Interviste

“Anëtarësimi i Shqipërisë, thelbësor për Greqinë!”

Në një intervistë të pazakontë, ministri grek i Punëve të Jashtme, Nikos Kotzias, ka këmbëngulur për rëndësinë e hapjes së negociatave me Maqedoninë dhe Shqipërinë, duke thënë se perspektiva europiane është rruga e vetme për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor dhe se do të ishte thelbësor për të ardhmen e Greqisë dhe rajonit.

Sipas Kotzias, nëse ndonjë vend i BE-së e sheh si problem anëtarësimin e Maqedonsë dhe Shqipërinë, duhet të kishte reaguar apo njofuar më parë. Ministri i jashtëm grek deklaroi në një intervistë me “Euroactiv”, se Greqia është e angazhuar për zgjidhjen e problemeve me Shqipërinë, duke përfshirë edhe çështjen çame dhe kufirin detar mes dy vendeve.

Si mund të ndikojë marrëveshja e borxhit grek në politikën e jashtme të vendit, meqenëse keni ndërmarrë një sërë iniciativash për të normalizuar marrëdhëniet në Ballkan?

Ne kemi ndërmarrë një sërë nismash. Unë vij nga Rodosi, ishull në të cilin Greqia ka organizuar nismën e Rodosit me pjesëmarrjen e 25 shteteve arabe dhe evropiane. Më lejoni të theksoj se tre vjet më parë ishim vetëm 11 shtete. Kjo është një nismë që synon të krijojë një axhendë pozitive midis botës arabe, Mesdheut dhe Evropës Juglindore. Ajo që jemi përpjekur të bëjmë në tre vitet e fundit është të nxjerrim Greqinë nga moçali ku është bllokuar dhe të mos bëhemi "barrë" e askujt. Mendoj se politika e jashtme që po ndjekim, tregoi potencialin tonë dhe formoi gjithashtu perceptimin e rolit gjeostrategjik të Greqisë.

Ministri i Jashtem Ditmir Bushati, gjate nje konference te perbashket shtypi me Ministrin e Jashtem te Greqise, Nikos Kotzias

Ju folët kohët e fundit për ekzistencën e një fronti të vendeve të Evropës Veriore, të cilat kanë shprehur shqetësime të mëdha në lidhje me anëtarësimin e Shkupit dhe Shqipërisë. Çfarë prisni nga Këshilli i Ministrave të Jashtëm të BE-së javën e ardhshme?

Ata kanë shprehur kundërshtimet e tyre me shkrim. Debati i vërtetë do të fillojë kur zgjerimi të jetë në krye të agjendës së BE-së. Mendoj se shumë shtete të rëndësishme europiane janë përfshirë në një sërë mosmarrëveshjesh për zgjerimin e Bashkimit Europian. Sipas mendimit tonë, për aq kohë sa Komisioni Europian vendos këtë verë për hapjen e negociatave zyrtare me Maqedoninë Veriore dhe Shqipërinë, ne do t’i mbështesim të dyja vendet fqinje. Unë do të doja t’i bëja një apel të gjitha palëve të përfshira se pavarësisht problemeve në këto vende, ne duhet të mendojmë për të ardhmen e tyre, duke realizuarr një proces monitorimi dhe shqyrtimi, në mënyrë që t’i zgjidhin këtë probleme në mënyrë më efikase. U kam thënë homologëve të mi se mund të jenë strikte sa të duan, por kjo nuk do ta ndihmojë as BE-në dhe as rajonin. Kam frikë se nëse Maqedonisë Veriore nuk i jepet një datë për anëtarësimin, të gjitha përpjekjet që kemi bërë me sakrifica dhe kompromise të mëdha, nga dyja palët, mund të rrezikohen. Për më tepër, nëse një nga dy vendet hap zyrtarisht negociatat, dhe le të themi për shembull Maqedonia dhe Shqipëria lihet jashtë, rajoni do të pushtohet nga një gjendje e vazhdueshme jostabiliteti. Nëse disa vende kanë probleme me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, ato duhet t'i kishin njoftuar më parë. Tani na është vënë para tavolinës raporti i Komisionit dhe propozimi për të shqyrtuar hapjen e negociatave. Evropa duhet ta mbajë fjalën e saj.

Cilat vende kanë kundërshtuar deri më tani hapjen e negoociatave me Maqedoninë dhe Shqipërinë?

Në fillim, ishin Danimarka, Belgjika, Holanda dhe Franca. Kishte edhe disa kontradikta në politikën gjermane. Në Gjermani ekziston një konflikt brenda koalicionit qeverisës dhe kjo bën që Angela Merkel te jetë mjaft e kujdesshme në lidhje me zgjerimin e BE-së. As francezët nga ana tjetër, nuk janë të kënaqur me mënyrën se si po shkon debati për të ardhmen e Evropës. Edhe holandezët kanë shprehur pakënaqësira, por mendoj se do të jetë e lehtë t'i kapërcejmë. Zgjidhja e vetme është ta ulim Francën në një tavolinë së bashku me Gjermaninë për të shmangur destabilizimin e Ballkanit.

A mendoni se pas shumë vitesh, vendet e Ballkanit po zgjidhin problemet e tyre, por disa vende evropiane nuk duan ta shohin?

Greqia është një mik i të gjitha vendeve të Ballkanit. Ne kemi një miqësi tradicionale me Serbinë, por me të vërtetë pyes veten edhe për sa kohë do të qëndrojë Shqipëria duarkryq, duke parë Serbinë tek përshpejton negociatat, ndërkohë që Tirana nuk i ka filluar fare? Këto janë faktorë destabilizues, të cilave qeveritë ballkanike nuk kanë arritur t'i mbijetojnë. Siç e ka treguar edhe historia, ndryshimet në rajonin e Ballkanit nuk kanë qenë kurrë të lehta apo të këndshme.

Shumica dërrmuese e qeverive evropiane e mirëpritën marrëveshjen me Maqedoninë përveç kryeministrit hungarez, Victor Orban. Çfarë mendoni për këtë çështje?

Ky ka qënë lajmi më i mirë në Evropë, gjatë pesë vitet e fundit. Është një zgjidhje për pothuajse çdo problem të BE-së, krizën në eurozonë, Brexit dhe krizën e refugjatëve. Është e rëndësishme të theksohet se zgjidhja e mosmarrëveshjes së emrit ndihmon në njohjen e potencialit të diplomacisë europiane për të zgjidhur problemet. Megjithatë, Këshilli Europian nuk ka dhënë asnjë deklaratë. Disa anëtarë individualë përgëzuan të dyja palët, por asnjë deklaratë zyrtare. Partitë opozitare në Shkup dhe Athinë janë të shqetësuara nga kompromiset që janë arritur. Ata kanë ushqyer prej vitesh mungesën e një zgjidhjeje për problemet e rajonit dhe përballen tanime me vështirësinë për t’u përshtatur.

A besoni se partia greke Demokracia e Re do të miratojë marrëveshjen? Dhe a do ta përballojë qeveria e Zaev presionin?

Gjatë një diskutimi në parlamentin grek, i thashë opozitës se ajo vepron si degë e VMRO-së në Athinë [VMRO-DPMNE është partia e ish-kryeministrit Nikola Gruevski]. Opozita në Shkup akuzon Zaev se i ka dhënë gjithçka Greqisë, ndërkohë që ne në Athinë, po na akuzojnë se i kemi dhënë gjithçka Zaevit. E vërteta është se sot nuk ka më barriera. Qeveritë e Maqedonisë Veriore dhe Greqisë mbështesin zgjidhjen, bashkëpunimin mes dy vendeve dhe orientimin europian për të mirën e popullit të tyre. Nga ana tjetër, si në Greqi ashtu dhe Maqedoni ka forca që kanë luajtur lojëra politike dhe kanë përfituar nga problemet mes dy vendeve, duke minuar të ardhmen e demokracisë dhe të popujve të tyre. Unë besoj se Zaev nuk do të gjunjëzohet përpara presionit. Ai është një politikan shumë më i shkathët se sa duket në shikim të parë.

A jeni pranë një zgjidhjeje me Shqipërinë në lidhje me Zonën Ekonomike Ekskluzive (ZEE)?

Shikoni, ne kemi probleme 100-vjeçare me Shqipërinë. Për shembull, ne jemi ende në gjendje lufte. Jemi të dy anëtarë të NATO-s, kemi nënshkruar një pakt miqësie, por jemi ende gjendje lufte. Ne i kemi vëndosur të gjitha këto probleme në tavolinë. Kemi zgjidhur tashmë disa çështje të vogla, veçanërisht ato që ndihmojnë punëtorët ose emigrantët nga Shqipëria. Tani duhet të gjejmë zgjidhje për çështjet e mëdha. Komiteti i përbashkët i ekspertëve dhe teknokratëve u takua në Athinë për të zgjidhur çështjen e kufirit detar. Unë mendoj se ne do ta zgjidhim këtë çështje, për aq kohë sa partitë e opozitës në të dyja shtetet të mos fillojnë të reagojnë në mënyrë histerike. Jam shumë i shqetësuar për deklaratat e opozitës greke. Ata thonë se po diskutojmë çështjen e Çamërisë, kur ne fakt ne nuk e kemi diskutuar fare. Madje do t'ju rrëfej se për herë të pare kjo çështje është diskutuar nga një qeveri tjetër, në fillim të viteve 1990. Por, në përgjithësi, partitë e opozitës tentojnë të nxisin paragjykimet që ekzistojnë në Greqi në lidhje me këtë çështje. Ata gjithashtu thonë se ne po braktisim Epirin e Veriut. Nëse opozita greke nuk e ka kuptuar ende, në traktatet ndërkombëtare dhe Aktin Final të Helsinkit, Epiri i Veriut është pjesë e Shqipërisë dhe nuk kemi ndërmend të ndryshojmë kufijtë. Këto janë psikoza që dëmtojnë vendin dhe nuk kanë të bëjnë fare me politikën evropiane të dialogut dhe kompromisit. Ballkani, së bashku me Greqinë, e cila ka më shumë përvojë, duhet të ecin së bashku drejt një të ardhmeje evropiane. Duke qënë se vendet e rajonit janë të vogla, asnjë prej tyre nuk do të ketë shumë peshë në Bashkimin Europian. Mali i Zi me 800,000 banorë, Maqedonia e Veriut me 1.6 miliona apo Shqipëria me 2.5 milion, nuk do të ketë asnjë rol të rëndësishëm në një union me 600 milion banorë. As Greqia me 11 milionë. Sidoqoftë, të gjithë do të kemi një rol të rëndësishëm qoftë se i përmbahemi një plani për të zhvilluar rajonin tonë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë