Rend dhe Ligj

SPAK me 10 anëtarë, votohen prokurorët e Dosjes 339 dhe për ish-ministrin Tahiri

Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion, SPAK do të jetë me 10 anëtarë. Këshilli i Lartë i Prokurorisë pranoi kërkesën e drejtuesit të përkohëshëm të SPAK, Arben Kraja, për shtimin me dy prokurorë të kësaj strukture të posaçme hetimore.
Në një letër të datës 23 dhjetor, Kraja i kërkonte KLP-së caktimin e dy prokurorë të përkohshëm për të çuar në 10 numrin e prokurorëve. Për këtë kishte propozuar që Vladimir Mara dhe Dritan Prençi duke i komanduar për një vit në SPAK. Në letrën e siguruar nga Gazeta “Si” theksohet se prokurorët Dritan Prençi dhe Vladimir Mara kanë ushtruar detyrën e prokurorit në Prokurorinë e Krimeve të Rënda deri në 19 dhjetor të vitit 2019 dhe më pas KLP i ka caktuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. “Në kushtet e një ngarkese të tillë, e cila është e pamundur të menaxhohet nga prokurorët e emëruar në SPAK, kam vendosur të filloj procedurën për transferim të përkohshëm të këtyre dy prokurorëve.

Faksimile e letrës së Krajës drejtuar KLP-së. Gazeta "Si", 26 dhjetor 2019


“Prokurorët Dritan Prençi dhe Vladimir Mara, i plotësojnë të gjitha kushtet ligjore që kërkohen për të emëruar një prokuror pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, kane dhënë pëlqimin e tyre për transferim dhe respektimin e kushteve të sigurisë për besimin dhe konfidencialitetin në Prokurorinë e Posaçme”, shkruan Kraja në letrën e tij. Këshilli i Lartë i Prokurorisë pas shqyrtimit të kësaj kërkese e votoi me 9 vota pro dhe një kundër.

Faksimile e letrës së Krajës. Gazeta "Si", 26 dhjetor 2019


Dosjet e bujshme të dy prokurorëve
Sipas letrës së Krajës, prokurori Dritan Prençi, ka transferuar 15 procedime penale në hetim, me 92 persona nën hetim, si dhe një kërkesë për ekzekutim letërporosie të Autoriteteve të Huaja. Ndërkohe ka në ndjekje në gjykim 13 çështje penale, me 100 të pandehur, si dhe 2 kërkesa për konfiskim pasurie. Prokurori Vladimir Mara, ka transferuar 22 procedime penale në hetim me 126 persona nën hetim (me mase sigurimi personal). Ndërsa ka në ndjekje 17 çështje në gjykim, me 97 të pandehur dhe 1 kërkesë për konfiskim pasurie. Prokurori i Krimeve të Rënda, Vladimir Mara, ka hetuar dosjen e famshme të përgjimeve "339” të Dibrës me 74 persona në hetim, goditjen e grupit të Tepelenës dhe sekuestrim e një sasie të madhe narkotikësh heroine në Kosovë.
Prokurori, Dritan Prençi, është pjesë e grupit të hetimit të për dosjen "339" për të cilën ka pohuar në seancën e pyetjeve intervistuese të KLP-së se është kërcënuar, ndërsa hetuar edhe dosjen e ish-ministrit Saimir Tahiri. Prençi njihet si prokurori që ka dhënë dënime me burgime të përjetshme për Jaho Mulosmani, dënim me burg për 2 anëtarë të familjes Haklaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë