Futboll

Mirëseerdhe Mesi!

Lionel Mesi dhe Markus Rojo kualifikojnë Argjentinën për fazën e 1/8-ve, pas fitores 2-1 ndaj Nigerisë. Golat e tyre i kanë dhënë fitoren skuadrës së Sampaolit, por sa shumë frikë, pasi deri 4 minuta para fundit gjithçka ishte e barabartë, 1-1. Mbrojtësi i qendrës ka shënuar pas shumë minutash përpjekje mes panikut dhe në fund festa ka qenë e jashtëzakonshme për argjentinasit në fushë dhe në tribuna, ku Maradona ka dhënë spektakël.

Leo Mesi mori skenën në pjesën e parë, duke shënuar golin e avantazhit, pas një pasimi të bukur të Banegës. Më pas “pleshti” ishte pa fat, teksa goditi shtyllën e majtë pingule nga një goditje dënimi. U duk se Argjentina e kishte ndeshjen në dorë, por gjithçka u komplikua, kur arbitri turk, Çakër, akordi një 11-metërsh, për shkak të një faulli të Maskeranos në zhvillimet e një goditjeje këndi. Moses nuk gaboi dhe paniku filloi të pushtonte gjithmonë e më shumë Mesin me shokë, të cilët gabuan shumë. Higuain shpërdoroi një rast flagrant në qendër të zonës dhe duhej të vinte një mbrojtës për të shënuar golin e fitores në minutën e 86-të. Në fund, festë e çmendur për skuadrën më të kritikuar në këtë Botëror nga shtypi sportiv dhe jo vetëm.

Gjithsesi, kualifikimi është arritur dhe në fazën me eliminim direkt duhen bërë mirë llogaritë, pasi Franca e Pogba, Mbape dhe Grizman nuk të fal.

Nuk ka kaluar pa rënë në sy ajo çfarë bënte në tribunë Diego Armando Maradona, i cili i falej Zotit në tribunën e stadiumit, si pas golit të Mesit, ashtu dhe në fund për kualifikimin. Nuk mund të mungonin edhe gjestet e zakonshme të ish-yllit argjentinas, që shpesh i del vetja nga kontrolli. 

Skuadra tjetër e kualifikuar në Grupin D është Kroacia, që zuri vendin e parë dhe në fazën tjetër do të ndeshet me Danimarkën e kualifikuar pas barazimit-biskotë me Francën.

Janë skualifikuar në Grupet C dhe D Australia, Peruja, Nigeria dhe Islanda.

Faza e 1/8

Spanjë – Rusi

Uruguai – Portugali

Francë – Argjentinë

Kroaci - Danimarkë


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë