Jete & Stil

A mbaron ndonjëherë rivaliteti mes vëllezërve e motrave?

Vëllezërit dhe motrat luftojnë. Sigurisht që e bëjnë; siç e di pothuajse kushdo që ka një vëlla apo motër, një lloj rivaliteti është i zakonshëm.

“Fëmijët kanë shumë më pak aftësi sesa të rriturit për të reflektuar mbi atë që i shqetëson ose për të mbajtur larg impulset e tyre. Pra, ata luftojnë shumë, siç e dimë të gjithë”, thotë Raymond Raad psikolog.

Në shumë familje, grindjet mes vëllezërve dhe motrave janë formuese. Ato i ndihmojnë fëmijët të mësojnë të trajtojnë konfliktin dhe i bën ata më të mirë në ndërveprim me të tjerët. Për disa, rivaliteti zvogëlohet në moshën madhore dhe bëhet thjesht diçka për të qeshur në festat familjare.

Por për të tjerët, ai qëndron aty. Një sondazh me 2000 të rritur tregoi se më shumë se gjysma e të anketuarve ende ndjejnë se janë në konkurrencë me vëllezërit e motrat e tyre. 51 për qind e këtyre të rriturve raportojnë një marrëdhënie të qëndrueshme dhe konkurruese me vëllezërit e motrat e tyre dhe thanë se ata konkurrojnë për gjithçka, nga pronësia e shtëpisë deri te kush do të organizojë takime familjare.

Rivaliteti mes fëmijëve mund të mos duket i habitshëm në vitet e fëmijërisë. Por shumë ende e ndjejnë konfliktin, shumë kohë pasi janë larguar nga e njëjta shtëpi, me vëllezërit e motrat e tyre.

Pse qëndron ky rivalitet dhe a mund ta kapërcejmë ndonjëherë?

Krahasimi dhe konflikti

"Si qenie njerëzore, ne jemi të orientuar drejt krahasimit", shpjegon Shaën D Whitehead, një profesor i zhvillimit njerëzor dhe studimeve familjare në Universitetin Shtetëror të Utah, SHBA.

“Vëllezërit dhe motrat kanë një pikë të natyrshme krahasimi. Ata janë në shtëpinë tuaj, duke u rritur me ju, përgjithësisht brenda pak vitesh nga mosha juaj. Ata janë në të njëjtin mjedis dhe të njëjtën shtëpi, ndaj kanë një ‘dëshirë’ për të krahasuar”.

Për shembull, është e lehtë për vëllezërit e motrat që të krahasojnë suksesin e tyre akademik ose atletik, ose të zihen se kush është fëmija "i preferuar", pasi vëllezërit e motrat shpesh kanë përvoja të ngjashme (si ndjekja e të njëjtave shkolla). Dhe sa më afër të jenë fëmijët në moshë, aq më i fortë mund të jetë rivaliteti.

Kjo prirje e natyrshme për të krahasuar veten me njerëzit e tjerë mund të jetë një shtytës kryesor i konkurrencës së vëllezërve dhe motrave, veçanërisht, thotë Raad, sepse vëllezërit dhe motrat tona priren të jenë njerëzit me të cilët kalojmë më shumë kohë gjatë fëmijërisë dhe dimë më shumë.

Whitehead thotë se disa vëllezër e motra përpiqen të diferencohen në një përpjekje për të reduktuar konkurrencën, veçanërisht nëse janë afër moshës me vëllezërit e motrat e tyre.

"Kjo, në teori, do të zvogëlonte rivalitetin", thotë Whitehead, "por noddh e kundërta".

Është gjithashtu e zakonshme që konkurrueshmëria të intensifikohet në vitet e adoleshencës, thotë Raad, pasi "prindërit, shkolla ose mjediset sportive krijojnë një pritshmëri që gjithçka është një konkurrencë".

Por, edhe pse vëllezërit dhe motrat zhvillojnë identitete më të individualizuara më vonë në jetë, dallimet mund të vazhdojnë të nxisin konkurrencën dhe konfliktin veçanërisht me vëllezërit dhe motrat që janë rritur në të njëjtën familje, por përfunduan shumë të ndryshëm nga njëri-tjetri. Edhe pse rrugët e tyre ndryshojnë, thotë Raad, "kjo nuk do të thotë se ata nuk do të grinden për gjëra më vonë në jetë".

Faktori i drejtësisë

Një tjetër shtytës kryesor i rivalitetit mes vëllezërve dhe motrave është drejtësia, një ide që, thotë Whitehead, është thellësisht e rëndësishme për fëmijët.

"Prindërit kanë më shumë gjasa t'u japin privilegje fëmijëve më të vegjël më shpejt se sa fëmijëve më të mëdhenj," thotë ai.

“Si prind, kur i thua një 12-vjeçari, 'mund të rrish zgjuar deri në 10', atëherë ndoshta edhe 10-vjeçari mund ta bëjë këtë, sepse prindërit nuk duan të zihen”. Kur fëmijët më të vegjël marrin leje më herët se një vëlla apo motër më e madhe, “kjo mund të bëjë që më i madhi të ndiejë se gjërat janë të padrejta. Kjo krijon konflikt”, shton Whitehead.

Dhe rezulton se vëllezërit e motrat nuk 'rriten' domosdoshmërisht nga dëshira për drejtësi, përkundrazi, është ende një nga faktorët që mund të shtyjë rivalitetin e vëllezërve në moshë madhore, thotë Raad.

“Kur shikoni njerëzit që kanë konflikt, duket se ekziston një mendim i nënkuptuar se ne vijmë nga i njëjti vend, e njëjta familje, kështu që është e drejtë që ne jemi të ngjashëm dhe të barabartë,” thotë ai. “Problemet lindin kur ka një ndjenjë nga një prej vëllezërve dhe motrave se diçka është e padrejtë në jetën e tyre. Ekziston një perceptim se njëri prej tyre është më i bukur, më i zgjuar, më i suksesshëm dhe tjetrit i jep ndjesinë se grupi i gjeneve është shpërndarë në mënyrë të pabarabartë”.

Në moshën madhore, pyetja e drejtësisë midis vëllezërve dhe motrave vlen për gjëra të tilla si suksesi profesional, sa të lumtur janë njerëzit në martesat e tyre dhe më shumë, shton Raad.

Ndryshe nga miqtë, ku mund të thuash, ‘oh, ne jemi kaq të ndryshëm, ne vijmë nga vende kaq të ndryshme’, ekziston ideja që vëllezërit e motrat vijnë nga i njëjti sfond, kështu që dhe e ardhmja duhet të jetë deri diku e njejtë.

Megjithatë, disa rivalitete midis vëllezërve dhe motrave të rritur nuk janë domosdoshmërisht të këqija. Më shumë se një e katërta e të anketuarve në sondazh thonë se konkurrojnë me vëllezërit dhe motrat e tyre për qëllimet e karrierës dhe për 15% të të anketuarve, rivaliteti i ka motivuar në karrierën e tyre. Për gati dy në 10 nga të rriturit, ekziston një besim i fortë që rivaliteti i vëllezërve dhe motrave i ka shtyrë ata të arrijnë më shumë në jetën e tyre. Pra, disa rivalitete të vogla mund të jenë të shëndetshme dhe thjesht të natyrshme.

Por, nuk është e thënë që çdo grup vëllezërish e motrash do të konkurrojnë për pjesën tjetër të jetës së tyre. Për shumë njerëz, ‘luftimet’ zbehen ndërsa rriten. Ekspertët pajtohen se nuk ka asnjë arsye pse rivaliteti mes vëllezërve zhduket në disa familje dhe vazhdon në të tjera.

Intensiteti i një rivaliteti mund të zbehet me hapësirën dhe distancën kështu që vëllezërit e motrat që përfundojnë duke jetuar larg gjeografikisht, ose që nuk e shohin njëri-tjetrin aq shpesh, natyrisht mund të kenë më pak rivalitet.

Por në fund të fundit, thotë Whitehead, faktori përcaktues se pse disa familje e kapërcejnë dhe cilat familje jo, varet nga personaliteti.

"Marrëdhënia e vëllezërve dhe motrave është unike dhe e shumëanshme dhe shpesh ka po aq dallime brenda familjeve sa ka midis tyre".

Megjithatë, ekspertët sugjerojnë se prindërit mund t'i ndihmojnë fëmijët e vegjël të zvogëlojnë rivalitetin natyror dhe t'i mbrojnë ata kundër përplasjeve më serioze të mëvonshme në jetë.

Inkurajimi i vëllezërve dhe motrave për të krijuar marrëdhënie të ngushta në moshën madhore edhe nëse kjo nënkupton një debat të rastësishëm mund të bëjë një ndryshim të rëndësishëm.

"Ato marrëdhënie me të vërtetë zgjasin një jetë", thotë Whitehead. Në fund të jetës, vëllezërit tanë bëhen edhe më të rëndësishëm për ne. Kur prindërit ndërrojnë jetë, ata janë lidhja e fundit që kemi me familjen tonë. “Në fund të fundit, vëllezërit e motrat mbeten me njëri-tjetrin.”

Burimi: BBC. Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë