Biznes

A janë të përgatitura biznesi dhe kompanitë publike për Covid-19?

Sabina Veizaj - Një ekonomie si ajo e Italisë, edhe pse është ndër më të mëdhatë e botës, edhe Koronavirusi i duhej.

Të gjitha projeksionet flasin tashmë për një ngadalësim të ekonomisë italiane.

Moody’s është padyshim më pesimist: "Ekonomia italiane është me siguri në recesion", nënvizoi agjensia e vlerësimit në raportin e saj të fundit, duke parashikuar një tkurrje të mundshme të PBB-së në tremujorin e parë.. Në rastin më të keq, i cili parashikon një ndikim më të zgjatur të koronavirusit, vlerësimi për ekonominë italiane arrin në -0.7%.

Thënë këtë edhe bizneset italiane u gjendën të papërgatitur, por ata lëvizën shpejt duke vënë theksin tek smart working.

Përpos masave shtesë të higjenës, bizneset shfrytëzuan teknologjinë e avancuar për të riorganizuar me shpejtësi kohët dhe mënyrat e të punuarit, për të bërë më shumë dhe më mirë se më parë. Ata sektorë që mundeshin, e organizuan punën nga shtëpia, por të ndihmuar edhe  nga Qeveria që në bazë të dekreteve të emergjencës, ka miratuar edhe buxhetin në ndihmë të situatës për bizneset dhe popullsinë në tërësi.

Po bizneset shqiptare a kanë një plan emergjence për një situatë të ngjashme të mundshme?

Gazeta “Si” kontaktoi me një sërë biznesesh dhe asnjë prej tyre nuk kishte një plan paraprak se si mund të sillej ndaj një emergjence të ngjashme.

Të gjithë bizneset u shprehën se ky është një moment eksperimental për të gjithë dhe do të procedohet në varësi të situatës.

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, një nga kompnitë më strategjike në vend i tha  gazetës “Si” se tani për tani e ka vënë theksin tek kujdesi më i theksuar ndaj higjenës në bashkëpunim me kompaninë e shërbimit të pastrimit të cilat ia ka të kontraktuara. OSHEE  thotë se ka njoftuar të 5000 punonjësit në të gjithë Shqipërinë për të zbatuar të gjitha masat e higjenës që kanë shpallur institucionet përgjegjëse dhe në çdo qendër a zyrë të OSHEE  në të gjithë vendin janë varur në mur letra me këshillat e nevojshme. Këto janë masa që lidhen me  higjenën por përfaqësuesit e OSHEE nuk na treguan për ndonjë plan “nëse ndonjë punonjës i saj preket dhe kjo mund të detyrojë pjesë të kompanisë të kthehen në karantinë” sesi  do të vijojë puna. “Sipas  situatës do të ndërmerren edhe masat e tjera të nevojshme”, tha OSHEE.

Nikolin Jaka, kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë në biznesin e vetë të prodhimit të qumështit të ambalazhuar, ka vendosur të lërë në shtëpi punonjësit mbi 60 vjeç dhe çdo mëngjes në hyrje të fabrikës u matet temperatura çdo punonjësi që hyn në kompani.

“Jemi fare të papërgatitur. Unë mendoj se të gjithë bizneset duhet t’i dërgojnë në shtëpi punonjësit mbi 60 vjeç. Institucionet kopetente duhet të nxjerrin urdhër për grumbullimin në supermarkete sepse tashmë ka nisur paniku dhe njerëzit kanë nisur të dynden atje. Disa supermarket që furnizoj me qumësht më telefonuan dhe thanë që të mos i lë pa furnizm.

Teksa Italia ka kufizuar praninë e grupeve me jo më shumë se 20 persona në supermarket, ne duhet ta kemi në jo më shumë se 10 sepse kemi hapësira më të vogla”- shpjegoi Jaka për për gazetën “Si”.

Ai thotë se bizneset përgjithësisht nuk kanë një plan konkret për t'u implementuar. Fabrika e zotit Jaka përfshihet në sektorin e prodhimit. Ndërmarrje të tilla prodhues në të gjithë vendin kanë 35.8 % punonjësve gjithësej.

Edhe Florian Zekja nga Unioni i Fasonëve thotë se situata i ka gjetur të papërgatitur. Aktualiteti, pas njoftimit nga qeveria për mbylljen e shkollave për dy javë, është tashmë një problem konkret për punonjësit prindër pranë biznesit fason.

“Ende nuk kemi asnjë masë. Nëse do të mbyllen kufijtë me Italinë për biznesin tonë do të jetë fundi. E dyta, profili i biznesit tonë është i atillë që është e pamundur të punohet nga shtëpia”- shprehet Zekja duke shtruar se shumë shpejt do të mblidhen me përfaqësuesit e tjerë të sektorit për të diskutuar në lidhje me masat.

Edhe Dhoma e Prodhuesëve nesër do të ketë një mbledhje bordi për të njëjtin qëllim.

Arben Shkodra nga kjo Dhomë, thotë për gazetën “Si” se në këtë moment nuk ka çfarë flitet sepse janë të gjithë të papërgatitur.

“Edhe në botë të papërgatitur i gjeti. Italia që është pjesë e G7-ës ka patur dhe vazhdon të ketë humbje të jashtëzakonshme në biznes dhe ekonomi në tërësi. Është një eksperiment i mirë, një sprovë ku ne duhet të mësojmë dhe do të veprojmë hap pas hapi.”- shpjegon Shkodra.

Ilir Trimi, drejtor ekzekutiv i Dhomës Amerikane të Tregtisë, thotë për gazetën “Si”se

“Dhoma Amerikane është komunitet i 220 anëtarëve, pjesa më e madhe e të cilave janë biznes i madh dhe perfaqësojnë një gamë të gjerë sektorësh; që nga prodhimi, shërbimi dhe tregtia.

 Për ne ashtu sikurse për anëtarët tanë, kjo është një situatë e panjohur dhe të gjithë jemi në pritje të planit të masave të qeverisë dhe përcaktimit të protokolleve.

Çdo biznes më pas ka planin e vet të organizimit dhe përcaktojnë në mënyrë individuale rregullat mbi të cilat do të punojnë në përputhje me specifikat që kanë si biznes”. 

Sektori bankar rezulton më i përgatituri nga të gjithë për raste emergjencash për të paktën dy arsye: shumica e tyre janë me pronarë të huaj që kanë një kulturë biznesi të ndryshme dhe duke qenë një biznes që lidhet shumë ngushtë me besimin e njerëze dhe paratë.

Sipas Sekretarit të Përgjithshëm të Shoqatës së Bankave Spiro Brumbulli-t bankat kanë plane të mbulimit për çdo emergjencë që nga ato natyrore deri tek ato shëndetësore, etj.

“Bankat aktualisht po ndjekin me vëmendje situatën. Edhe sikur në një rast hipotetik vendoset mbyllja e tyre në grup, secila bankë e ka planin e mëvetësishëm të emergjencës për ta zbatuar me qëllim shërbimin ndaj klientit si pëmres internetit, ashtu edhe ATM-ve”, shpjegon Brumbulli për Gazetën “Si”.

Gjithsesi, të gjithë bizneset thonë se janë me sy e veshë te këshillat e institucioneve përgjegjëse dhe  qeverisë që të marrin masat përkatëse për mbarëvajtjen e bzinesit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë