Futboll

Altin Lala, ‘muzikanti’ kampion që u shndërrua në kapiten i Kombëtares kuqezi

Në një takim të mësuesve të edukimit fizik të 116 shkollave, gjatë trajnimit me instruktorë të FIFA-s për futjen e futbollit në shkolla, Altin Lala, kapiteni legjendar i Kombëtares sonë, me 79 ndeshje si kuqezi, ka treguar për herë të pare, pas shumë vitesh që ka varur “këpucët në gozhdë”, fillesat e tij të lojës më të bukur në botë.

Karriera e Lalës nuk ka filluar si e shumë lojtarëve në botë, që fëmijë i vogël, por çuditërisht një nga futbollistët më të mirë të futbollit shqiptar dhe më të suksesshëm edhe në Gjermani, si kapiten i Hanoverit, e filloi karrierën thuajse si adoleshent, në moshën 13-vjeçare.

"E fillova në moshën 13-vjeçare me trajner, legjendën e Dinamos, Ilir Përnaskën, po te skuadra kryeqytetase e moshave. Megjithatë, unë futbollin e vërtetë e kisha filluar në shkollë dhe kontaktin e parë e kisha me profesorin e fizkulturës në atë kohë.

Duke qenë se jetoj në Gjermani prej shumë vitesh, mund t'ju them se kur Gjermania u shpall kampione bote në vitin 2014, asnjëri prej 23-shes që ishin në atë Botëror nuk e kishte filluar karrierën me një klub të Bundesligës, duke u aktivizuar në fillim në fshatra, në qytete të vogla dhe skuadra lokale, për të mbërritur te klubet e mëdha."

Sot 47 vjeç, me shumë trofe mbi supe nga 394 ndeshjet e luajtura  si profesionist në Bundesligë, Altin Lala tregon, se trofeun e parë të tij e ka fituar nga një kampionat shkollash në Tiranë dhe si për ironi, me shkollën e tij të muzikës në atë kohë, shkolla 8-vjeçare e atyre viteve, "Dëshmorët e Lirisë".

"Zhvillohej një kampionat i të gjithë lagjes sonë, ku ishin 4 shkolla: "Emin Duraku", "11 janari", "Vasil Shanto" dhe "Dëshmorët e Lirisë". Në atë kohë, trajneri im te Dinamo, Ilir Përnaska, ishte mësues i edukimit fizik te shkolla "Emin Duraku", ndërkohë që profesori i fizkulturës që unë kisha, duke qenë se ishte shkollë muzike, nuk merrte vesh fare nga futbolli. Erdhi aty na mblodhi dhe na pyeste se kush ishte ndonjëri që kuptonte diçka më tepër nga futbolli dhe të gjithë i thanë emrin tim, Lala, ai i vogli. Unë duke qenë gjithmonë me trup të vogël, më thërrisnin “I vogli” dhe gjithmonë isha i nënvlerësuar. Më thërriti veç dhe më tha, unë s’marr vesh fare nga futbolli bëje ti."

Kështu, Altin Lala mori edhe rolin e liderit, trajnerit që në moshë fare të vogël për të organizuar skuadrën e klasës dhe shkollës së tij në këtë kampionat shkollash.

"I thashë profesorit, e di unë si do ta bëjmë, do t'i rreshtojmë të gjithë pas, të lemë vetëm njërin para, që ishte më i shpejtë dhe majtosh, Edison e kishte emrin, e kujtoj si tani. (ishte dhe më i miri në matematikë ai)," - tregon Lala duke qeshur.

Pasi fituan dy ndeshjet e para, skuadra e kapitenit Lala arriti në finale përballë shkollës së trajnerit të tij profesionist, Ilir Përnaskës, "Emin Durakut".

"Ekipi i profesor Përnaskës kishte edhe 3-4 lojtarë që luanin me Dinamon në atë kohë, ndërsa përballë ishim ne shkolla e muzikës: unë kisha në ekip nxënës që i binin violës, violincelit. Megjithatë ne shënuam 3 gola dhe ata 1, duke fituar ne kampionatin e shkollave 8-vjeçare. Kjo ishte medalja ime e parë dhe certifikata për arritjen si sportist shkolle. Megjithatë, problem ishte kur shkova pasdite në stërvitje, ku trajneri im Përnaska, që unë kisha respekt shumë, pasi më mbrapa kur kuptoja më tepër nga futbolli, më dukej si Gerd Myleri i Shqipërisë, më nxori para shokëve të ekipit, duke më thënë: "Po ti më... pse s’më thua që luan sulmues unë të fus mbrojtës..."

Një histori e veçantë e një prej lojtarëve më të rëndësishëm që ka patur ekipi ynë kombëtar. Por edhe një herë, për të treguar rëndësinë e përkushtimit për sportin, futbollin, që Altinit i dha shumë në aspektin personal, por edhe Shqipërisë, falë arritjeve të kombëtares sonë kuqezi të atyre viteve. 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë