Politike

Ambasadorja e OSBE: Grupi ‘Bardhi’ duhet të jetë pjesë e reformës zgjedhore, do zhgënjehesha nëse nuk e bëjnë

Kryetarja në detyrë e OSBE në Tiranë, Clarisse Pastory, ka kërkuar që  të gjithë aktorët politikë të bëhen pjesë e tryezës për Reformën Zgjedhore që nis zyrtarisht të premten. E pyetur nga Vision Plus nëse pjesë e këtyre takimeve duhet të jetë edhe Gazment Bardhi, ajo u përgjigj:  

“Të gjitha partitë politike, por jo vetëm partitë politike – të marrin pjesë, të kenë mundësinë të shprehin idetë e tyre, të bëjnë sugjerime dhe të dëgjohen. Kjo do të thotë gjithëpërfshirëse. Së dyti, po, sigurisht, nuk kam asnjë dyshim që edhe grupi i z. Bardhi duhet të përfshihet njësoj. Mendoj se ju i referoheni çështjes së kryesimit dhe këtë u mundova të them më parë. Për mua, kjo është një çështje dytësore: kryetari kryeson, kryetari organizon punën e komisionit, kryetari nuk vendos vetë për rezultatet. Janë pjesëmarrësit, të gjithë ata që marrin pjesë aktivisht, që kontribuojnë, që bëjnë sugjerime, të cilët vendosin, dhe, në fund, nuk është as komisioni i posaçëm dhe madje as komisioni i përhershëm, por i tërë parlamenti që voton për ndryshimet. Pra, është një proces parlamentar, ku të gjithë ata që janë në parlament kanë rol. Tani jemi në fazën kur, më në fund mund të them, do të fillojë puna përmbajtësore në komisionin e posaçëm, dhe shpresoj vërtet që të gjithë pjesëmarrësit ta përdorin këtë instrument, këtë komision, të shkojnë atje, të marrin pjesë, të bëjnë sugjerime aktive”, tha ajo. Më tej, ambasadorja vërejti: “Do të zhgënjehesha pa masë nëse ata nuk do të merrnin pjesë dhe nëse do ta humbin mundësinë për të bërë sugjerimet e tyre, të cilat jam e bindur që janë të mirëmenduara dhe të mirëmbështetura”.

Edhe pse vonë me reformën, ajo nënvizon se gjithcka mund të arrihet nëse ka vullnet për zgjidhje.

“Tani është koha për t’u ulur dhe për të arritur në përfundime. Është e rëndësishme të mbahet parasysh se, si rregull, kuadri zgjedhor duhet të jetë realisht i përfunduar jo më vonë se një vit përpara zgjedhjeve. Kjo është praktikë e mirë ndërkombëtare dhe kjo kohë i duhet Komisionit Qendror të Zgjedhjeve si edhe institucioneve të tjera përgjegjëse për të bërë zbatuar ndryshimet dhe për t’u përgatitur siç duhet. Pra, nëse keni zgjedhje pranverën e vitit të ardhshëm, tik-taku i kohës nuk ndalet, siç themi gjithmonë, dhe është mirë të shpejtoni”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë