Propozim i SI

A ndryshoi pandemia familjen shqiptare?

Çfarë hoqi familja shqiptare dhe si ndryshoi ajo në këta dy muaj karantinë? A janë krijuar kushtet për një “revolucion” në familjet tona për të rishikuar disa gjëra, disa tradita, zakone e mënyra të sjelljes sociale të papërshtatshme? A është koha që të ndryshojmë dhe përmirësojmë disa module të vjetra të mënyrës së sjelljes sociale dhe personale si shqiptarë, duke mësuar më shumë standardet e të qenit të kujdesshëm në raport me “tjetrin”? Sot, në Ditën e Familjes (15 maj), Gazeta "Si" është munduar - nëpërmjet ekspertëve - që t'u japë disa përgjigje modeste këtyre pyetjeve.

Cilat janë problematikat më të mëdha që hasim në familjet shqiptare?
Psikologia Imo Alikaj i thotë Gazetës “Si” se në betejën për t’u emancipuar familja shqiptare po humb veten.
“Gruaja që po fiton çdo ditë e më shumë vende të reja në shoqëri, po humbet nga koha në familje. Një copëz të saj në familje tashmë e mbulon edhe burri, shpesh herë edhe një kujdestare apo babysiter. Nga ana tjetër ekonomia e familjes nuk është më vetëm detyra e burrit. Në përpjekjen gjithnjë e më të madhe të të rriturve për karrierë, fëmijët gjenden shpesh herë vetëm dhe të pa kuptuar. Role të tilla që po ndërthuren vazhdimisht në jetën familjare, patjetër që ndikojnë në integritetin fizik, psikologjik, ekonomik dhe socialë gjithë familjes. Ende është e vështirë për familjen shqiptare të përshtatet me ndryshimet që ka pësuar në role dhe funksione. Predikon pavarësinë, por dhunon. Kërkon komunikimin, por nuk dëgjon. Lejon lirinë, por përgjon. Kërkon respekt, por përçmon,” shton më tej psikologia.

Psikologja Imo Alikaj

Ndërsa sociologia Entela Binjaku shpjegon për Gazetën “Si” se tashmë familja shqiptare është zvogëluar, i ngjan më shumë familjes së tipit bërthamë. “Familja shqiptare sot nga njëra anë është edhe nën presionin e faktorëve që shoqëruan ndryshimet dhe nga ana tjetër është gjendur njëherazi edhe nën ndikimin faktorëve tradicionalë. Ka familje në zona të ndryshme të vendit të thella, të izoluara, apo dhe periferi të qyteteve të mëdha ku janë vendosur edhe banorë nga zona rurale të vendit, apo nga zona më të thella, ku ende ruhen modelet e familjes patriarkale,” i tha Binjaku Gazetës “Si”
Si është familja në shoqërinë tonë?
Psikologia Alikaj tregon se ndryshimet dhe zhvillimet sociale, kudo në botë ndikojnë tek familja, kështu edhe familja shqiptare ka përjetuar shumë tranzicion. Alikaj i thotë Gazetës “Si” se gjendemi përballë transformimeve në strukturë, funksion, solidaritet, marrëdhënie dhe planifikim, ku kemi kaluar nga familja e madhe e bashkuar në familjen e vogël bërthamë, nga familje me shumë fëmijë në familje me pak fëmijë, nga martesa në bashkëjetesë, nga qëndrueshmëria në divorc, marrëdhënie heteroseksuale në homoseksualitet, familje me dy prindër në familje me vetëm një prind etj. Shumë gjëra janë ndryshe në familjen shqiptare. Ajo shton faktin se ndryshimet në pak kohë sjellin edhe sfida që duhen kapërcyer.
Në një këndvështrim më të gjerë sociologia Binjaku shprehet se përveç faktorëve tradicionalë, si vdekja, sëmundjet, familja shqiptare sot është edhe nën presionin e faktorëve që shoqëruan ndryshimet: emigrimi, fragmentarizimi i jetës ose individualizimi i saj, papunësia, vështirësitë për strehim, lindshmëria e ulët, konfliktualiteti mes pjesëtarëve, divorcet në rritje, adulteri, dukuritë e kohës që janë të pranishme kudo. Ajo shpjegon se duke qenë e vetme, e pambështetur dhe e pa përkrahur nga shteti dhe shoqëria përmes politikave sociale, familja shqiptare vijon të rezistojë me mjaft vështirësi.

Sociologja Entela Binjaku

A ka ndryshuar familja shqiptare pas pandemisë së Covid-19
Psikologa Alikaj i thotë Gazetës “Si” se Covid-19 është një ngjarje që do të lerë shenjë te të gjithë ne. Ndër të tjera shprehet se do të lërë gjurmë edhe në familjet tona.
“Nëse do të përpiqemi të kuptojmë çfarë ka ndodhur me disa nga funksionet e familjes përgjatë karantinës, do të vëmë re se elementi i të panjohurës dhe kohëzgjatja kanë luhatur dhe prekur funksionin ekonomik, kanë sjell pasiguri në funksionin e edukimit të fëmijëve, funksionin emocional apo socializues. Në kushte të tilla, nevojitet një ri-dimensionim i sfidave dhe mundësive për të ecur mbi gjurmët e Covid-19 dhe për të rivendosur balancën e humbur. Çdo familje ka kapacitetet e plota për të rezistuar, për t’u ripërtërirë dhe për të fituar aftësi të reja,” shton Alikaj.
Për sa i përket kësaj pjese sociologia Binjaku shprehet se Covid-19 i vendosi familjet nën një regjim të ri. Ajo shprehet se të mbyllur dhe të gjendur vetëm nën shoqërinë e njëri-tjetrit shumë pjesëtarë e kaluan këtë krizë duke treguar kujdes për të brishtët, duke ndihmuar fëmijët në mësime, duke u kujdesur për të sëmurët kronikë për të cilët ndoshta nuk kanë pasur mundësinë për shkak të punës, duke kuptuar se shëndeti i njërit ndikonte dhe të shëndeti i tjetrit.
“Në këtë kohë familja pati më shumë mundësi të qëndronte e bashkuar, të kalonte kohën sipas një mënyre të re. Por natyrisht edhe familje që u kapluan nga ankthi i papunësisë, i varfërisë, pamundësisë për të përmbushur nevojat e të afërmve, familje që kanë të sëmurë me çrregullime të shëndetit, familje ku ka konflikte të vazhdueshme që ndoshta u rënduan me mbylljen,” shton Binjaku.

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, e ka shpallur 15 maj si Ditën Ndërkombëtare të Familjes, në mënyrë që të rrisë ndërgjegjësimin për problemet dhe çështjet e familjes dhe për të ndihmuar që ato të fitojnë rol të rëndësishëm në politikat e shteteve anëtare. Në këtë ditë, në gjithë botën organizohen aktivitete në nivel lokal, kombëtar dhe ndërkombëtar, që kanë për qëllim të promovojnë familjen dhe vlerat e familjes, nxitjen e barazisë midis grave dhe burrave në familje, mbrojtjen e familjes si njësi bazë e shoqërisë dhe për të ndihmuar familjet për të përmbushur përgjegjësinë e tyre për komunitetin.


*Ky material nuk lejohet të kopjohet, apo riprodhohet pa miratimin e Gazetës “Si”. Ai është pronë intelektuale e gazetasi.al dhe si i tillë mbrohet nga ligji


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë