Drejtësia

Afera e kompleksit ‘Partizani’, edhe ish-shefi i klubit Isa Tare dëshmon në SPAK

Gazeta Si - Ish-shefi i klubit sportiv Partizani, Isa Tare ka dëshmuar këtë të mërkurë në SPAK, si person që mund të ketë dijeni për aferën e ish-kompleksit në Tiranë.

Ai ka qëndruar për rreth 1 orë në SPAK, ndërsa në përfundim të marrjes në pyetje nuk ka folur për mediat.

Isa Tare, babai i ish-futbollistit të kombëtares shqiptare, Igli Tare, ka qenë përgjegjës i klubit në kohën që është bërë privatizimi.

LEXO EDHE:
- Fatmir Mediu dëshmon në SPAK për privatizimin e klubit ‘Partizani’: Duhet të ruaj sekretin hetimor
- Hetimet për kompleksin 'Partizani', ish-gjenerali Vladimir Qiriazi në SPAK: Ish-ministri Oketa më kërkoi të firmosja

Më herët, në SPAK ka dëshmuar si person në dijeni edhe  ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu për rolin e tij si ministër i Mbrojtjes gjatë kohës së qeverisjes së Sali Berishës kur u privatizua edhe ish-kompleksi “Partizani”.

Pak para Mediut, SPAK thirri si persona në dijeni edhe ish-ministrin Genc Ruli dhe ish-ministri tjetër i Mbrojtjes Gazmend Oketa, të cilët nuk dhanë deklarta për mediat.

Ai që foli, pasi u thirr në Prokurorinë e Posaçme për këtë aferë, ishte Vladimir Qiriazi.

Ish-gjenerali, i cili mbante postin e kreut të Komandës Mbështetëse në kohën kur u privatizua kompleksi, refuzoi të nënshkruajë kontratën e shitjes, të cilën ai e konsideroi të paligjshme. “Ish-ministri Oketa më kërkoi të firmosja”.

Kallëzimi për aferën e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”, ku është ndërtuar një kompleks pallatesh, është bërë nga kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.

Nëpërmjet padisë, Balla akuzon për shpërdorim detyre ish-kryeministrin Sali Berisha, dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi dhe ish-ministrin Arben Imami.

Deputeti socialist, akuzon Malltezin si përfitues direkt të kësaj prone, përfshirë dhe drejtues të Shtabit të Ushtrisë Shqiptare bashkë me administratorët dhe aksionerët e dy kompanive ndërtuese në këtë kompleks.

Klubi sportiv “Partizani” ka qenë një ndër komplekset në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes.

Privatizimi i kompleksit ‘Partizani’ është një dosje që tashmë e ka në dorë Prokuroria e Posaçme dhe po e heton për pastrim parash. 


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë