Drejtësia

Nga rikthimi i Arta Markut te Adnan Xholi, 5 kandidatë në garë për Prokuror të Përgjithshëm

Gazeta Si – Gara për postin e Prokurorit të Përgjithshëm ka mbetur me pesë kandidatë, pas përfundimit të fazës së aplikimeve dhe tërheqjes së një prej kandidatëve.

Në garën për drejtimin e Prokurorisë së Përgjithshme janë: Adnan Xholi; Rovena Zoto; Ylli Pjetërnikaj; Fatjona Memçaj; Arta Marku.

Kreshnik Ajazi, kreu i Prokurorisë së Elbasanit, kishte aplikuar fillimisht për postin e Prokurorit të Përgjithshëm, por më pas u tërhoq nga gara.

Që prej 3 korrikut kandidatët kanë pasur mundësi që të dorëzojnë dokumentet e tyre për kandidim. Prokurorët patën një afat prej 30 ditësh, deri më 1 gusht (ora 00:00), për të dorëzuar kandidaturën e tyre.

Më 29 korrik, garës për Prokuror të Përgjithshëm iu fut edhe prokurori aktual i SPAK, Adnan Xholi. Ai ishte personi i parë i cili dorëzoi dokumentacionin për të garuar.

Prokurorja Rovena Zoto është zyrtarisht kandidatja e dytë që hyn në garë për postin e Prokurorit të Përgjithshëm. Ajo dorëzoi dokumentacionin e kandidimit më 30 korrik.

Aktualisht, Zoto ushtron detyrën si prokurore pranë Prokurorisë së Tiranës. Ajo është emëruar prokurore në vitin 2010, pas përfundimit të Shkollës së Magjistraturës.

Gjatë karrierës së saj, Zoto ka shërbyer në Prokurorinë e Lushnjës, Fierit dhe Tiranës. Ajo ka hetuar kryesisht çështje që lidhen me pastrimin e parave, financimin e terrorizmit, krimet financiare dhe hetimet pasurore.

Ylli Pjetërnikaj dorëzoi dokumentacionin pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë, më 30 korrik, duke u bërë kandidati i tretë që shprehu interesin për të drejtuar organin e akuzës për mandatin e ardhshëm.

Pjetërnikaj është prokuror me një karrierë të gjatë në sistemin e drejtësisë dhe aktualisht ushtron edhe detyrën e pedagogut në Shkollën e Magjistraturës.

Ai ka shërbyer si prokuror në Prokuroritë e Kukësit, Lezhës, Tiranës dhe Shkodrës, ku ka mbajtur edhe funksionin e drejtuesit të Prokurorisë.

Arta Marku u zgjodh prokurore e Përgjithshme e Përkohshme në dhjetor 2017-ës, post të cilin e mbajti deri në 2029-ën, kur Kuvendi zgjodhi Olsjan Çelën me mandat të plotë.

Detyra e tij 7-vjeçare në krye të Prokurorisë së Përgjithshme mbyllet në dhjetor të këtij viti, pa të drejtë emërimi dhe mes kandidatëve që synojnë ta pasojnë, është edhe vetë Arta Marku, aktualisht prokurore e Apelit në Tiranë.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka hapur garën për postin e Prokurorit të Përgjithshëm, pasi mandati i prokurorit aktual Olsian Çela përfundon në dhjetor të këtij viti.

Pas përfundimit të afatit të aplikimit, Këshilli do të vijojë me verifikimin e dokumentacionit, vlerësimin e kandidatëve dhe zhvillimin e procedurave të mëtejshme të përzgjedhjes, në përputhje me Kushtetutën, ligjin dhe rregulloren përkatëse.

KLP-ja ka afat deri më 14 gusht për të verifikuar nëse kandidatët që shprehin interes i plotësojnë kushtet ligjore.

Sipas ligjit, KLP i propozon Kuvendit tre kandidatë, ndërsa Prokurori i ri i Përgjithshëm zgjidhet nga Parlamenti për një mandat 7-vjeçar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë