Analize

Ambiciet e mëdha rajonale të Iranit, fshehin brishtësinë e brendshme të regjimit

Nga Cornelius Adebahr- Po të mos ishte një çështje kaq serioze, dikush mund ta quante Iranin si një vend vazhdimisht të aftë të ri-ngrihet nga hiri. Në vjeshtën e vitit 2022, kur protestat u përhapën me shpejti në të gjithë vendin pas vdekjes së Mahsa Jina Amini, shumë analistë parashikuan dhe uruan fundin e Republikës Islamike.

Por vetëm një vit më vonë, pas akteve mizori të Hamasit në Izrael, dhe me rebelët jemenas  Houthi që po sulmojnë vazhdimisht anijet tregtare që kalojnë në Detin e Kuq, Teherani po përshkruhet si e keqja e gjithëfuqishme që qëndron prapa krizave më të fundit që po përjeton rajoni.

Ky realitet është bërë më se i zakonshëm. Regjimi mbetet shumë i brishtë në shtëpi, por arrin të përdorë me mjeshtëri çdo mundësi në skenën ndërkombëtare për të shtuar ndikimin e tij.

Si një gjigant me këmbë prej argjile, sipas referencës biblike mbi Perandorinë Perse të antikitetit, Irani duket si një shtet i plotfuqishëm, por është në të njëjtën kohë shumë i prekshëm ndaj sfidave dhe krizave.

Në fakt, gjatë 2 viteve të fundit, kanë ndodhur ndryshime të rëndësishme në tre nivele - rajonal, global dhe vendor. Politikë-bërësit evropianë duhet t’i kenë parasysh ato, dhe t’u përshtaten. Konceptet e vjetra të Republikës Islamike nuk po i shërbejnë më.

Në nivel rajonal Irani vepron kryesisht përmes të ashtuquajturve ‘përfaqësues’, që supozohet se komandon. Nga Hezbollahu në Liban dhe Hamasi në Gaza, dhe nga Organizata Badr dhe Kataib Hezbollahu në Irak tek Houth-it në Jemenit, Teherani bashkëpunon vërtet ngushtë me organizatat që ndajnë qëllimet e tij.

Ky bashkëpunim buron nga një armiqësi e përbashkët që ata kanë ndaj Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara. Megjithatë, zakonisht mbivlerësohet shkalla e kontrollit të Iranit mbi veprimet e këtyre grupeve, dhe kjo tregohet nga përvoja shumëvjeçare me Hamasin, kur palestinezët refuzuan të mbështesnin aleatin e Iranit në luftën civile siriane.

Apo kur Teherani hasi vështirësi, për të ulur tensionet e shkaktuara nga një sulm vdekjeprurës i milicisë irakiane kundër një baze amerikane në Jordani në shkurt të këtij viti. Teherani e ka përdorur dinamikën e viteve të fundit për të ushtruar presion ndaj fqinjëve të tij për bashkëpunim dhe jo për përplasje.

Kur shtetet e Gjirit kundërshtuan me vendosmëri rehabilitimin ndërkombëtar të Iranit si pjesë e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, ata filluan që të kontaktojnë Teheranin. Ky ndryshim ndodhi pasi Uashingtoni nuk iu erdhi në ndihmë pas një sërë sulmesh të sponsorizuara nga Irani në territorin e tyre në vitin 2019.

Ndërsa disa vende arabe kërkuan normalizim të raporteve me Izraelin sipas Marrëveshjeve të Abrahamit, ata kërkuan gjithashtu dakordësi me Iranin në terma shumë praktikë, nga shkëmbimet tregtare tek çështjet e pelegrinazhit dhe siguria detare.

Pak më shumë se një vit më parë dhe me ndërmjetësimin e Pekinit, Riadi dhe Teherani rivendosën marrëdhëniet diplomatike të ndërprera në fillim të vitit 2016 për një mosmarrëveshje sektare. Në nivelin ndërkombëtar, Irani nuk synon më të shtrihet drejt Perëndimit, siç veproi gjatë negociatave 10-vjeçare mbi programin e tij bërthamor.

Tërheqja e Shteteve të Bashkuara nga e ashtuquajtura marrëveshje bërthamore nën presidentin e atëhershëm Donald Trump dhe mos-rivendosja e saj nën presidentin Joe Biden tregoi në sytë e Teheranit pabesueshmërinë e plotë të Amerikës. Ndërkohë, Evropa shihte e pafuqishme në cep, duke e nënvizuar më tej mungesën e rëndësisë së kontinentit në arenën globale.

Përkundrazi, Irani është ankoruar fort jo aq shumë në “Lindje”, por në kampin anti-perëndimor, ose të paktën tek “alternativat ndaj Perëndimit”. Nga pikëpamja evropiane, skenari kryesor është bashkëpunimi ushtarak në zhvillim i Teheranit me Rusinë, i cili përfshin sigurimin e dronëve, dhe siç po thuhet edhe të raketave për luftën e Kremlinit kundër Ukrainës.

Ky skenar përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë - dhe jo vetëm hipotetik, por me shpërthimin e ndonjë bombë bërthamore - për sigurinë evropiane. Verën e vitit të kaluar, Irani iu bashkua Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait të udhëhequr nga Kina-Rusi, e cila shmangu  fokusin e saj origjinal, Azinë Qendrore, për të përfshirë Indinë dhe Pakistanin.

Që nga viti 2024, Irani është një anëtar i BRICS së bashku me Egjiptin, Etiopinë dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Së fundi, Republika Islamike është sot e fokusuar tek mbijetesa e regjimit, duke pasur pak ose aspak energji për t’u marrë me shqetësimet më elementare të popullsisë iraniane.

Zgjedhjet e fundit parlamentare, e bënë të qartë se lidershipit nuk i intereson më mbulesa e legjitimitetit popullor që pëlqente të mbante dikur. Ai spastroi listat zgjedhore nga të gjithë kandidatët që nuk ishin në përputhje me ato pak nuanca të konservatorizmit që lejoi.

Kjo solli një pjesëmarrje të ulët në nivele rekord - vetëm 41 për qind - dhe shumë vota të pavlefshme. Teksa parlamenti  mbetet nën kontrollin e Liderit Suprem, sytë janë drejtuar nga “gara” presidenciale e vitit të ardhshëm, që duhet të sjellë konfirmimin, siç është zakon nën Republikën Islamike dhe pavarësisht qeverisjes së tij të keqe, të presidentit aktual, Ebrahim Raisi, për një mandat të dytë.

Kjo do t’i hapë rrugën tranzicionit të pashmangshëm në udhëheqësin e vendit, duke pasur parasysh moshën e Liderit Suprem aktual Ali Khamenei - aktualisht 85 vjeç - dhe shëndetit të tij të dobët. Pas vdekjes së tij, Asambleja e Ekspertëve do të emërojë një pasardhës.

Dhe ky organ sapo është mbushur me klerikë të linjës së ashpër për një mandat 8- vjeçar. Duke pasur parasysh se tranzicioni i fundit i këtij lloji ndodhi 35 vjet më parë, si pasojë e luftës Irak-Iran, ky moment do të jetë një pikë e rëndësishme dhe ndoshta më përcaktuesja e kursit të do të ndjekë Irani në të ardhmen.

Evropa duhet ta shohë Iranin për atë që është, dhe jo si ajo që duhet të jetë. Sot regjimi iranian është shumë më pak i izoluar në nivel rajonal dhe ndërkombëtar se sa disa vite më parë. Vendet mike me të po ndjekin me kokëfortësi interesat e tyre duke e ndihmuar Teheranin.

Por në të njëjtën kohë regjimi është më i pasigurt për të ardhmen e tij, sesa do të sugjeronte shtypja brutale por e suksesshme e revoltës disamujore feministe gjatë viteve 2022-2023. Njëkohësisht, qasja e vetë BE-së - akoma më shumë sanksione - duket se ka hyrë në një rrugë pa krye. Vetëm me një vlerësim të matur dhe gjithëpërfshirës të morisë së sfidave që Irani paraqet për Evropën, Brukseli mund të hartojë një politikë e cila do të ketë shansin për të qenë efektive në terren.

Burimi: Carnegie Europe. Përshtati: Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë