Mjedis

A mund ta shpëtojë OKB-ja botën nga kolapsi ekologjik?

Lista e Kuqe e Specieve të Kërcënuara mund të përshkruhet më së miri si një raport i mungesës së progresit. Çdo gjashtë muaj ose më shumë, lista, e cila mbahet nga Unioni Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës, përditësohet dhe, me çdo përditësim, më shumë krijesa klasifikohen si të zhdukura. Përditësimi i fundit, i lëshuar javën e kaluar, shtoi shtatëqind lloje në listën e atyre që rrezikojnë të zhduken . Shumë prej tyre klasifikohen si "të rrezikuara në mënyrë kritike".

“Trendi është se gjërat po përkeqësohen", tha Craig Hilton-Taylor, kreu i njësisë së Listës së Kuqe.

Jo rastësisht, përditësimi më i fundit i Listës së Kuqe u publikua pikërisht në kohën kur bisedimet e fundit mbi Konventën e Kombeve të Bashkuara për Diversitetin Biologjik po fillonin. Rreth njëzet mijë delegatë nga e gjithë bota janë mbledhur në Montreal, ku shpresohet se do të bien dakord për një "hartë" për të shpëtuar botën nga kolapsi ekologjik. (Bisedimet janë planifikuar të përfundojnë të hënën.)

António Guterres, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, nënvizoi madhështinë e detyrës së tyre në fjalën e tij hyrëse. “Toka, uji dhe ajri ynë janë helmuar nga kimikatet dhe pesticidet dhe janë mbytur me plastikë”, vuri në dukje Guterres. “Varësia ndaj lëndëve djegëse fosile e ka futur klimën tonë në kaos. Prodhimi i paqëndrueshëm dhe zakonet monstruoze të konsumit po degradojnë botën tonë. Njerëzimi është bërë një armë e zhdukjes masive”, tha ai.

Konventa mbi Diversitetin Biologjik, një marrëveshje ndërkombëtare për ruajtjen e specieve, iu prezantua liderëve botërorë në vitin 1992, në të ashtuquajturin Samiti i Tokës në Rio de Zhaneiro, së bashku me Konventën Kuadër të OKB-së për Ndryshimet Klimatike. Që atëherë, traktati i ndryshimeve klimatike ka marrë vëmendjen e botës, ndërsa traktati i biodiversitetit u anashkalua.

Arsyet për këtë janë të ndërlikuara, por njëra prej tyre është Amerika. Disa muaj pas Samitit të Tokës, Senati i Shteteve të Bashkuara miratoi njëzëri ratifikimin e konventës për ndryshimet klimatike. Por, për shkak të kundërshtimeve (kryesisht të çuditshme) të ligjvënësve republikanë, traktati nuk u diskutua kurrë në senat.

“Dështimi i SHBA-së është një rast klasik i 'përjashtimit' të vetes nga një traktat të cilin fillimisht e drejtoi”, tha Stewart Patrick, ekspert mjedisi.

Në këtë pikë, Shtetet e Bashkuara janë i vetmi vend anëtar i OKB-së që nuk e ka ratifikuar traktatin e biodiversitetit, një situatë që Patrick e quajti "të turpshme, të pandërgjegjshme dhe vetë-shkatërruese".

Në mungesë të lidershipit amerikan, negociatat për përmbushjen e kushteve të traktatit të biodiversitetit janë lënë në harresë ndërsa Lista e Kuqe ka vazhduar të rritet.

Në vitin 2002, vendet ranë dakord të arrinin një "ulje të konsiderueshme" të shkallës së humbjes së biodiversitetit deri në vitin 2010. Rezultatet e kësaj përpjekjeje janë përshkruar si "një dështim i tmerrshëm".

Në vitin 2010, palët ranë dakord për një grup të ri objektivash dhjetë vjeçare dhe deri në shtator 2020, ishte bërë përparim në disa fronte, por asnjë nga njëzet objektivat nuk ishte arritur.

Negociatat për objektivat e rinj supozohej të zhvilloheshin në tetor 2020, në Kinë por për shkak të Covid-it, ato vazhduan të shtyheshin.

Kjo na sjell në mbledhjen aktuale në Montreal. Ajo që po debatohet tani është quajtur Korniza Globale e Biodiversitetit Post-2020. Drafti i fundit i kornizës përmban njëzet e dy objektiva; më e spërkatura prej tyre, do t'i angazhojë vendet të mbrojnë 30 për qind të tokës dhe ujit të tyre deri në vitin 2030.

A ka kuptim vendosja e objektivave të reja, kur ato të vjetrat nuk janë arritur akoma? Sigurisht që është e vështirë të imagjinohet se bota gjatë tetë viteve të ardhshme do ta gjejë rrugën e saj të qartë për të mbrojtur 30 për qind. Shumë ekspertë kanë theksuar se objektivat e pas vitit 2020 duken të destinuara për të pasur të njëjtin fat si objektivat paraardhëse.

Megjithatë, vendosja e objektivave që janë të vështira, ndoshta të pamundura, për t'u arritur, është më mirë sesa të mos vendosësh fare. Ekziston një rrezik real që negociatat në Montreal të mos nxjerrin asnjë marrëveshje, ose të ketë vetëm një marrëveshje formale, pa objektiva.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë