Politike

Manovrat e partive për kandidatët, PS e PD i shpallin në limitet e fundit

Brenda 13 majit partitë politike duhet të depozitojnë pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve emrat e kandidatëve për kryetar bashkie, së bashku me ato të listave shumemërore për anëtarë të këshillave bashkiakë.

Kur jemi afro dy muaj përpara afatit final të vendosur nga ana e KQZ-së, Partia Socialiste ka hedhur hapin e parë në përzgjedhjen e emrave, edhe pse jo final, me synimin për të përfshirë edhe partitë e tjera politike në këtë betejë të re elektorale, opozitën, e cila nuk ka dhënë akoma shenja për përgatitjen për zgjedhjet e reja lokale të 30 qershorit.


PS do të mbajë Kongresin Elektoral më 23 mars. Fillimisht u përfol se do të bëhej shpallja e të 61 kandidatëve për kryetar bashkie, por zhvillimet e fundit politike, kriza e krijuar nga dorëzimi i mandateve të deputetëve të opozitës, e kanë detyruar që të shtyjë shpalljen e 61 kandidaturave përfundimtare për kryetar bashkie. Ky vendim mund të lidhet edhe me faktin se PD-ja nuk ka bërë të qartë qëndrimin për pjesëmarrje në zgjedhje ose jo. Por gjithashtu shihet edhe si strategji për të mbajtur të fshehtë kandidatët në ato bashki ku synohet të dilet me emra të rinj, apo përbëjnë beteja të mëdha mes mazhorancës dhe opozitës.

Por pavarësisht kësaj situate, sa i përket përzgjedhjes së kandidatëvë për kryetarë bashkie apo dhe për deputetë, partitë politike kanë ndjekur strategjinë e lojës së minutës së fundit të shpalljes së listave, pasi kanë tentuar të evitojnë largimet e mundshme të personave që kanë mbetur jashtë listave drejt partive të tjera, si LSI apo dhe drejt PD-së.


Eksperienca më e fundit ishte për zgjedhjet parlamentare të 2017-ës, ku shpallja e kandidaturave për deputetët u shty nga Partia Socialiste disa herë, e kjo për shkak të krizës politike ku fillimisht zgjedhjet u shpallën më 18 qershor dhe më pas u shtynë më 25 qershor të 2017-ës.
Socialistët u detyruan gjithashtu që të shtynë edhe Kongresin e PS-së, ku fillimisht ishte parashikuar në 29 prill, por më vonë e shtynë më 7 maj të 2017-ës. Gjithashtu edhe lista u shpall pak orë përpara mbylljes së limitit kohor të vendosur nga ana e KQZ-së.


PS praktikën e dorëzimit të listës në momentin e fundit e ka pasur edhe më parë. Kështu në vitin e largët 2009, Rama kishte në dorë të spastronte gardën e vjetër të socialiste, të njohur si mbështetës të Nanos, duke hequr disa prej emrave. Ai tentoi të hiqte Albert Çaçin, por kur deputeti tentoi të përfshihej në listat e kandidatëve për deputetë të LSI-së, kryesocialisti u tërhoq dhe e përfshiu sërish në listën e PS-së për zgjedhjet parlamentare.


E njëjta situatë ndodhi edhe më largimin e Kastriot Islamit apo dhe të Arben Malajt, të cilët u përjashtuan nga PS-ja. Malaj pas mbledhjes së kryesisë së PS-së, ku debatoi ashpër me Ramën, shpalli se do të kandidonte si i pavarur në qarkun e Vlorës.

Asllan Dogjani, majtas dhe Kastriot Islami gjatë prezantimit si kandidatë për deputetë të PD në zgjedhjet e vitit 2013-të

Ndërsa Kastriot Islami do të përfshihej në listat e PD-së. Këto ishin përfaqësuesit e Lëvizjes së Mendimit Ndryshe brenda PS-së, por që Rama fali ideatorin e saj Ben Blushi në 2013-ën. Drejt PD-së do të shkonin edhe socialistë të tjerë si Asllan Dogjani apo Gjovalin Kadeli.
E njëjta situatë do të ishte edhe brenda kampit të PD-së, ku strategjia e mos shpalljes së kundërshtarëve do të ishte deri në momentin e fundit.
PD edhe pse i miraton në forumet drejtuese listat, nuk i shpall menjëherë ato, por vetëm pas depozitimit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Kjo praktikë është ndjekur edhe në vitin 2013 dhe në 2017 për zgjedhjet parlamentare, ku PD-ja pas depozitimit të emrave i publikonte ato për mediat.
Ky sekret bëhej për të shmangur pakënaqësitë dhe ikjet drejt partive të tjera. Listat në të dyja rastet janë depozituar në limitet e fundit ligjore të vendosur nga ana e KQZ-së. Në 27 maj të 2017-ës, lista e PD-së kishte mangësi, e kjo bëri që KQZ-ja të merrte vendimin për t’i kërkuar demokratëve plotësimin e saj, pasi nuk i kishte emrat e plotë në qarqet Tiranë dhe Vlorë. Respektivisht në Vlorë u paraqitën vetëm 7 kandidatë nga 12 mandate që ka kjo zonë, dhe në Tiranë vetëm 18 nga 34 mandate që ka Qarku.

Lista e kandidatëve të PD për zgjedhjet


Për zgjedhjet lokale partitë politike të opozitës kanë si afat kryesor të regjistrimit 21 prill, kurse për regjistrimin e koalicioneve është 1 maji. Pas një muaj do të shihet nëse PD-ja dhe LSI-ja do të regjistrohen si subjektet politik në KQZ, duke i “shuar” kureshtjen e PS-së, nëse opozita do të marrë pjesë në zgjedhje, apo do të përsëritet skenar i shtyrjes së zgjedhjeve lokale, ashtu siç ndodhi dy vite më parë. Për momentin në selinë blu burimet thonë se nuk do të ketë asnjë dorëzim të listës me emrat për KZAZ, kandidatë për kryetarë bashkie apo edhe për këshillat bashkiakë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë