Nga Gazeta Si- Kërkesat për terapi këshillimi tek psikologu në moshat mbi 17-vjeç po rriten me shpejtësi.
Psikologët në Tiranë thonë se çrregullimet e ankthit, çrregullimet e sjelljes dhe depresioni janë problemet më të shpeshta, për të cilët adoleshentët kërkojnë konsulta me psikologun e psikiatrin.
E pyetur nga Gazetasi.al, psikologia Eksena Qirici thotë se më të prekurit kryesisht janë vajzat mbi 17-vjeç, që jetojnë në Tiranë por me origjinë janë nga rrethet.
“Në terapi kam të rritur që jetojnë me familjet në Tiranë, por kanë ardhur nga rrethet si Korça, Pogradeci, Fieri, Vlora, Kukësi, Elbasani, Berati. Mund të them se rastet vërehen nga pothuajse të gjitha rrethet.

Por ajo që është edhe më shqetësuese dhe tepër domethënëse për dinamikën që po marrin çrregullimet e mendjes është fakti se shpesh, rastet që trajtojmë përmbajnë të trija çrregullimet, të ankthit, sjelljes dhe depresioni, pra ato bashkëshoqërohen me njëra tjetrën për të formuar një kompleksitet diagnozash, e cila do të përkthehej, vështirësi si në identifikim ashtu edhe në trajtim”, thotë psikologia Qirici.
Sipas saj, vendi ynë është ende i paqartë por edhe i ç’organizuar kur flitet për mënyrën sesi identifikon një sjellje apo emocion që sjell vështirësi, mënyrën sesi mundohet ta korrigjojë por edhe për mënyrën sesi kërkon ndihmë profesionale.
Qirici thotë se është e rëndësishme të theksohet se kushtet për të diagnostikuar fëmijën jo gjithmonë janë të qarta dhe të mundura për të kuptuar të gjithë historinë e shqetësimit mendor që ka kaluar dhe kalon fëmija.
Kjo ndodh sepse në disa raste fëmijët mund të përjetojnë disa simptoma pa arsye.
“Por ajo që na çudit gjithmonë e më shumë si specialist të shëndetit të mendjes është rritja e numrit të të rinjve që tregojnë nivele të ulta të sistemit të vlerësimit të vetes, mungesë e theksuar e sistemit të besimit të vetes, në disa raste edhe vështirësi të mëdha në besimin se ata mund të ndryshojnë gjendjen e vetvetes. Sistemi i vlerësimit dhe besimit të vetes është një element me rëndësi që ndikon shumë në situatat ku humori është i çrregulluar”, shton psikologia Eksena Qirici.
Problemet e shëndetit mendor, kërkesa për trajtim dhe nga diaspora
Fëmijët dhe adoleshentët që jetojnë jashtë vendit, të cilët shfaqin probleme të çrregullimit të ankthit, sjelljes dhe depresionit, po kërkojnë gjithnjë e më shumë asistencë këshillimi e trajtimi nga psikologë shqiptarë.
Kërkesat nga diaspora për seanca me psikologun e psikiatrin po rriten dhe kjo sipas psikologëve, shpjegohet për shkak të lehtësisë së gjuhës dhe kuptueshmërisë kulturore.

“Rritja e mundësive të ndryshme sociale që nxisin trishtimin, mungesën e shpresës, mendimet negative për vlerën e vetes, zbrazëtia emocionale ka krijuar një shqetësim profesional se fëmijët dhe të rinjtë po përballen me vështirësi të shumta të shëndetit mendor.
Ajo që e vështirëson këtë gjendje është fakti se fëmijët dhe të rinjtë e kanë faktorin turp dhe presion social, element pengues për të thënë se diçka me ta nuk po shkon siç duhet”, thonë psikologët.
Sipas ekspertëve të shëndetit mendor, vështirësia më e madhe që kanë specialistët e shëndetit mendor në raport me fëmijët janë të rriturit dhe specifikisht prindërit.
“Prindërit janë pengues, janë shkaktarë, janë vështirësues të procesit të identifikimit të një gjendje jo të mirë të shëndetit të mendjes, por edhe jo lehtësues në proceset e trajtimit. Mos njohja dhe refuzimi për ta njohur rëndësinë e shëndetit të mendjes si një ndër gjendjet më të rëndësishme të shëndetit në përgjithësi, ka bërë që luhatjet e humorit dhe specifikisht depresioni të gjejë terren për tu zhvilluar si çrregullim”, thonë ekspertët e shëndetit mendor.
Çfarë zbulojmë shpesh si të përbashkët në historitë e të rinjve dhe fëmijëve që vuajnë nga depresioni apo çrregullimet e humorit?
Psikologët thonë se nga seancat e këshillimit me të rritur e fëmijë që vuajnë nga ankthi e depresioni, mësojnë për ngjarje të ndryshme sociale të cilat fëmijët i kanë të vështira për ti përballuar emocionalisht.
Dhuna në familje, divorci agresiv i prindërve, abuzime dhe ngacmime seksuale, pamundësi ekonomike, tallje nga bashkëmoshatarët, komunikimi agresiv dhe ofendues mbi tipare të personalitetit që nuk janë të pranueshme nga të tjerët, etj.
“Të gjitha këto ngjarje por edhe të tjera vijnë të raportuara nga personat që kërkojnë ndihmë si: kështu jam ndier që i/e vogël, i shihja të grindeshin me njëri-tjetrin dhe heshtja se nuk e përballoja dot emocioni që më krijonte ulërima e tyre, ndihesha keq dhe si e pavlerë sa herë më thoshte se nuk dija ti bëja gjërat mirë, rreth klasës së peste fillova të mos kisha besim tek vetja sepse të gjithë më thoshin përsëri se isha e ngathët dhe jo e bukur, ndihesha bosh emocionalisht dhe shkëputesha nga realiteti sa here e shihja atë dhe më kujtonte sesi më ishte afruar fizikisht, etj”, këto janë disa nga ngjarjet që përshkruajnë shumë të rinj kur flasim për historikun e emocioneve të tyre”, thotë psikologia Eksena Qirici.
Të rinjtë shprehen se shpesh në rrjetet sociale japin të kundërtën e asaj çka ndiejnë ose atë që duan të tjerët të shohin.
Pjesa sociale e teknologjisë tashmë po na tregon se po dëmton rëndë emocionet e të rinjve, për shkak të ftohtësisë emocionale që tregojnë “të tjerët” në atë që shohin.
Teknologjia po ndihmon që të rinjtë të fshihen emocionalisht pas ekranit duke u marr vetëm me vështirësitë e të tjerëve ose duke treguar atë që pranon shoqëria.
Presioni që krijojnë rrjetet sociale është tepër i fortë dhe i vështirë për tu përballuar nga të rinjtë të cilët janë në zhvillim e sipër emocional dhe konjitiv.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.