Lajme

Çmimet e dhëmbëve, PD: Vendim i paligjshëm

Deputeti i Partisë Demokratike, Bardh Spahia, në një deklaratë për mediat u shpreh se vendimi i Urdhrit të Stomatologut për përcaktimin e çmimit të 13 shërbimeve është i paligjshëm dhe korruptiv.
“Makineria e propagandës së qeverisë së Edi Ramës flet çdo ditë për ulje taksash, për çmime më të lira dhe jetë më të mirë. Por e vërteta është ndryshe. Me heshtjen e saj, qeveria është bërë pjesë e një vendimi të paligjshëm dhe korruptiv, të marrë nga Urdhri i Stomatologut për thuajse dyfishimin e çmimit të shërbimit për qytetarët.
Me një vendim të paprecedentë, të paligjshëm, abuziv, presidenti i Urdhrit të Stomatologut, Nikollë Deda, kandidati për deputet i Edi Ramës në Pukë, urdhëron dentistët të rrisin gati dyfish çmimet për 13 shërbime. Janë shërbimet që kryejnë më së shumti qytetarët, përfshirë edhe mbushjen e dhëmbëve, vënien e protezave dhe deri tek ndërhyrjet kirurgjikale”, shprehet deputeti demokrat.
Nënkryetari i Komisionit të Shëndetësisë në PD në fjalën e tij iu bëri thirrje të gjithë stomatologëve të mos zbatojnë urdhrin e stomatologëve.
“Partia Demokratike i nxit anëtarët e urdhrit të shkarkojnë cilindo person që është bërë pjesë e këtij mekanizmi antiligjor, që synon të rrjepë nga lekët shqiptarët me bekimin e qeverisë.
Kundër këtij modeli abuzues e grabitës të qytetarëve duhet të ngrihemi të gjithë. Të bashkohemi në protesta deri në largimin e kryeministrit që frymëzon modelin e grabitjes së shqiptarëve”, përfundon Spahia.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë