Mendim

Afrimi i Luljeta Bozos në PS, … dhe “show must go on”

54 vite punë të Luljeta Bozos dhe i gjithë mendimi i saj akademik u shpërfaq gjatë debateve të gjata pas tërmetit të 26 Nëntorit këtu e dy vjet më parë.

Luljeta Bozo u kthye për shumëkënd figura ikonike e shkencëtares që fliste qartë dhe shkurt, që thumbonte sa të majtë e të djathtë për katrahurën dhe derexhenë e ndërtimit të sotëm.

Ishte mendimi dhe përpjekja solidare e njerëzve duke bërë diferencën, atë më të madhe, me politikën.

Luljeta Bozo tërhoqi deri edhe me stilin e saj të jetesës se si në një moshë të thyer, stërgjyshe ajo ende bënte shëtitjet pa gdhirë në rrugët e Tiranës dhe lexonte, lexonte pa fund gjatë ditëve të saj të bollshme.

Siç u shpreh dhe kryeministri, Luljeta Bozo u mendua, por nuk ia vështirësoi “Po”-në ftesës së tij për tu bërë pjesë e ekipit të PS.

Po për çfarë?

“Je njeriu i duhur, në kohën dhe vendin e duhur. Jo vetëm për ato momente kur u bërë një nënë, motër, gjyshe e dashur për qytetarët. Por dhe në pjesën pas, pasi ndihma jote ka vazhduar dhe ka qenë e vyer”, i tha Rama.

Në shterpësinë e emrave që Rama po kërkon me ngulm që të bëjë dallimin me PD, emri i Luljeta Bozos sigurisht që bën diferencën. Por vetëm për Ramën, vetëm për impaktin.

Sepse Luljeta Bozo një shkencëtare e mirëfilltë, një inxhinierie e pashoq me 35 libra mbi shpinë të botuara nuk u pyet as për atë për të cilin Rama e thirri në takimin e sotëm, procesin e mëhershëm të rindërtimit.

Luljeta Bozo nuk ishte pjesë e procesit e as u thirr ndonjëherë për këtë gjë. Ajo e tha mendimin e saj të drejtpërdrejtë vetëm të premten se çfarë ishte bërë dhe çfarë jo.

Nuk kurseu punën e bërë deri më tash. Sipas saj, gjithçka sipas standardeve dhe rregullave. I kërkoi familjeve pa shtëpi të bënin durim se ndërtimi do kohe dhe po ashtu alokimi i fondeve nga BE.

Profesoreshë Luljeta Bozo

“..Janë zbatuar të gjitha rregullat që t’i kemi këto shtëpi me jetëgjatësi sipas kodeve të ndërtimit. Me studimet, firma të specializuara. Faktikisht këta e kanë një dhuratë, të yshtin në një shtëpi të re është dhuratë, jo e rënë nga qielli. I kemi shembujt rreth e rrotull. Kemi Italinë fqinje, njerëzit janë ende në rulota...  Ky proces personalisht po ecën shumë normalisht, ndoshta ka nevojë për të treguar për ata që janë hezitues. Kujtojnë se bëhet menjëherë. Për të bërë një pallat duhet kohë. Teknologjia do kohë për të ngritur objektin. Njerëzit duhen sqaruar, shtëpitë nuk ngrihen me urdhrin e peshkut. Kemi pasur vështirësi me fondet. Në fillimet e veta ky program u bazua mbi buxhetin tonë. Di dhe nga eksperienca, që Europa ka shumë burokraci derisa të alokojë fondet. Njerëzit menduan se përderisa u dhanë lekët, do bëheshin menjëherë...”, tha ajo.

Bozo e vuri theksin tek vëmendja më e madhe që duhet për  zonat rurale dhe shfrytëzimi më i mirë i pasurive minerale.

Kaq tha Luljeta Bozo dhe Rama që harxhoi minuta bollshëm para dhe pas prezantimit të saj se si ish bërë puna për rindërtimin e deri tek premtimi që ia pasoi ministri Ahmetaj se shenjat e tërmetit të 26 Nëntorit nuk do të dukeshin më, pas një viti.

Rama e fitoi sërish vëmendjen duke shfrytëzuar ata, figurat që patën më shumë impakt të njerëzit tek dy betejat më të mëdha; pandemia dhe tërmeti.

Futi Najada Çomon në politikë për tu bërë “ai si ajo dhe jo ajo si ai” dhe stërgjyshen Luljeta Bozo “për t’i tërhequr veshin”, a thua se kjo gjë nuk i mungoi këto 8 vite e kusur qeverisje për t’ia kërkuar asaj, mendimit shkencor, kur vendit i lipsej më shumë... Tani është tepër vonë...

Për kryeministrin Rama me emrin e Luljeta Bozos “pensionistët do kenë njeriun e tyre aty”, apo "rininë e tretë".

Rama e prishi edhe “mitin” e heronjve në këtë vend . Mbeti vetëm ai.... / N.P


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë