Para

A do të na lënë dentistët me gojë hapur?

Sabina Veizaj - Nëse ju lind nevoja të shkoni në dentist dhe përballeni me çmime të dyfishuara, mos iu ankoni doktorit të dhëmbëve.

Ai e ka përgjigjen gati. Urdhri i Stomatologut ka nxjerrë listën e çmimeve të referencës. Çmimet e përcaktuara janë dysheme dhe variojnë nga 500 lekë për një vizitë dentare, 3000 lekë për pastrim gurëzash, 4000 lekë për një mbushje të gradës së dytë, deri në 70 mijë lekë për një implant.

Presidenti i Urdhrit të Stomatologëve Nikoll Deda thotë për Gazetën “Si” se çmimet e listës së bërë publike janë çmime orientuese dhe jo detyruese. “Ne nuk kemi asnjë instrument ligjor për të detyruar dentistin të punojë me këto çmime”.

Çmimet në fjalë janë përllogaritur duke marrë në shqyrtim 400 kampione çmimesh në të gjithë vendin përmes fotografimit në vend të listës së çmimeve të klinikave të afishuara në mur.
Shpjegimi që Z. Deda i jep Gazetës “Si” për vendosjen e çmimeve të referencës për dentistët është lidhur me mungesën e profesionalizmit në radhët e stomatologëve në vend, të cilët, sipas z.Deda kequshtrojnë profesionin duke shitur lirë cilësinë e dobët të punës së tyre.

Nikoll Deda, President i Urdhrit të Stomatologëve


“Komuniteti i stomatologëve ishte i shqetësuar nga kjo pirateri. Ne e shtruam me mbledhje të zgjeruar. Shtruam në të gjithë strukturat tona dhe patëm prioritet mjekimin e të rinjve. Kjo shërben më shumë për qytetarët. Ne jemi si gjykatë që dënojmë ushtrimin keq të profesionit. Ne i themi qytetarit kujdes nga çmimet jashtë logjikës profesionale sepse je i rrezikuar”, thotë z.Deda.

Në fakt, ligji i 2014-ës për Urdhrin e Stomatologut në Republikën e Shqipërisë që është ent publik dhe që ka për qëllim të rregullojë marrëdhëniet juridike dhe etiko-profesionale të profesioneve, stomatologë dhe ndihmësstomatologë, si dhe organizimin e Urdhrit të Stomatologut dhe të rregullojë marrëdhëniet ndërmjet tyre në funksion të publikut, nuk parashikon në ndonjë nen të tij vendosjen e çmimeve në mënyrë eksplicite, qoftë edhe atyre referencë.

Por, duke qenë organizëm i gjykimit profesional, thotë z.Deda, funksionon edhe si gjykatë për profesionistët e fushës. “Ne, 90 % të gjykimeve disiplinore i kemi nga klinika që punojnë me çmime të tilla me cilësi shumë të ulët profesionale. Është 100% në mbrojtje të qytetarëve kjo listë, por krijon edhe rregulla ndër dentistë të rinj. Dentistët krijojnë një kontur profesional. Ne kemi përcaktuar limitin e poshtëm, por dentisti është i lirë të punojë me të gjitha çmimet”, thotë Deda.

Sipas tij, një ndër shkaqet që nuk po zhvillohet turizmi dentar në Shqipëri është edhe mungesa e cilësisë që ofrohet me çmimet e lira dhe “të huajt nuk besojnë në cilësinë tonë të punës me këto cmime. Kroacia çmimet krahasuar me ne, i ka 7-8 – fish më të larta.”
Dorian Hysi, nga Shoqata Dentare Shqiptare shprehet për Gazetën “Si” se nuk mund të ketë parimisht një gjykim ndaj çmimeve nëse ato janë të shtrenjta apo jo. “Për aq kohë sa ai çmim duhet të justifikojë protokollin real të asaj që ofrohet.”

Nëse një procedurë mjekësore, thotë ai, ka këtë shpenzim materialesh, këtë shpenzim energjie, taksa, tatime, pagesa, gjithë kjo duhet të përkthehet në një tarifë. “Nëse tarifa është më e ulët, presupozohet që ofron shërbim jo cilësor. Nëse është më e lartë është abuzuese. Por nuk duhet të jetë më e ulët, unë kështu e shoh si profesionist”, shprehet z.Hysi.

Kurse ish-Ministri i Shëndetësisë Tritan Shehu, vendimet e Urdhërit për rritjen rreth dy herë të çmimeve për procedurat dentare nëpërmjet pagesave direkte të qytetarëve, e konsideron dështim të plotë të politikave sociale të Rilindjes.

“Stomatologjia është pjesë përbërëse e sistemit tonë shëndetësor, për të cilën nuk ekziston mbulesë financiare apo sociale. Edhe mbulesa nga buxheti i urgjencës stomatologjike si dhe i parandalimit, të detyrueshme këto nga ligji, janë shumë larg relitetit dhe të veshura me shumë dyshime korruptive në aplikim. Ndërsa përsa i përket një vendimi të njëanshëm të Urdhërit për këtë rritje çmimesh, ai nuk mud të jetë i tillë edhe nëqoftëse nga ana finaciare mund të jetë i justifikuar,”shpjegon z.Shehu.

Ai gjykon se në këtë situatë, do të duhej ndërhyrja e menjëherëshme e shtetit, për të krjuar mbulesat financiare të qytetarëve edhe për stomatologjinë.
Autoriteti i Konkurrencës është vënë në dijeni nga Gazeta “Si” dhe disa medie të tjera për vendimin e Urdhrit të Stomatologut për të shpallur çmimet e referencës për shërbimin dentar në vend.

Sekretarja e Përgjithshme e Autoritetit, Diana Dervishi thotë për Gazetën “Si” se Autoriteti do të ndjekë procedurat sipas ligjit në fuqi. “Në momentin që bëhet vlerësimi dhe administrimi, komisioni do të ndjekë procedurën. Procedura nis me vlerësimin e legjislacionit, administrimin e këtij aktit që kanë nxjerrë, kur ka hyrë në fuqi, sa është zbatuar, në rast se është zbatuar a janë vendosur ë njëjtat tarifa nga të gjithë stomatologët në të njëjtën kohë, nëse kanë bërë marrëveshje të ndaluar duke kufizuar konkurrencën,” thotë znj.Dervishi.

Ligji për konkurrencën thotë nëse çmimet janë të fiksuara, të njëjta për të gjithë subjektet, kjo quhet një marrëveshje e ndaluar mes subjekteve që i aplikojnë këto çmime dhe sanksioni i aplikuar është gjoba në varësi të vendimmarrjes së Komisionit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë