Drejtësia

Hetimet për kompleksin ‘Partizani’, ish-gjenerali Vladimir Qiriazi në SPAK: Ish-ministri Oketa më kërkoi të firmosja

Gazeta Si - Ish-gjenerali Vladimir Qiriazi është paraqitur këtë të hënë në ambientet e SPAK për çështjen e privatizimit të kompleksit sportiv “Partizani”.

Qirjazi, i cili mbante postin e kreut të Komandës Mbështetëse në kohë kur u privatizua kompleksi, refuzoi të nënshkruajë kontratën e shitjes, të cilën ai e konsideroi të paligjshme.

Në një deklaratë për mediat, Qirjazi tha se kërkesa për privatizimin e ish-klubit i kishte ardhur nga ish ministri i Mbrojtjes së asaj kohe, Gazmend Oketa.

"Firmën nuk ma ka kërkuar njeri, firmën e ka kërkuar shkresa e ardhur nga Autoriteti i Ministrisë së Mbrojtjes. Asokohe, ministër Mbrojtjeje ka qenë Gazmend Oketa”, tha Qirjazi.

Ai shtoi se i qëndron "versionit që kam kryer procedurë të ligjshme si shtetar i këtij vendi dhe që në çdo kohë që do të më jepej mundësia që të punoja për shtetin, do të bëja të njëjtën gjë që ka të bëjë vetëm me ligjet për mbrojtjen dhe forcimin e shtetit shqiptar, - u shpreh ish-gjenerali. - Unë kam deklaruar atë praktikë pune që kam bërë me të gjithë stafin tim të linjës vertikale, horizontale por edhe të vartësve të mi me qëllim që gjithçka të ishte në përputhje me ligjet e vendit. Deri në momentin që kisha atë praktikë, për mua ka qenë një praktikë që nuk përputhej me ligjin. Nuk e di çfarë është bërë më vonë".

Qiriazi sqaroi se është pyetur për periudhën që ka qenë komandant i mbështetjes logjistike, nga korriku i 2008 deri në shtator të 2009, kur është transferuar në Forcat e Armatosura.

Si kreu i Komandës Mbështetëse që administron shumicën e pronave ushtarake, Vladimir Qirjazi, në mars 2009 ishte urdhëruar nga ministri i Mbrojtjes, Gamend Oketa për të përgatitur nënshkrimin e kontratës dhe për të dorëzuar kompleksin “Partizani” si akti i fundit i procesit të privatizimit.

LEXO EDHE:
Fatmir Mediu dëshmon në SPAK për privatizimin e klubit ‘Partizani’: Duhet të ruaj sekretin hetimor

Por në kohën e privatizimit të kompleksit, Vladimir Qirjazi refuzoi të nënshkruajë kontratën e shitjes të cilën ai e konsideroi të paligjshme.

Privatizimi i kompleksit “Partizani” është një dosje që tashmë e ka në dorë Prokuroria e Posaçme.

Ka qenë kreu i grupit Parlamentar në PS, Taulant Balla, i cili ka paditur në vitin 2020 ish-kryeministrin Sali Berisha, ish-ministrin të Mbrojtjes Arben Imami, anëtarë të tjerë të qeverisë së drejtuar nga Berisha, Jamarbër Malltezin, dhëndrin e Sali Berishës, si dhe drejtues të shtabit të ushtrisë shqiptare bashkë me administratorët dhe aksionerët e dy kompanive ndërtuese në atë kompleks.

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, po e heton çështjen e privatizimit të kompleksit 'Partizani' për pastim parash. 

Deri më tani SPAK ka thirrur për të dhënë ‘llogari’ mbi këtë çështje në hetim, ish-ministrat Fatmir Mediu dhe Gazmend Oketa.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë