Drejtësia

Hetimet për kompleksin “Partizani”, ish-ministri i Ekonomisë Genc Ruli në SPAK

Gazeta Si - Ish-ministri i Ekonomisë Genc Ruli, ka dëshmuar në SPAK për rreth një orë në lidhje me privatizimin e kompleksit sportiv "Partizani" në Tiranë.

Pas marrjes në pyetje, Ruli ka dalë i qetë në dukje nga Prokuroria e Posaçme dhe nuk ka dhënë asnjë deklaratë për mediat.

Ruli është ish-zyrtari i radhës që pyetet nga SPAK në një zinxhir të gjatë ish-funksionarësh që dyshohet se kanë lidhje me privatizimin e kubit "Partizani".

Pasi u pyetën dy ish-ministrat e Mbrojtjes, Gazmend Oketa dhe Fatmir Mediu javën e shkuar, të hënën dëshmoi edhe ish-gjenerali Vladimir Qiriazi.

Ish-kreu i Komandës Mbështetëse në kohë, kur u privatizua kompleksi, refuzoi të nënshkruajë kontratën e shitjes, të cilën ai e konsideroi të paligjshme.

Pas daljes nga SPAK, Qirjazi tha se kërkesa për privatizimin e ish-klubit i kishte ardhur nga ish ministri i Mbrojtjes së asaj kohe, Gazmend Oketa.

"Firmën nuk ma ka kërkuar njeri, firmën e ka kërkuar shkresa e ardhur nga Autoriteti i Ministrisë së Mbrojtjes. Asokohe, ministër Mbrojtjeje ka qenë Gazmend Oketa”, tha Qirjazi.

Pritet që prokurorët e posaçëm për të mbledhur të dhëna për këtë çështje, të  thërrasin edhe ish-ministrin e Mbrojtjes, Arben Imami dhe ish-shefin e Shtabit të Përgjithshëm, Xhemal Gjunkshi.

Hetimi për privatizimin e kompleksit sportiv ka nisur pas kallëzimit të deputetit socialist Taulant Balla.

Ai ka paditur në SPAK në vitin 2020 ish-kryeministrin Sali Berisha, ish-ministrin e Mbrojtjes Arben Imami dhe anëtarë të tjerë të qeverisë së drejtuar nga Berisha.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë