Art dhe Kulture

Arapët e Polenës, maskat totemike që ruhen prej shekujsh në fshatin e Korçës

O Arap, mjekër cjap,

Cilën nuse të të jap,

-Të bijën e priftit,

Pesë unaza gishtit!

Çdo gjë nis të bëhet gati  mbrëmjen e 5 janarit. Arapët dalin rrugëve të fshatit duke tundur këmborët që mbajnë në brez e do të trembin të madh e të vogël. Me zhurmën, prapësitë, poteren e madhe që do të krijojnë. Duket sikur kjo natë e gjatë dimri, e errët dhe e zhurmshme nuk do të mbarojë kurrë. Por zbardh 6 janari dhe këmborët heshtin, t’i lënë vendin kambanës së kishës së Shën Sotirit, ku zhvillohet ceremonia e ujit të bekuar.

Të maskuarit nuk lejohet të jenë pjesë e kremtimeve fetare ndaj Arapët presin në hyrje të fshatit vizitorët dhe ju kërkojnë një pagesë simbolikë si taksë, për të hyrë në fshat. Ndonjëri nga ata do ta heqë maskën për t’u bashkuar me kremtimet fetare të Ujit të Bekuar, pastaj do të maskohet sërish për të qenë pjesë e Arapëve. Në sheshin e fshatit, përkrah kishës merr jetë shfaqja popullore.Arapët mbledhin njerëzit dhe lënë një pjesë në shesh të zbrazët, për shfaqjen popullore. Për këtë përdorin qesen me hi, duke lënë një vijë të dallueshme për të ndarë sheshin e lojës nga ai i vëzhguesve.

Arapët e Polenës

Ajo që zhvillohet më pas i ngjan sa një shfaqjeje teatrale aq edhe një rituali magjik, me maska totemike, nga ato që i gjen sot vetëm në fiset afrikane...Por i gjithë ky kremtim, më i rëndësishmi dhe ai që banorët mezi e presin ndodh vetëm pak kilometra në të dalë të Korçës, rrugës për Kolonjë në fshatin Polenë.Të gjithë këtë thesar, që ka ardhur nga e shkuara, siç pohojnë banorët, prej katër brezash, i pandryshuar, studiuesja Jonida Sela e ka  sjellë në botimin “Arapët e Polenës”, një projekti mbështetur nga Ambasada Zvicerane, Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim SDC dhe i implementuar nga “Center for Business Technology and Leadership”. 

“Qëllimi ishte hulumtimi dokumentimi dhe studimi i ritit të Arapëve të Polenës”, thotë Sela, ndërsa rrëfen sesi u njoh me këtë rit të lashtë, i ngjashëm me Karnavalet për ta shndërruar më vonë në objekt studimi.

“Fillimisht zhvillova disa  ekspedita  dhe, me ritin e Arapëve u njoha nga një artikull shkencor i Agron Xhagollit,  i 1995-s  dhe,  kur shkova për një ekspeditë për doktoratën time e pashë që e zhvillonin ende. Ishte  e çuditshme në të gjitha aspektet, qoftë si turiste  apo si studiuese”, vijon Sela, ndërsa shton se rite të ngjashme organizohen edhe në fshatrat përreth, por nuk e kanë ruajtur traditën e maskës artizanale dhe nuk bëhet çdo vit.“Nga informacionet  që kam, në fshatra të tjera bëhet vetëm ajo që quhet Kolondritje, ku shkon derë më derë me maska, të qerasen me të korrat e stinës,  ose karamele.  

Sipas Selës, banorët e Polenës janë të lidhur me traditën dhe e kanë ruajtur fort brenda komunitetit, duke komunikuar brenda për brenda, pasi fshatrat përreth janë myslimanë.  Ndërsa banorët e Polenës janë të krishterë ortodoksë.

Për  shkak të një tërmeti, fshati ka zbritur nga kodra në zonën ku ndodhet sot. Sipas një artikulli të vitit 1927, shkruar nga një prift i fshatit Papa Sotiri, dokumenton se krahas festave festare si Shën Triadha, Shën Triadha, Shën Thanasi apo Shën Kristofori, është edhe një festë laike që rezulton të jetë kremtim i karnavaleve, më 7 janar.  “Ky ndryshim i datës, ka ndodhur gjatë kohës së mbretërimit të Zogut, pasi 6 janari ishte festë zyrtare dhe polenarët lëviznin për punë dhe komuniteti vendosi të ndryshohet”, argumenton Sela.Përgatitjet nisin që për Krishtlindje, banorët ruajnë lëkurë, brirët apo kokën e bagëtisë që therin për festë. Përgatitja e maskës merr kohë dhe organizatorët ndajnë rolet e arapëve.

“Maska dhe kostumet ruhen në mjedis të përbashkët. Maskat dhe kostumet rinovohen çdo katër a pesë vjet sepse konsumohen nga koha, duke qenë materiale organike”, thotë Sela, e cila për projektin i ka ndjekur nga afër artizanët e fshatit. Thoma Dudo, një djalë  28 -vjeçar e me imagjinatë të pasur krijonte gjithfarë maskash për kremtimin, i ndihur nga Gjergji Minka e Evangjel Mançi.

Elementët kryesorë janë lëkurët e bagëtisë, fytyra nuk ngjason me ndonjë kafshë të caktuar, ka  gojë e madhe me gjuhën jashtë, vetulla të trasha e dhëmbë të formave të ndryshme.

Arapët janë personazhet kryesore të këtij riti prej të cilit duhet të ketë marrë edhe emrin. Riti përbëhet edhe nga shumë personazhe të tjerë. Shfaqen në moment të caktuar dhe kanë nga një rol. Arapët janë një grup individësh, të cilët kanë detyrë ruajtjen e rendit  dhe mbrojtjen e  lumturisë së çifti të dashuruar, nuses dhe dhëndrit. Kur shfaqet hajduti për  ta marrë nusen, ata e mbrojnë. Arapët janë djem të rinj të fuqishëm, vishen me lëkurë kafshësh, mbajnë këmborë të madhësive të ndryshme. Këto personazhe janë figura totemike, mbeturina kultesh të lashta, që me kohë e kanë humbur qëllimin e tyre të dikurshëm dhe kanë mbetur vetëm pjesë e lojërave popullore.

Nusja paraqitet e veshur  me fustan të bardhë e rregulluar në detaje, me  sytë, faqet  dhe  buzët e lyera me  paruket e zbukurime. Dhëndri ose kapidani i ri, i rri në krah. Dikur mbante veshje popullore, i pikturonin mustaqe. Ai  nuk e ka mbuluar fytyrën me maskë, por merret me mend që është personazh. Doktori shfaqet me bluzë të bardhë dhe mban stetoskop. As ai nuk mban maskë, apo aksesor që ka lidhje më të shkuarën. Vjen si mjek i ditëve të sotme. Ai shfaqet si shëronjësi i Arapëve të gjymtuar nga hajduti, i cili tenton të rrëmbejë nusen. Hajduti personifikohet si personazh negativ. Hajduti është i veshur me të zezë. Pastaj janë arixhofkat, apo cigankat, infermierja, hoxha, arabët, që shoqërojnë gamilen,  etj.

Libri studimor , Arapët e Polenës

Arapët janë rit tejet i lashtë, rrënjët e të cilit nuk janë lehtësisht të identifikueshme.Një ndër banorët e intervistuar për studimin, do të thoshte se “nuk bën t’i quajmë arapë e na zemërohen ata me ngjyrë”. Emërtimi nuk ka të bëjë me përkatësi racore, siç e shpjegojnë edhe banorë të tjerë, del në konkluzion studiuesja.  Emërtimi është trashëguar nga veshjet e errëta, lyerjen me bojë të zezë të gjymtyrëve apo pjesëve të tera të trupit.

Studiuesja Sela me banorët e Polenës

Një tjetër veçanti e këtij riti të lashtë e mistik, fshehur e ruajtur me aq fanatizëm nga banorët e Polenës, është se të maskuarit janë të gjithë meshkuj – edhe ai që bën rolin e nuses.Në këtë ri nuk pranohet ë marrin pjesë vajzat, pasi ato kanë një rit tjetër enkas, për vajza e gra, që është riti i Rusticave.

Riti i Arapëve, njohur ndryshe si Rrogeçët apo Karnavalet e Polenës, është i ngjashëm me procesionin e karnavaleve, që në shekullin e 14-të nis më 26 dhjetor  deri më 6 janar dhe gjatë këtyre ditëve,  “bota kthehej përmbys”. “Kjo njihet si periudha 12 ditore nga Krishtlindja tek Epifania”, thotë Sela, duke shtuar se prejardhja  e këtij rituali vjen nga ritet rurale mbi fertilitetin  dhe pranverën.Qëllimi i kësaj shfaqjeje popullore, e cila në formën origjinale kremtohet vetëm në fshat, është shpëtimi i ritit të martesës.

Nusja dhe dhëndri gjatë ritualit

Sipas Selës, kjo shfaqje përpiqet të përfaqësojë të gjithë etnitë, “ kanë grupin e arixhinjve që bëjnë shporta, sjellin indianë, gamile me arab. Kanë një strukturë druri gamilesh dhe supozohet se nusen do ta martojnë në një vend të largët”.  Gamilen si element, nga fotografitë e gjejmë nga 1991, por mund të jetë shumë i hershëm, edhe para luftës, mendon studiuesja.

Edhe riti i Arapëve të Polenës, si çdo ritual religjioz u ndal pas vitit 1967, fushatës më të madhe që partia-shtet  ndërmori kundër kulteve fetare. “Por pas ’90, u rikthye nga banorët me shumë dashuri. Shumë prej tyre i kishin ruajtur maskat në sëndukë dhe gjithashtu nisën të bënin maska të tjera”.

Maskimi është një proces i lashtë sa vetë njerëzimi. Nga lind dëshira për t’u maskuar? Çfarë tjetërsimi përveçse vizual sjell maskimi? Lashtësia e kremtimeve të tilla pohohet jo vetëm nga forma primitive e maskimit, por edhe se studiues të ndryshëm kanë dalë në përfundimin se kremtime të tilla kanë qenë frymëzim për krijimin e shfaqjeve teatrale, të frymëzuara nga populli.

Grekët i kremtonin 1100 vjet para Krishtit dhe është nga kremtimet më të hershme pagane.Ka edhe  teza se karnavalet lidhen me adhurimin e Isisit, perëndeshës së madhe egjiptiane të diellit që trashëgonte fuqinë e hyjnisë Ra.  Sipas traditës këto kremtime zhvillohen në dimër, festime si Bachanalia, në emër të Bakut apo Dionisit, apo Saturnalia në ndër të Saturnit, mbreti i saturnalias ishte një karakter satirik, i cili sillej si perandor gjatë gjithë karnavalit.

Athinasit e kremtonin karnavalin për 3 ditë, ku mbahej një konstruksion prej druri që kremtonte Dionisin,  në një varkë dhe krijonte idenë e lundrimit.  Ky lloj parakalimi në Romë u quajt “carrus navalis” që do të thotë “grup me qerre”, më vonë u shndërrua në karnaval.

Krishterimi u përpoqa vishte me ngjyrat e tij , pasi termi u shndërrua në “carnival”, shpjegimi ishte “carne vale”, apo “lamtumirë mish”, lidhet me lamtumirën e përkohshme dhe vetëpërmbajtje ndaj mishit dhe të gjithë kënaqësive të tjera që të krishterët duhet të respektojnë gjatë periudhës së kreshmëve,  para Pashkëve.  Kundërshtia  e prejardhjes së karnavaleve sot nga kreshmimi i krishterë mbijeton sepse ka përmbushur kërkesat e kohëve moderne dhe post industriale.

Studiuesja, Dr. Jonida Sela

Maska, është  një marrëdhënie mes së zakonshmes dhe të jashtëzakonshmes. Ilirët i përdornin jo vetëm për argëtime, por edhe për kremtime pagane. Maska lufte, rituale apo spektakli, të tria janë me orgjinë ritualistike. Në Europë maskat janë shfaqur që në periudhën paleolitike. Datojnë prej 30 mijë vitesh. Dëshmi e gjallë e këtij fakti janë Arapët e Polenës.  Ka shumë shembuj të transformimit magjik-religjioz, që vjen si pasojë e mbajtjes së maskës. Eskimezët besojnë se personi lidhet  në mënyrë të mistershme nga shpirti që përfaqëson maska.  Zbërthimet teorike hedhin dritë mbi këtë fenomen të tjetërsimit të individit për shkak të maskimit. Qoftë për spektakle, funerale, apo rituale, maska është një instrument ekstaze.Ai që mban maskë nuk është më vetvetja, bëhet dikush tjetër.

Po cila është arsyeja që ky rit pagan kremtohet në po të njëjtën ditë me një tjetër të krishterë, si Uji i Bekuar. A është ky një element parakristian?“Besimi është munduar që traditat pagane, t’i marrë t’i përqafojë e t’i sjellë në disa versione”, thotë Sela, ndërsa për krishterimin identifikimi me maskën është identifikimi me të keqin, ndërsa i miri nuk mban maskë. Edhe banorët marrin pjesë në ritin e Ujit të Bekuar, pastaj maskohen për festën. “Arapët nuk flasin dhe rrit mistiken e maskës, në momentin që nuk flasin rrit besueshmërinë e maskës dhe personit që ke përballë. Tregon që riti ka lindur në një moment ku fjala dhe komunikimi nuk ishin shumë aktive. Gjithçka ndodh përmes veprimeve”, zbulon Sela, e cila i ka ndjekur kremtimet nga afër e po ashtu edhe punimet e maskave artizanale, të bëra kryesisht nga lëkurët e kafshëve.

Arapët e Polenës është shfaqje popullore që vjen deri në ditët tona si dëshmi e traditës, por edhe një formë e hershme e artit dramatik dhe pantomimës. Aty duken gjurmë të ceremonive, riteve nga kultet e lashta, gjenden elemente të dokeve  dhe zakoneve, elementë mitologjikë.

Arapët. Nusja, dhëndri, doktori e hajduti janë të ngjashëm me Arlekinin, të Dashuruarit, Doktorit dhe Hajdutit në Commedia del Arte.Historia e teatrit botëror jep jo pak shembuj kur motive folklorike apo legjenda, saga e gojëdhëna kanë qenë muza e veprave të mëdha artistike. Commedia del Arte është frymëzuar nga shfaqje popullore, është i mendimit studiuesi Ramadan Sokoli.

Në punishten e Thoma Dudos, Polenë

Gjini që lulëzoi në Itali e frymëzohej nga shfaqjet popullore dhe personazhet e tyre, të pandryshueshëm. Përfaqësues të jetës së përditshme e me vese, dëshira, frikëra, ambicie,  ankthe u shfrytëzuan nga Commedia del Arte për t’u përdorur  si elementë të strukturë së dramaturgjisë së saj, të pandryshuar. Commedia njihet edhe si teatri me maska, ku ekzagjeroheshin  karakteret.

“Ramadan Sokoli i sheh të i sheh shfaqjet popullore si fillesa të para teatrit.Teatri ka lindur ngarriti nga festat dionizake, kantinat, për arsye bujqësore dhe blegtorale”, thotë Sela. Polena është një fshat, ku banorët e saj janë të përkushtuar në punën e bujqësisë e blegtorisë, ku mbillen lloje drithërash, qiqra e fasule.

Sipas Selës, ky projekt i bëri banorët t’u rikthehet   interesi tek maskat artizanale. “Qëllimi i këtij projekti ishte rikthimi tek artizanati i maskave”.

Por nga ka ardhur ky rit? A janë polenarët shqiptar apo pjesë e një komuniteti minoritar, që mund të kenë emigruar qysh herët në juglindje të Shqipërisë?“Nga gjuha janë shqiptarë. Flasin  shqip, kremtojnë shqip, nëse flasin një gjuhë tjetër e kanë mësuar , por nuk është e trashëguar . Një pjesë e shatit ka emigruar në Ohër por nuk ka pasur lidhje me prejardhjen e tyre”, thotë Sela, duke shtuar se Korça i përqafoi më shpejt traditat aristokrate të Karnavaleve dhe i braktisi këto si të vjetra.

Për t’i shtuar elementë më shumë lashtësisë së këtij riti, por edhe me ngjashmërinë me shfaqjet teatrore apo parateatrin, është edhe hiri. Siç tregon Sela, Arapët mbajnë nga një qeskë me hi. “Në traditën tonë, por edhe në tradita të tjera, hiri është përdorur si element dezinfektimi. Me hi gjuajnë edhe njerëzit, por për efekt loje dhe më pas e shpërndajnë në tokë, si për ta dezinfektuar e për ta bërë gati për të mbjellat. Në vende të ftohta siç është Polena, pranvera mezi pritet”, thotë ajo.

Gjithashtu, me hirin, performuesit e Arapëve të Polenës bëjnë një rreth, ashtu si në lashtësi, për të krijuar distancën mes skenës së lojës dhe vëzhguesve.

Shfaqje popullore për argëtim apo shpërfaqje e mistikës dhe totemizmit në kulturat pagane, Arapët e Polenës janë nga ata shembuj që kanë mbërritur nga lashtëia të pandryshueshëm, duke kremtuar si shoqëritë e hershme e duke shpresuar tek perënditë për të mbjella e të korra të mbara e vazhdimësinë e jetës./S.B


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë