Ekonomi

A do të jetë Shqipëria “kalaja e qëndresës” nga zhvlerësimi i lirës turke?

Sabina Veizaj-Lufta sa po ka nisur dhe pasojat janë ende të paqarta. Megjithëse Shqipëria është larg sheshit të betejës, perandoria ekonomike e Erdogan i ka ndikimet në gjithë Ballkanin. Për momentin ndoshta mund të kemi një përfitim të vogël.

Ali Sahin, administrator i Kompanisë turke Cagatay Albania Shpk dhe anëtar i Dhomës Turke të Tregtisë në Tiranë, thotë për gazetën “Si”, se kriza financiare turke po ndikon pozitivisht në Shqipëri.

“Për firmat importuese shqiptare, kjo krizë ka ndikuar pozitivisht, ngaqë lira turke ka humbur vlerë, firmat importuese kanë arritur të marrin mallin për prodhim me kosto më të ulët.”- shprehet Sahin.

Eksperti në fushën e ekonomisë Elvin Meka sqaron më tej se “marrëdhëniet tregtare me Turqinë zhvillohen në dollarë amerikanë dhe në momentet aktuale pritshmëria është që mallrat turke të jenë më të lira në terma dollari, por dhe të lekut shqiptar, pavarësisht rivlerësimit relativ të dollarit ndaj lekut (zhvlerësimi i lirës turke është më i madh sesa rivlerësimi i dollarit ndaj lekut.)”

“Personalisht”, shprehet Meka,  “nuk mendoj se do të shfaqen problematika serioze në raportet dhe shkëmbimet tregtare mes dy vendeve, pasi nuk ka asnjë konflikt mes dy vendeve, pra nuk ka asnjë bazë për shqetësim apo ndonjë të papritur.”

Turqia është partneri ynë i tretë më i madh tregtar. Importet janë 8.1% e totalit për 6 mujorin e parë ose gati 30 mld lekë.

Sipas Instat pesha e  eksporteve drejt Turqisë  është gati e papërfillshme, me vetëm 0.6% të totalit të eksporteve për 6 mujorin e parë të këtij viti. Madje po ta krahasojmë me të njëjtën periudhë të një viti më parë, shitjet e mallrave shqiptare drejt Turqisë kanë rënë me 12%.

Ndërsa përsa i përket investimeve në vend Turqia sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë renditet e gjashta dhe stoku i  në fund të tremujorit të parë ishte 534 milionë .Investimet më të mëdha turke janë në sistemin bankar dhe telekomunikacion.

Megjithatë Administratori i Cagatay Albania SHpk vlerëson se investitorët turq në Shqipëri janë gjithmonë në rritje. “Duke parë Shqipërinë dhe investimin në sektorët e ndryshëm si sektori bankar, telekomunikacioni, energjia, ndërtimi dhe logjistika mendoj që investitorët turq janë numri 1.”-thotë Sahin.

Ai e shikon krizën financiare turke si kalimtare duke shpjeguar se “Industritë  që janë në Turqi aktualisht kanë pësuar humbje për shkak të ndryshimit të valutës. Ama investitorët dhe investimet në Shqipëri nuk janë aspak në ndikimin e krizës dhe nuk mund të ndikohen. Investitorët e jashtëm duan që të kenë sigurimin e jetës, sigurimin e mallrave, shpërndarjen në mënyrë të drejtë të sistemit të drejtësisë dhe një sistem tatimesh të qëndrueshëm.”

Ai e mbështet bindjen e tij në shembullin e kompanisë që drejton, që sipas tij është rritur shumë në pesë vite në Shqipëri.

Firma që Sahin drejton  (Cagatay Logistics Albania shpk) është krijuar në vitin 1991 në Turqi. Ajo ka shërbimet export, import dhe logjistikë.

Në fund të vitit 2013 grupi i Logjistikës është shpërngulur  në Shqipëri. Në këtë kompani janë investuar 3.5 milion euro (kamiona standart, kamiona rimorkio, parkim kamionash, depo logjistike dhe shtëpi). Dhe për shkak të natyrës së biznesit të tij  Sahin se i njeh mire importuesit dhe në një farë mënyre është përfaqësuesi i tyre. Për të kriza e lirës nuk është pamjaftueshmëria e kapitalit të Turqisë por lufta tregtare me SHBA 

Kurse eksperti Meka e sheh ndryshe aspektin e investimeve. “Sigurisht që një frenim në investimet e pritshme do të ketë, për vet nevojën që ka sipërmarrja dhe qeveria turke për të kalibruar dhe ripozicionuar veten në një panoramë më të qartë politike dhe ekonomike, si brenda ashtu dhe jashtë Turqisë. Në fakt, kjo përbën ndoshta pikën ku duhet të shqetësohemi realisht, për vet peshën specifike që kanë investimet me origjinë turke për ekonominë dhe qeverinë shqiptare.”- thotë Meka.

Përsa i përket sistemit bankar shqiptar nëse ka ndonjë ekspozim në letrat me vlerë të Turqisë, Banka e Shqipërisë u përgjigj se po bën analizat e saj në lidhje me çështjen në fjalë dhe nuk ka ndonjë koment për të bërë në këto momente.

Sa serioze është kriza e lirës turke dhe cilat janë implikimet?

Stoqet kanë rënë në Europë dhe Azi, ndërsa pasojat nga rënia e lirës Turke do të ndihen globalisht.

 Gjatë pesë viteve të fundit, rritja e Turqisë ka qenë në ritëm me rritjen e ekonomisë së Kinës dhe Indisë, por tani po shfaq shenjat klasike të përkeqësimit: një defiçit tregtar i madh, një bum ndërtimesh dhe një borxh që rritet. Tregjet financiare po tuten nga inflacioni, duke u rritur me një normë vjetore prej më shumë se 15% dhe kanë nisur të shesin lirën turke, e cili është ulur me 45% kundrejt dollarit amerikan që nga fillimi i vitit.

Lira turke ra në fillim të javës ndaj dollarit amerikan, pasi presidenti Erdogan paralajmëroi se vendi ishte në një 'luftë ekonomike'

Dy faktorë shtesë po përkeqësojnë krizën. Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, është kundër ngritjes së normave të interesit për të mëkëmbur ekonominë dhe për të mbështetur monedhën vendase dhe ka përdorur fitoren e tij të fundit zgjedhore për të imponuar pikëpamjet e tij joortodokse mbi bankën qendrore të vendit. Mungesa e veprimit të normës së interesit ka përkuar me një përkeqësim të theksuar të marrëdhënieve të Turqisë me SHBA-të. Vendimi i Turqisë për të mbajtur pastorin amerikan, Andreë Brunson, nën arrest shtëpiak për akuzat e diskutueshme në lidhje me terrorizmin, ka bërë që Donald Trump të imponojë sanksione dhe tarifa të dyfishta ndaj importeve të çelikut dhe aluminit turk.

Inflacioni në Turqi u rrit me 15.39% nga viti në vit në korrik, norma më e lartë vjetore që nga viti 2004

Cilat janë implikimet për ekonominë globale?

Ndikimi i drejtpërdrejtë i asaj që duket si një recesion i pashmangshëm në Turqi, do të ishte relativisht i vogël në nivel global, sepse, pavarësisht një popullsie prej 80 milionë banorë dhe një rritje të fortë të ekonomisë në vitet e fundit, vendi përbën vetëm 1% të PBB-së botërore. Vendet e Eurozonës kanë një suficit tregtar me Turqinë, por është i vogël. Në dy krizat financiare të mëparshme turke që nga fillimi i mijëvjeçarit, eksportuesit europianë kanë qenë në gjendje të devijojnë biznesin e tyre në tregje të tjera. Banka Qendrore Europiane ka shprehur shqetësime rreth afrijmit potencial nëpërmjet sistemit bankar të eurozonës, me Spanjën, e ndjekur nga Italia që mendohet të jenë vendet më të ekspozuara.

Një rrezik më i madh kanoset nga kriza e Turqisë ndaj ekonomive e tjera të tregjeve në zhvillim. Problemet e Turqisë janë akute për shkak se ajo ka më shumë se 300 miliard dollarë borxh, gjë që po bëhet dita ditës më i shtrenjtë për tu financuar. Megjithatë, vende të tjera - si Meksika dhe Afrika e Jugut - gjithashtu shfrytëzuan normat e ulëta të interesit amerikanë ndër vite pas krizës financiare për të marrë hua shuma në dollarë dhe panë që monedhat e tyre ishin nën presion. Frika është për një krizë të plotë në tregjet në zhvillim.

Çfarë mund të bëjë qeveria turke?

Për momentin, përgjigja e qeverisë ka qenë e ashpër, dhe me veprime të mangëta. Erdogan ka akuzuar SHBA-të për goditjen pas shpine të Turqisë, duke i konsideruar lajme të rreme ato që u përhapën  në lidhje me krizën dhe deklaroi se banka qendrore ka lehtësuar kërkesat e financimit për bankat turke.

Asnjë nga këto nuk duket e mjaftueshme për t'u marrë me lehtësimin e krizës, veçanërisht duke pasur parasysh mungesën e rezervave valutore të Turqisë dhe rezervave të arit - të cilat shpesh përdoren nga bankat qendrore për të luftuar spekulatorët e monedhës. Erdogan ka këmbëngulur që Turqia mbetet e angazhuar në parimet e një ekonomie të tregut të hapur, por një mundësi për qeverinë është të provojë kontrollet e kapitalit si një mënyrë për të hequr presionin ndaj lirës. Kjo mund të sigurojë një frymëmarrjeje, por ndoshta mund të jetë veç e përkohëshme, duke qenë se Turqia është një ekonomi e hapur dhe ka nevoja të mëdha valutore.

Çfarë ndodh mandej?

Historia e krizës së mëparshme të tregjeve në zhvillim sugjeron se ka vetëm një fitues në luftën mes Turqisë dhe spekulatorëve të monedhës. Në rrethanat e mëparshme, vetëm dy gjëra do të ndalonin shitjen e lirës: një rritje e ndjeshme e normave të interesit zyrtar (tashmë mbi 17%) ose shpallja e një pakete emergjente të mbështetjes financiare nga Fondi Monetar Ndërkombëtar - ose, nëse gjërat vazhdojnë të përkeqësohen, të dyja së bashku . Lirimi i Brunson gjithashtu do të ndihmonte. E gjithë kjo do të ishte një siklet i jashtëzakonshëm për Erdoganin, një nga udhëheqësit më të fuqishëm në botë, por nuk duket të ketë ndonjë alternativë të lehtë në horizont. Çështja nuk është nëse Turqia po shkon drejt recesionit, por sa thellë do të jetë recesioni dhe si do të ndikojë në nivel global.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë