Politike

A po i bojkoton opozita zgjedhjet?

Data 16 mars ishte afati i fundit për partitë politike për të dorëzuar emrat e anëtarëve për Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor (KZAZ). Dy partitë politike, Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim që kanë të drejtën e propozimit të pothuajse të gjysmës së komisionerëve për 90 KZAZ-të. Sipas ligjit, Kodit Zgjedhor, 7 anëtarët e KZAZ, 6 prej tyre ndahen në mënyrë të barabartë, me mazhorancës dhe opozitës, ndërsa i 7-ti hidhet me short mes PS-së dhe PD-së, si dy partitë kryesore parlamentare.
Partia Socialiste paraqiti brenda afatit emrat e komisionerëve, ndërsa opozita refuzoi të paraqiste emrat. Kjo solli reagimin e menjëhershëm të OSBE-së, e cila i bëri thirrje opozitës që të paraqiste emrat e anëtarëve.
“Prezenca e OSBE-së në Shqipëri i bashkohet thirrjes së KQZ-së drejtuar partive politike për të propozuar komisionerë për Zonat e Administrimit Zgjedhor. Vonesat në propozimin e anëtarëve të KZAZ pengojnë trajnimin e tyre të rregullt dhe, si pasojë, vënë në rrezik zhvillimin e procesit zgjedhor në përputhje me standardet ndërkombëtare. Zgjedhjet janë e vetmja rrugë për të ardhur në pushtet dhe partitë politike janë përgjegjëse për besueshmërinë e zgjedhjeve në sytë e zgjedhësve shqiptarë”, reagoi OSBE.
Paraqitja e komisionerëve disa muaj përpara zgjedhjeve lidhet me faktin se ata duhen trajnuar në kohë, edhe pse në disa raste ata janë ndryshuar në momentet e fundit përpara zgjedhjeve. Refuzimi i PD dhe LSI po përkthehet si një sinjal që opozita mund të bojkotojë zgjedhjet e ardhshme lokale.
“Ne nuk dërgojmë komisionerë. Situata tani është politike, është shumë më e rëndë. Ku bëhen zgjedhje me këto kushte. Njerëzit kanë dalë në rrugë, opozita ka dorëzuar mandatet, të gjitha të tjerat shumëzohen me zero”, do të deklaronte Çlirim Gjata, sekretari për Çështjet Zgjedhore në PD.

Pavarësisht se PS me anë të sekretarit të Përgjithshëm të saj, Taulant Balla deklaroi se nuk beson se opozita do të bojkotojë zgjedhjet, mazhoranca i druhet një lëvizjeje ekstreme të tillë, pasi PD dhe LSI janë shprehur se duan zgjedhje të parakohshme.
Liderët e opozitës në takimet me strukturat e partive u kanë kërkuar që të përgatiten për zgjedhje të parakohshme parlamentare, duke nënkuptuar se synojnë që të realizojnë mbase dy palë zgjedhje.
Nëse opozita nuk merr pjesë në zgjedhjet lokale si skenar i mundshëm, KQZ ka parashikuar që anëtarët e KZAZ apo dhe të Komisioneve të Qendrave të Votimit do t’i zëvendësojë me komisionerë jo politikë, përfaqësues nga shoqëria civile apo nga administrata, në rast se partitë e opozitës refuzojnë emrat. Por ky vendim i opozitës mund të zbulohet vetëm në 21 prill, ku është edhe afati i fundit i regjistrimit të partive politike në KQZ për të konkurruar në zgjedhjet e 30 qershorit.
Situata aktuale i ngjan asaj të dy viteve më parë, ku opozita, PD dogji afatet për t’u regjistruar në KQZ për zgjedhjet parlamentare të 2017. Asaj kohe PS dhe LSI që ishin në koalicion qeveritar, por që sinjalet jepeshin për të kandiduar si subjekte më vete, morën hapin për t’i kërkuar KQZ-së shtyrjen e afatit të regjistrimit.
Vetë PS dhe LSI nuk u regjistruan si koalicione dhe Gramoz Ruçi i PS-së dhe Luan Rama i LSI-së në letrën e tyre të prillit 2017 kërkonin shtyrjen me disa ditë të afatit të regjistrimit të koalicioneve, duke e argumentuar me dhënien e një shansi më shumë “për të negociuar me opozitën, për të mundësuar pjesëmarrjen e të gjithë spektrit ekzistues politik të vendit në zgjedhjet parlamentare të datës 18 qershor”.
PD asaj kohe e kontestoi një kërkesë të tillë, duke theksuar se një vendim pro shtyrjes, sipas Partisë Demokratike, “jo vetëm është antiligjor dhe do ta përvijonte KQZ-në si institucion thellësisht politik në duart e qeverisë, por do të paragjykonte çdo lloj zgjidhjeje politike të krizës së thellë në vend”.
Por kriza politike vijoi, pasi opozita nuk pranoi të hynte në zgjedhje dhe se pas një muaji, më 17 maj, dy liderët politikë, Rama dhe Basha firmosën një marrëveshje politike, që konsistoi në shtyrjen e datës së zgjedhjeve me qëllimin për të mundësuar pjesëmarrjen e opozitës në zgjedhje.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë