Para

Ardhja e turistëve forcon lekun, euro poshtë minimumit historik

Euro e ka nisur javën me zhvlerësim të fortë ndaj lekut.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, Euro këmbehet sot (23 maj) me 119.9 Lekë duke arritur jo vetëm nivelin më të ulët të vitit por duke qenë edhe poshtë kufirit historik minimal me 120.18 Lekë, të shënuar në dhjetor të vitit 2007.

Veç rritjes së normës së interesit, agjentët e këmbimit valutor ia atribuojnë këtë forcim të lekut ardhjes së turistëve të cilët kanë qarkulluar më shumë euro në tregun vendas.

“Këto ditë parashikohet një nënçmim i euros sidomos me rastin e ardhjes së tifozëve për finalen që do të luhet në Tiranë.Monedha europiane ka humbur rreth 8 pikë kundrejt lekut vetëm në dy muaj.

Por edhe pa mbërritur ata, prej disa ditësh në Tiranë mund të vihen re grupe të shumtë turistësh të huaj nga vende të ndryshme të botës. Finalja do të sjellë rreth 100 mijë turistë të huaj të cilët do të shtojnë përdorimin e eurove në treg dhe kështu leku do të fitojë përsëri pikë”, tha për Gazetasi.al Dritan Poka, një agjent këmbimi valutor.

Ai shton se ndikimet që kjo situatë sjell janë si negative ashtu edhe pozitive.

“Tipikisht, zhvlerësimi i euros ndaj lekut është pozitiv jo vetëm për personat që kanë marrë kredi në euro por edhe për qeverinë shqiptare e cila paguan më pak interesa për borxhin publik”, thotë, teksa shton se më shumë këtë moment e vuajnë sektorët që punojnë për eksport.

Rënia e euros shqetëson eksportuesit

“Eksportuesit që i blejnë mallrat me euro dhe i shesin në lekë janë menjëherë të ndikuar negativisht.

Duke qenë se shumica e shpenzimeve të tyre janë në lek, të ardhurat më të pakta të tyre si pasojë e uljes së vlerës së euros ju shkaktojnë probleme serioze në përballimin e kostove të prodhimit e pagave. Nëse situata vazhdon për një kohë të gjatë, bizneset edhe mund të rrezikojnë falimentimin.

Rënia e euros gjithashtu ndikon negativisht edhe në vlerën e depozitave në euro në sistemin bankar, të ardhurat e bizneseve që shesin në euro etj”, thotë mandej ai për Gazetasi.al.

Më 23 mars, Banka e Shqipërisë vendosi të rrisë normën bazë të interesit me 0.5 për qind duke e çuar në 1 për qind, gjë që sipas agjentëve të tregut ndikoi në mbiçmimin e lekut.

Në një konferencë për mediat ku foli për goditjen e Shqipërisë nga rritja e çmimeve të produkteve ushqimore dhe karburanteve, Guvernatori Gent Sejko tha më 23 mars se norma e inflacionit do të luhatet deri në 6%. Për prillin inflacioni shënoi nivelin e 6.2%.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë