Politike

OSBE: Zgjedhje pa opozitën? Nuk inkurajojmë aspak bojkotin

Ambasadori i OSBE-së, Bernd Borchardt, në një prononcim për mediat e ka quajtur një shembull të keq për rajonin djegien e mandateve parlamentare nga ana e opozitës së bashkuar.
“Është kritikuar nga i gjithë komuniteti ndërkombëtar. Një nga arsyet është sepse ndez fitilin që i vë flakën sistemit të demokracisë parlamentare”, u shpreh ambasadori i OSBE-së.
Lidhur me njohjen e zgjedhjeve nëse opozita bojkoton, ai u shpreh se varet si shkojnë zgjedhjet.
“Kjo varet nga mënyra si shkojnë zgjedhjet, si zhvillohen ato dhe gjetjet e vëzhguesve tanë. Ne pikësëpari nuk nxisim aspak bojkotin zgjedhor. Për shumë kohë Shqipëria ka qenë shtylla apo simbol i stabilitetit në rajon dhe tani shohim një veprim në parlament që nuk ka precedentë”, tha ndër të tjera ambasadori Borchardt.

Në interesimin e gazetarëve, ambasadori Borchardt ka thënë:
Pyetje: Z. Ambasador, është djegur afati dhe opozita nuk i ka çuar anëtarët për KZAZ. A është një hap ky drejt bojkotit të zgjedhjeve nga ana e opozitës dhe a keni komunikime me liderët e opozitës? Keni bërë dje një thirrje. A ka pasur ndonjë reagim?
Ambasadori Borchardt: Ne u kemi bërë thirrje të gjitha partive të marrin pjesë në zgjedhjet vendore, gjë që është një proces normal në një sistem demokratik. Lidhur me mosregjistrimin, dje u kemi bërë një thirrje partive që të dorëzojnë kandidaturat e tyre për anëtarë.
Pyetje: Z. Ambasador, dje kryetari i grupit socialist Taulant Balla tha që për reformën zgjedhore do të nisim diskutimet me deputetë të rinj. A është kjo mënyra e duhur për të miratuar reformën zgjedhore?
Ambasadori Borchardt: Ligjërisht, po. Pastaj, sikurse e kam thënë më parë, a është ky një vendim i pjekur politikisht, kjo është çështje tjetër. Ne nxisim dialogun e vazhdueshëm lidhur me reformën zgjedhore.
Pyetje: Nëse opozita do të bojkotojë zgjedhjet lokale, a do t’i njohë OSBE-ja këto zgjedhje si të ligjshme?
Ambasadori Borchardt: Kjo varet nga mënyra se si zhvillohen zgjedhjet dhe nga gjetjet e vëzhguesve tanë. Kjo është diçka që unë nuk e parashikoj dot. Në përgjithësi, mund të them se ne, pikësëpari, i shkurajojmë bojkotet e zgjedhjeve. Për shumë kohë, Shqipëria ka qenë shtyllë e stabilitetit në rajon. Tani, shohim një veprim në parlament, i cili nuk ka precedentë. Është kritikuar nga i gjithë komuniteti ndërkombëtar. Një nga arsyet është sepse ndez fitilin që i vë flakën sistemit të demokracisë parlamentare. Pyetja e radhës do të ishte: kur do ta kemi sërish atë parlamentin që e ka mandatin për katër vjet dhe e bën të plotë? Kësaj radhe, politikanët pas dy vitesh patën idenë të digjnin mandatet e tyre. Radhës tjetër, ata mund të gjejnë argumente për ta bërë këtë pas tetë muajsh, dhjetë muajsh apo një viti. Ky do të ishte, gjithashtu, edhe një shembull shumë i keq për të tërë rajonin. Ju e dini që në disa shtete ka opozita që bojkotojnë parlamentin. Një gjë e tillë nuk mund të funksionojë. Ky nuk është thelbi i demokracisë parlamentare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë