Inteligjenca Artificiale

AI mund të konsumojë ujë sa 1.3 miliardë njerëz deri në vitin 2030

Nga Gazeta ‘Si’- Deri në vitin 2030, konsumi i ujit i lidhur me përdorimin e inteligjencës artificiale (AI) mund të arrijë nivele të barasvlefshme me nevojat e 1.3 miliardë njerëzve në Afrikën Sub-Sahariane.

Ndërkohë, kërkesa për energji do të jetë pothuajse trefishi i konsumit vjetor të Pakistanit, Bangladeshit dhe Nigerisë së bashku, vende me rreth 650 milionë banorë.

Për sa i përket emetimeve, AI mund të gjenerojë deri në 400 milionë tonë CO₂ ekuivalent, një nivel i krahasueshëm me emetimet totale të Mbretërisë së Bashkuar. Po ashtu, infrastruktura dhe zinxhirët e furnizimit që mbështesin AI-në do të kërkojnë rreth 14.500 kilometra katrorë tokë- dyfishin e sipërfaqes së zonës metropolitane të Xhakartës ose dhjetë herë më shumë se Qyteti i Meksikës.

Këto janë disa nga përfundimet e një raporti të publikuar nga Instituti për Ujin, Mjedisin dhe Shëndetin i Universitetit të Kombeve të Bashkuara (UNU-INWEH). Raporti paralajmëron se ndikimi mjedisor i inteligjencës artificiale po nënvlerësohet sistematikisht dhe se pas çdo modeli apo algoritmi fshihet një infrastrukturë fizike me konsum të lartë energjie, uji dhe toke.

Sipas studimit, nëse qendrat e të dhënave që fuqizojnë inteligjencën artificiale do të përbënin një shtet më vete, konsumi i tyre aktual i energjisë elektrike- rreth 448 teravat-orë (TWh)- do të ishte i krahasueshëm me atë të Francës.

Profesor Kaveh Madani, drejtor i UNU-INWEH, theksoi se raporti nuk është kundër inteligjencës artificiale, por një thirrje për përdorimin e saj me përgjegjësi. Sipas tij, ekziston një dritare e ngushtë kohore për të siguruar që revolucioni teknologjik të zhvillohet brenda kufijve të qëndrueshmërisë planetare.

Një nga gjetjet më të rëndësishme të raportit lidhet me konsumin e energjisë. Ndryshe nga bindja e deritanishme se pjesa më e madhe e energjisë shpenzohet gjatë trajnimit të modeleve, studiuesit argumentojnë se 80–90% e konsumit total ndodh gjatë përdorimit të tyre të përditshëm nga publiku. Me fjalë të tjera, çdo pyetje që i drejtohet një chatbot-i si ChatGPT apo Gemini kontribuon në këtë konsum.

Raporti vlerëson gjithashtu se një bisedë e zakonshme me një chatbot konsumon rreth 200 herë më shumë energji sesa një funksion bazë i inteligjencës artificiale, si filtrimi i email-eve të padëshiruara. Gjenerimi i një imazhi sintetik kërkon rreth 1.400 herë më shumë energji, ndërsa krijimi i një videoje të shkurtër mund të arrijë deri në 200.000 herë më shumë.

Studiuesit ngrenë shqetësimin edhe për shpërndarjen e pabarabartë të kostove mjedisore. Ndërsa përfitimet e AI-së përqendrohen kryesisht në disa vende të zhvilluara, ndikimet negative si konsumi i ujit, emetimet e karbonit dhe mbetjet elektronike- shpërndahen globalisht, shpesh duke prekur më shumë vendet me burime të kufizuara.

Sipas parashikimeve, deri në vitin 2030 infrastruktura e inteligjencës artificiale do të gjenerojë rreth 2.5 milionë tonë mbetje elektronike në vit, kryesisht nga procesorët e vjetëruar.

Aktualisht, vetëm 16% e vendeve të botës disponojnë infrastrukturë të specializuar për zhvillimin dhe funksionimin e AI-së, ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe Kina zotërojnë rreth 90% të kapacitetit global.

Raporti rekomandon që qeveritë të kërkojnë raportim të standardizuar mbi gjurmën mjedisore të inteligjencës artificiale dhe që kompanitë të adoptojnë modele më efikase, duke përdorur sisteme më pak intensive për detyrat më të thjeshta. Transparenca dhe efikasiteti në projektim konsiderohen si elementët kyç për ta bërë zhvillimin e IA-së më të qëndrueshëm në të ardhmen./ El Pais


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë