Nga pyjet e Amazonës te shkëmbinjtë koralorë dhe rrymat oqeanike që rregullojnë klimën globale, lajmet mjedisore shpesh na paralajmërojnë se natyra po humbet aftësinë e saj për të “funksionuar”. Amazonës po i zvogëlohet kapaciteti për të thithur karbon, shkëmbinjtë koralorë po degradohen dhe sisteme të rëndësishme oqeanike po përballen me rrezikun e kolapsit. Këto zhvillime përshkruhen shpesh si shenja të një bote natyrore që po “prishet”.
Por a është e saktë të flasim për ekosistemet sikur të ishin makineri?
Sipas autorit të këtij reflektimi filozofik dhe ekologjik, John Drake, ekziston një problem i rëndësishëm në mënyrën se si e kuptojmë natyrën. Kur themi se një pyll “shërben” për të ruajtur karbonin ose se një ligatinë “ekziston” për të filtruar ujin, ne po i atribuojmë natyrës qëllime që ajo nuk i ka. Amazona nuk thith karbon sepse synon të stabilizojë klimën globale. Ajo nuk ka një mision apo objektiv. Ajo thjesht ekziston dhe proceset që ndodhin brenda saj janë rezultat i ndërveprimeve komplekse midis organizmave dhe mjedisit.
Kjo mënyrë e të menduarit nuk është e rastësishme. Gjatë dekadave të fundit, shkenca e ruajtjes së natyrës është orientuar gjithnjë e më shumë drejt konceptit të “funksionit të ekosistemit”. Fillimisht, lëvizjet mjedisore përqendroheshin te mbrojtja e specieve të veçanta dhe habitateve të tyre. Më vonë, vëmendja u zhvendos te përfitimet që natyra u sjell njerëzve: ujë i pastër, ushqim, mbrojtje nga përmbytjet, ruajtje e karbonit dhe stabilitet klimatik.
Kështu lindi ideja e “shërbimeve të ekosistemit”, sipas së cilës natyra vlerësohet jo vetëm për vetveten, por edhe për atë që ofron për shoqërinë njerëzore. Kjo qasje ka ndihmuar në forcimin e argumenteve për mbrojtjen e biodiversitetit, por ka sjellë edhe një pasojë tjetër: krijimin e përshtypjes se ekosistemet kanë funksione të përcaktuara dhe se ato mund të dështojnë në kryerjen e tyre.
Për të kuptuar më mirë problemin, autori ndalet te kuptimi i fjalës “funksion”. Një orë është ndërtuar për të treguar kohën dhe një motor për të vënë në lëvizje një automjet. Në këto raste, funksioni lidhet drejtpërdrejt me qëllimin për të cilin objekti është projektuar.
Në biologji, funksionet shpjegohen shpesh përmes evolucionit. Zemra pompon gjak sepse kjo aftësi është favorizuar nga përzgjedhja natyrore gjatë historisë evolucionare të organizmave. Nëse zemra nuk arrin ta bëjë këtë, mund të themi se po keqfunksionon.
Por ekosistemet nuk janë organizma. Ato nuk riprodhohen si njësi të vetme, nuk janë projektuar dhe nuk kanë kaluar nëpër një proces përzgjedhjeje natyrore si sisteme të plota. Një pyll tropikal, një ligatinë apo një shkëmb koralor nuk kanë një qëllim të brendshëm që mund të përdoret si standard për të gjykuar nëse po funksionojnë siç duhet.
Megjithatë, gjuha e funksionit vazhdon të dominojë diskutimet ekologjike. Shkencëtarët flasin për “funksionin” e baktereve në dekompozim, të bimëve në ciklin e karbonit apo të insekteve në pjalmim. Këto përshkrime janë të dobishme për të kuptuar proceset natyrore, por sipas autorit ato bëhen problematike kur shndërrohen në gjykime normative.
Për shembull, rënia e numrit të insekteve mund të përshkruhet si një ndryshim në shkallën e pjalmimit. Por shpesh kjo paraqitet si humbje e aftësisë së ekosistemit për të mbështetur prodhimin bujqësor. Në këtë pikë, përshkrimi shkencor përzihet me interesat dhe nevojat njerëzore.
Kjo është arsyeja pse autori shtron pyetjen- kur themi se një ekosistem po keqfunksionon, për kë po keqfunksionon?
Një pyll që ruan më pak karbon mund të jetë problem për shoqërinë njerëzore, sepse ndikon në klimë. Një ligatinë që nuk filtron më ujin mund të përbëjë rrezik për komunitetet lokale. Por këto janë probleme që lidhen me objektivat tona, jo me ndonjë qëllim të vetë natyrës.
Një nga metaforat më të njohura në ekologji e krahason biodiversitetin me vidat e një aeroplani. Sipas kësaj analogjie, humbja e një specieje është si heqja e një vide nga krahu i avionit: fillimisht nuk ndodh asgjë, por me kalimin e kohës sistemi mund të shembet në mënyrë katastrofike. Autori argumenton se kjo metaforë është efektive për të komunikuar rreziqet e humbjes së biodiversitetit, por krijon një ide të gabuar se ekosistemet janë të projektuara si makineri dhe se ekziston një mënyrë “e duhur” e funksionimit të tyre.
Në realitet, natyra është shumë më dinamike. Ekosistemet ndryshojnë vazhdimisht, riorganizohen dhe përshtaten ndaj kushteve të reja. Ndryshimi nuk është domosdoshmërisht sinonim i dështimit.
Kjo nuk do të thotë se nuk duhet të shqetësohemi për degradimin e mjedisit. Përkundrazi, kemi arsye të forta për të mbrojtur natyrën, por duhet të jemi të sinqertë për natyrën e këtyre arsyeve. Ne mbrojmë pyjet, lumenjtë dhe oqeanet sepse ato janë të rëndësishme për jetën tonë, për ekonominë, kulturën, etikën dhe të ardhmen e brezave të ardhshëm.
Prandaj, sfida nuk është të “riparojmë” qëllimet e natyrës, sepse natyra nuk ka qëllime të tilla. Sfida është të marrim përgjegjësi për qëllimet tona dhe për mënyrën se si zgjedhjet tona ndikojnë botën përreth. Vetëm duke dalluar qartë faktet shkencore nga vlerat njerëzore mund të ndërtojmë një qasje më të ndershme dhe më të qëndrueshme ndaj krizës ekologjike që po përballet planeti.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje