Shendet

A ka funksionuar detyrimi i “green pass” në rajon e Europë?

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, foli nga foltorja e Kuvendit mbi shifrat e vaksinimit në vend dhe theksoi se ritmet e vaksinimit nuk janë aty ku duhet duke u krahasuar me vaksinimet në Europë. Manastirliu shpjegoi se në Europë përdoret certifikata e vaksinimit për marrjen e shërbimeve të ndryshme me qëllim nxitjen e procesit të vaksinimit.
“Si hyet në një restorant, bar, në Europë. A futesh me "greenpass"? Po, do e vendosim dhe ne, e vendosëm dhe në universitete. Për qytetarët është e rëndësishme, që ne kemi pika vaksinimi në çdo qendër shëndetësore, dhe në universitete. Do të vendosim "greenpass" për të hyrë në lokale dhe në strukturat e shërbimit”, tha ajo.
Sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë në vendin tonë në total janë të vaksinuar rreth 44% e popullatës target +16 vjeç. Ndërkaq, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë imuniteti i popullatës duhet të jetë deri në 70% në mënyrë që të kemi rënie të infektivitetit në vend. Sipas Ministres Manastiliu ky objektiv do të arrihet në verën e vitit 2022.


A ka dhënë rezultate në vaksinime vendosja e rregullit për hyrjen në bare dhe restorante me certifikatë vaksinimi?

Në rang rajoni vendimi për paraqitjen e certifikatës së vaksinimit në bare, restorante dhe shërbime nuk ka treguar një rritje të lartë të shifrave të të vaksinuarve. Duke filluar nga data 16 gusht u përcaktua se certifikata e vaksinimit do të ihte kusht për të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut për t’u futur në lokale, qendra tregtare si dhe në ngjarje sportive e kulturore. Shifrat e vaksinimit total të qytetarëve në këtë periudhë ishin 23% dhe deri më tani kanë arritur 37.2%.
Ministri i Shëndetësisë në dorëheqje, Venko Filipçe, theksoi aso kohe se nevoja për shtrëngimin e masave do të varej nga situata e infektimeve.
Shifrat janë të njëjta edhe në Kosovë. Arben Vitia shpjegoi se të gjithë qytetarët frekuentojnë lokalet duhet të kenë me vete certifikatën e vaksinimit ose test PCR apo serologjik. Shifrat e vaksinimit total në vend në datën 27 ishin 27% ndërsa disa muaj pas kanë arritur në 38%. Sipas Vitias një masë e tillë edhe frenon infektimin por nuk sjell pengesë për sektorin e gastronomisë.
Në vendet europiane nisi që prej muajit qershor të vendoset mes shteteve pasaporta e vaksinimit në kafene dhe restorante. Këtë rregull fillimisht e vendosi Italia në datën 17 qershor kur kishte 25% të popullatës totale të vaksinuar dhe rregulli në shifra duket se ka funksionuar pasi në datën 2 nëntor të dhënat nga World Data tregojnë se përqindja totale e vaksinimit është 70%. Këto masa nga shumë vende u thelluan më shumë dhe me përhapjen e variantit Delta i cili rritet infektimet në të gjitha vendet.
Franca ishte një tjetër vend që përdori këtë strategji për të nxitur vaksinimin në vend pavarësisht tubimeve të shumta të protestave. Që prej 9 gushtit ku popullata e vaksinuar totalisht ishte 50.7% pas tre muajsh ka arritur në 70%. Gjermania ka përdorur të njëjtin model por funksioni i kësaj procedure nuk ka qenë tepër i lartë. Në fillim gushti popullata ishte 58% e vaksinuar totalisht dhe në fillim të muajit nëntor vaksinimi ka arritur deri në 66%.
Të dhënat tregojnë se është rritur me 11% vaksinimi total edhe në Greqi që pas vendosjes së rregullit. Kjo lloj fushate atje u vendos në datën 2 gusht ky përqindja e popullatës totale të vaksinuar ishte 48%, ndërsa tani ka arritur në 59%
Danimarka, Austria dhe Hungaria ishin ndër vendet e tjera që vendosën kusht certifikatat e vaksinimit në ambiente të mbyllura, ndërkaq shifrat tregojnë se vetë rregulli për certifikatën e vaksinimit në marrjen e shërbimeve nuk ka funksionuar!


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë