, - thuhet në njoftimin e policisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë