Drejtësia

Fatmir Mediu dëshmon në SPAK për privatizimin e klubit ‘Partizani’: Duhet të ruaj sekretin hetimor

Gazeta Si - Për rreth një orë e gjysmë, deputeti dhe kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu është marrë në pyetje nga SPAK si person që ka dijeni në lidhje me hetimin e Prokurorisë së Posaçme pas padive të depozituara në për privatizimin e kompleksit “Partizani” në Tiranë.

Pas daljes nga SPAK, Mediu nuk pranoi të japë të dhëna rreth deklarimeve të tij para hetuesve, duke thënë se është i detyruar të ruajë sekretin hetimor.

“U ftova për të dhënë një dëshmi si person që kam dijeni rreth një çështje që është interes i SPAK”, - tha ai për mediat.

“Duhet të ruajë konfidencën e dëshmisë së dhënë. Çfarë lidhje ka shpërdorimi i detyrës në cilësinë e atij që unë jam ftuar në SPAK”, shtoi Mediu teksa u pyet në lidhje me deklarimet e tij dhe nëse ka shpërdoruar apo jo detyrën gjatë kohës kur ka qenë ministër i Mbrojtjes.

Edhe në urdhrin për paraqitje të tij në SPAK nga kreu i këtij institucioni Arben Kraja, nuk specifikohej konkretisht se për çfarë bëhej fjalë, përveç se thuhej për procedimin penal Nr 287 të vitit 2020, për veprën penale të parashikuar nga Neni 287 i Kodit Penal.

Mediu ishte ministër Mbrojtjeje gjatë kohës së qeverisjes së Sali Berishës, kur u privatizua edhe ish-kompleksi “Partizani”, i cili ishte në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes.

Privatizimi i kompleksit “Partizani” është një dosje që tashmë e ka në dorë Prokuroria e Posaçme, SPAK.

Kreu i grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka paditur ish-kryeministrin Sali Berisha, ish-ministrin e Mbrojtjes Arben Imami, anëtarë të tjerë të qeverisë Berisha, Jamarbër Malltezin, dhëndrin e Sali Berishës, si dhe drejtues të shtabit të ushtrisë shqiptare bashkë me administratorët dhe aksionerët e dy kompanive ndërtuese në atë kompleks.

Në fakt, ish-ministri Mediu është nën hetim për ngjarjen e rëndë në Gërdec, ku ndërruan jetë 26 persona.

Ai gjithashtu është akuzuar dy herë për shpërdorim detyre sipas Kodit Penal dhe Kodit Penal Ushtarak, por nuk u gjykua asnjëherë pasi u mbrojt nga imuniteti parlamentar.

Gjykata Kushtetuese rrëzoi në gusht kërkesën e ish-Ministrit Fatmir Mediu mbi dosjen “Gërdeci”, ku Kolegji i Gjykatës Kushtetuese vendosi të mos kalojë çështjen për shqyrtim në seancë plenare.

Në tetor të vitit të kaluar, Prokuroria e Posaçme regjistroi procedimin penal ndaj ish-Ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu, për të hetuar përgjegjësinë e tij në ngjarjen tragjike të vitit 2008 në Gërdec.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë